Pasditja e djeshme qe fatale për familjen Shala nga Qerreti i Kavajës, tek sa burrë e grua u mbytën në det në tentativën për të shpëtuar fëmijët. Ata u përpinë nga dallgët e detit të trazuar teksa tentuan të shpëtonin fëmijën e tyre. Në fakt djali, vetëm 6 vjeç, ka mundur të mbijetojë por mjerisht jo babai dhe nëna e tij. Sinan dhe Luljeta Shala, përkatësisht 50 dhe 43 vjeç kanë humbur jetën në det në pamundësi për t`u mbijetuar dallgëve të fuqishme që përfshiu bregdetin e Durrësit dje. Tentativat e dëshpëruara të pushuesve të tjerë për t’iu dhënë ndihmë, sidomos Sinanit, që ishte më afër bregut, nuk rezultuan të suksesshme. Por së pushuesit e zonës së plazhit arritën të nxirrnin në breg djalin e vogël, të çiftit Shala. Pushuesit më pas kanë hyrë në det dhe kanë nxjerrë trupat e pajetë të burrë e grua. Pas marrjes së informacionit mbi incidentin tragjik, policia mbërriti në vendin e ngjarjes, fillimisht me një patrullë dyshe me biçikletë ndërsa më pas aty mbërritën edhe efektivë të tjerë të Policisë. Shefi i komisariatit të Kavajës, tha se efektivët e policisë me biçikletë, mbërritën në pak minuta aty pas dhënies së informacionit, ndërsa më pas mbërritën edhe efektivë të tjerë të cilët nisën punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Mbytja
Sipas burimeve të policisë mësohet se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18.00 të pasdites së djeshme, kur të dy bashkëshortët e ndjerë, Sinan e Luljeta Shala, ndodheshin në çadrën e tyre, e cila ishte edhe në radhën e parë vijës së bregut. Djali i tyre, 6 vjeç, Shpati, ishte duke u larë në detin që kishte nisur të trazohej. Nëna e tij, Luljeta, kishte shquar se i biri nuk ndodhej aty dhe nisi ta kërkonte fillimisht në breg e më pas e ka shquar në det. Pushuesit kanë treguar më pas edhe për policinë se në atë moment nuk kishte njerëz në det pasi kishte disa minuta dallgët ishin egërsuar. Gruaja ka parë që djalin e kishte tërhequr dallga brenda dhe është hedhur e para. Dallgët i kanë përpirë nënë e bir derisa në det është hedhur edhe vetë Sinani. Ai ka mundur t’i ngrejë që të dy nga uji, por dallga ka qenë aq e fuqishme sa ia ka shkëputur gruan nga duart. Nuk dihet në atë moment nëse ajo ka qenë gjallë apo vdekur, por pushuesit kanë parë që burri është nisur në drejtim të bregut me të birin. Disa metra pa dalë në breg uji ka mbajtur në sipërfaqe vetëm djalin. Aty ndërhynë pushuesit e tjerë që nxorën fëmijën 6 vjeçar në breg. Disa pushues të tjerë u nisën në drejtim të Sinanit me idenë që ai ishte kthyer për të shkuar tek gruaja por kur e kanë gjetur ai ishte i pajetë. Pas një frymëmarrjeje artificiale në breg që sipas shefit të komisariatit të Kavajës, i është dhënë nga një polic rrugor që ishte aty, fëmijën e nisën në drejtim të spitalit të Durrësit, ndërsa trupat e pajetë të burrë e grua janë nxjerrë në breg.
Fëmija jashtë rrezikut për jetën
Shpati, fëmija 6 vjeçar i cili i shpëtoi mbytjes dje por që humbi dy prindërit, mësohet se gjendet në spitalin e Durrësit. Mjekët kanë bërë me dije mbrëmë se gjendja e tij është e rëndë por është kaluar faza e rrezikut për jetën. Ai i është nënshtruar një mjekimi intensiv në spital dhe është mbajtur në reanimacion për disa orë, deri sa ai ka kaluar rrezikun për jetën. Ndërkaq policia nisi hetimet për incidentin duke marrë dëshmitë e pushuesve të ndryshëm që ndodheshin në momentin e ngjarjes në plazh. Ndërkaq specialistët e hetimit të policisë së Kavajës, thanë dje për gazetën “Shekulli”, se nga këqyrja e vijës bregdetare ku ishin shtrirë çadrat e plazhit që kontrollohej nga një subjekt privat është vënë re mungesë e rojeve të zonës së plazhit për të ndihmuar pushuesit në raste rreziku. Për këtë shkak, hetuesit e policisë së Kavajës, thirrën në komisariat, pronarët e subjektit që administron vijën bregdetare ku ndodhi tragjedia. Burimet thanë se për ta pritet nisja e procedimit penal, duke referuar materialet përkatëse në prokurorinë e Kavajës. Tragjedia e pasdites së djeshme i ngjan një tjetër pasditeje të frikshme gushtit të vitit të kaluar, kur në bregdetin e Velipojës, “tërbimi” i detit iu mori jetën dy burrave në tentativë për të shpëtuar jetën e dy vajzave të reja. Dy vajzat shpëtuan ndërsa një djalë qëndroi për ditë me radhë në gjendje të rëndë në spital në përpjekje për të nxjerrë dy burrat që shpëtuan dy vajzat por nuk munden të mbijetonin vetë.