Demokratët ashpërsojnë konfliktin me ambasadën amerikane. Pas akuzave të deputetëve të PD-së dhe dhëndrit të ishkryeministri Sali Berisha është vetë ky i fundit që akuzon një punonjëse të misionit amerikan. Ish-kryeministri deklaroi dje në seancë plenare se një punonjëse e OPDAT-it u ka bërë presion prokurorëve për arrestimin e gjeneral Syrja Gjokës. Sipas Berishës punonjësja e OPDAT-it e cila është motra e Mimi Kodhelit, ka shfrytëzuar Misionin për tu bërë presion prokurorëve.
Në një reagim të menjëhershëm ambasada amerikane shprehet e skandalizuar nga pretendimet e pabaza siç i cilëson ajo akuzat, ndërsa i bën thirrje Berishës për reflektim. Por ligjvënësi demokrat nuk tërhiqet. Ai këmbëngul se Alba (Ibrahimi) Vata ka ndërhyrë, por është refuzuar nga prokurorët.
Reagimi
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë është e skandalizuar me pretendimin e pabazë ngritur ndaj një punonjësi të ambasadës më herët sot nga z. Sali Berisha, anëtar i parlamentit, gjatë një seance të parlamentit. Z. Berisha pretendoi se një punonjës shqiptar i ambasadës ishte përpjekur të ndërhynte në një çështje hetimi penal në proces, thjesht mbi bazën e marrëdhënies së punonjësit të ambasadës me një anëtar të Këshillit të Ministrave. Pretendimi është tërësisht i pavërtetë dhe i pabazë”, - reagon ambasada amerikane pas akuzave të djeshme të demokratit Berisha. Madje në deklaratën e menjëhershme të saj i bëhet apel Berishës për reflektim.
“Ambasada e SHBA këmbëngul për nivelin më të lartë të integritetit dhe llogaridhënies të secilit anëtar të misionit tonë. Ambasada e SHBA-së i bën thirrje z. Berisha të reflektojë për sjelljen e tij”, - përfundon reagimi i përfaqësisë amerikane në vendin tonë. Reagimi erdhi pas deklaratave të Berishës në seancë plenare se një punonjëse e OPDAT-it u ka bërë presion prokurorëve lidhur me arrestimin e gjeneral Syrja Gjokës. “Ore, e dini ju si është arrestuar Syrja Gjoka?
Ka nisur motrën e saj, si korbë të zezë, në emër të e OPDAT- it, duke folur në emër të Misionit, ku aty është thjesht punonjëse, duke u bërë presionin më të jashtëzakonshëm prokurorëve. Dhe jo një, po dy prokurorëve: Ose Syrja Gjoka në litar, ose ju do humbisni, sepse kështu është vendosur. Kjo është e vërteta! Në qoftë se ka një të ndershëm këtu mes jush, shkoni të pyesni në Prokurorinë e Tiranës se jeni deputetë! A merret një baba, një gjeneral, një ushtarak, një njeri në detyrë, kafshërisht siç e mori kjo ndrikull? Kur dy prokurorë të Tiranës refuzuan shkoi korba e zezë në emër të OPDAT-it dhe u bëri presionin më të tmerrshëm.
Nuk keni turp, merreni me njerëz të pafajshëm. Motra e Kodhelit ka kërkuar arrestimin në emër të OPDAT-it”, ka deklaruar Berisha. Ish-kryeministri nuk është tërhequr nga akuza edhe pse deklaratës së ambasadës amerikane, duke këmbëngulur në akuzat e tij. “Znj. Alba (Ibrahimi) Vata ka ndërhyrë me insistim që të hapet çështje penale ndaj gjeneral Syrja Gjokës dhe kjo ndërhyrje, që sipas saj është bërë në emër të OPDAT-it, është refuzuar nga prokurorët tek të cilët ajo ka ndërhyrë. Nuk kam asnjë dijeni se misioni i OPDAT-it ka tagër të ndërhyjë në çështje penale të veçanta.
Gjykata e Apelit e gjeti të paligjshëm arrestimin e gjeneral Syrja Gjokës”, pohon ai ndërsa shpreh konsideratë për ambasadën amerikane, por dhe vendosmërinë për t’i paraqitur asaj çdo provë lidhur me problemin nee fjalee. Ndërsa Berisha zgjodhi të akuzojë një punonjëse të Misionit, edhe më të ashpër në akuza kanë qenë deputetët e PD-së apo dhëndri i Berishës. Ndërsa komentonte në rrjetin social “Facebook” mbi grevën e urisë të të larguarve nga puna, Malltezi e konsideron turp mosreagimin e ambasadorit Arvizu, duke kujtuar vizitën e tij në grevën e urisë të ish-të përndjekurve politikë në vitin 2012. “Është turp dhe faqe e zezë edhe për ndonjë ambasador që shkoi të takonte të dënuarin me 7 vjet burgim për kryerjen e veprës penale të shfrytëzimit të prostitucionit, dhe nuk ndihet fare për këtë grevë që në thelb është sfidë e shtetit ligjor ndaj paligjshmërisë së qeverisë së boratit apo ediskobarit”, - shkruante ai. Ndërkohë që deputeti demokrat, Genti Strazimiri ka ironizuar: “Na duhet urgjent një ambasador i SHBA-së në Tiranë në mënyrë që dikush të mbrojë interesat strategjike dhe lidhjet mes dy vendeve. Ky vend ka parë ditë pa President, Kryeministër apo edhe pa qeveri por pa ambasador amerikan qenka krejt tjetër gjë, qenka shumë e ulët”.
Braçe: Ambasada e SHBA-së kap në flagrancë Berishën
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste reagoi pas përplasjes mes Sali Berishës dhe ambasadës amerikane lidhur me akuzat e ish-kryeministrit për një punonjëse të misionit OPDAT në Tiranë. “E pashembullt. Nuk kaq ndodhur kurrë më parë në 24 vite, ambasada e SHBA-së në Tiranë kap në flagrancee Sali Berishën në një shpifje të pashembullt! Tërësisht i përgjegjshëm, sot në seancën e radhës së shpifjeve tha se motra e Mimi Kodhelit, punonjëse e misionit amerikan në Tiranë, ka ushtruar presion mbi 2 prokurorë të Tiranës për arrestimin e një ushtaraku. Asnjë fakt e asnjë provë. Thjesht një shpifje nga shumë shpifjet e çdo të enjte e Sali Berishës”, - shkruan Braçe në “Facebook”. Sipas tij kjo është opozita e Berishës dhe Bashës. Braçe shton se pas deputetëve të mazhorancës tashmë është radha e një institucioni ndërkombëtar që të hedhë në erë shpifjet e ndyra të Berishës. Deputeti i PS-së kërkon reagimin e prokurorisë. “Jam i shokuar se si Prokuroria e Republikës nuk reagon për shpifjet e Sali Berishës edhe kur përmendet vetë si institucion. Ky është kulmi”, - përfundon komenti i Braçes në facebook.
Debatet për fotot e Enver Hoxhës
Jozefina Topalli: Për opozitën ka vetëm një rend dite: implikimi në trafikun e drogës dhe ngjarja e rëndë e 26 majit. Ka filluar të zbatohet platforma e dhunës ndaj opozitës. Çështja për trafikun kundër drogës duhej mbyllur dhe deputetëve që do flisnin do u pritej gjuha. Strazimiri ishte i pari.
Ilir Meta: Mos bini pre e provokimeve dhe e fjalorëve të padenja që kanë për qëllim të krijojnë tensione të panevojshme dhe nuk kanë për qëllim të shprehin ide dhe qëndrime politike . Lidhur më vizitën time në 24 maj, në Kongresin e Përmetit, do shkoj çdo vit në 24 maj sepse Kongresi i Përmetit ishte vazhdim i Konferencës së Pezës, vendosi çlirimin e Shqipërisë.
Jozefina Topalli kërkon fjalën dhe reagon nga vendi.
Ilir Meta: Ruaj qetësinë, unë nuk impresionohem as nga ekstremizmi juaj dhe as nga ekstremizmi i ithtarëve të Enver Hoxhës. Më vjen keq për ekstremizmin tënd i cili është si dy pika uji me qëndrimin e atyre veteranëve që kujtojnë se do impresionojnë me 2 fotografi të Enver Hoxhës.
Jozefina Topalli: I pari që tradhtoi atë pjesë të LANÇ-it dhe vrau gjithë komandantët që luftuan për çlirimin ishte Enver Hoxha.
Taulant Balla: Sa herë vinë momente të rëndësishme, ti Sali mundohesh t’i prishësh punë këtij vendi. Po lëre rehat këtë vend! Ke 23 vjet, që i je qepur këtij vendi sikur të ishe njeriu që e urren më shuam këtë vend. Unë shpresoj, që jo se je shqiptar, por të paktën lëre këtë vend rehat. Për ty zonjë, që u shprehe se paskemi emëruar ne Drejtorët e Antikontrabandës të lidhur me krimin, fjalë për fjalë atë, që the. Atëherë, të dashur qytetarë shqiptarë, Drejtori i Përgjithshëm i Antikontrabandës është ish- badigardi i zonjës Topalli dhe dhëndër familjar i zonjës Topalli. Tani, më fal, nëse unë mashtroj, Marian Laca ka qenë oficer i sigurisë tënde si Kryetare e Parlamentit deri në vitin 2007. Ka qenë Drejtori i Shërbimit të Policisë Rrugore deri në vitin 2013 dhe është sot përgjegjës për antikontrabandën edhe si demokrat po deshe.
Sali Berisha: Jam këtu për t’i thënë Ramës së nxore fytyrën tënde të persekutorit, nxore këtu genin e Spiro Kolekës. Nxore psikologjinë miserable të urrejtjes që ke ndaj çdo qenie njerëzore, që filloi me urrejtjen që ke ndaj njerëzve më të afërt dhe shtrihet në çdo njeri. Përdore këtu një përdhunues nga ata të aleancës së qelbësirave, i fotografuar me shkrim dhe me gojë në denoncimin që i bëri një i sëmurë me AIDS të cilin kërkonte të përdhunonte mostra që të përfaqësoi ty këtu. Sekretari i përgjithshëm i mafies shqiptare është sekretar i përgjithshëm në kryeministri. Nëse nderohen luftërat për liri dhe ata që luftuan. Ju i hoqët nga protokolli veteranët se do tregonin ato që ju thatë në mbledhjen me dyer të mbyllura.
Ilir Meta: 5 minuta pushim për t’u qetësuar, kjo gjuhë nuk na çon larg.
Sali Berisha-Ramës: Je turp, je turp! Edi Rama: Të ka mbetur mendja te Spiro Koleka e Vito Kapo
Replikat Rama- Berisha-Islami
Edi Rama: Asnjëherë mos e harroni shprehjen “hedh një budalla një gur në lumë dhe 100 të mençur se nxjerrin dot”. Do t’ju lutesha shumë që “budallain” lëreni të hedhë gurët e tij dhe ne të vazhdojmë të çojmë përpara axhendën e punëve tona. Jeni për të ardhur keq, jeni për të ardhur edhe më keq se sa ç’janë për të ardhur keq, ata që nxjerrin akoma fotografinë e Enver Hoxhës. Kur ishte në moshën e kryetarit të Kuvendit, prishte mbledhjet e organizatës, fikte dritat se donte të bëhej sekretar organizate.
Sali Berisha: Dua t’u lexoj një mesazh.
Ilir Meta: Mos është nga ato mesazhe që dërgon Nardi me internet, se pastaj do dali… Kastriot Islami: Këtij i djeg shumë çfarë do them unë. Ky e adhuron enverizmin dhe është enverist i tipit të Mao Ce Dunit. Është komunist pervers. Në ‘91 ka pasur 10 profesorë të diplomuar në Francë dhe nuk keni asnjë në PS.
Edi Rama: Kam vetëm një pyetje për imagjinatën e të gjithëve. Sikur të ngjallej Enveri, kë do mbante mend nga ne të tre? Po të ishte Enveri, tani, këtu, kë do njihte nga ne të tre? Sigurisht që do njihte sekretarin e vet të partisë. Patjetër! Do njihte edhe profesorin e vet, që e bëri edhe kryetar Parlamenti. Mua, Enveri nuk do më njihte. E dyta, mund të qëllojë që të lindësh e të jesh nipi, mbesa, edhe vajza e djali i dikujt. Edhe pse unë jam më shumë sesa krenar, për tim atë dhe jam shumë i lumtur, kur e shoh Saliun që përkulet atje, para Nënës Shqipëri, kur shkon. Dhe, sa për tjetrën pastaj, që Obama fliska me John Kerry dhe pastaj lajmëruaka Kastriotin dhe qoftë edhe ai, Jozeph Daul, apo kë përmendi tjetër, e qakan hallin me Kastriotin, kjo është me siguri, e lidhur me kohën kur i qanit hallet me ato grupet marksiste- leniniste në Francë. Merreni mend se ku ka ardhur kjo punë, ka ngelur partia juaj në dorën e Saliut dhe Kastriotit. Më mirë se kaq, Enveri nuk mund t’jua punonte juve, demokratë.
Sali Berisha: Sa i përket enverizmit trauma më e madhe e tij ka qenë dështimi për t’u bërë dhëndër i Enverit. Pasi nuk u bë dhëndër ky njeri kalonte tek muret e muzeut me një lule në dorë si qyqar i ngratë me fiksimin se do dorëzonte lulen në destinacionin e duhur. Vdekja e Enver Hoxhës e gjeti këtë për spital. Një muzikant i madh, mik i të atit e gjeti në gjendje të mjerë mbushur dhomën me piktura të Enverit. Kontrolluesi kryesor i drogës është djali i Luiza Xhuvanit. Kushërinjtë e tij janë mbjellësit kryesor.
Edi Rama: Sa të keni Saliun me Kaçin, harrojeni, se këtu ku jeni do të jeni. Ka vetëm një arsye pse LSI nuk e integroi socialistin e vërtetë Kastriot. E dini se cila është? E kishte Ramizi, humbi; e kishte Fatosi, humbi; më ngeli mua, humba dhe unë; e keni ju tani, mbajeni dhe aty rrini.
Kastriot Islami: Ky njeri flet integrimi, lufta kundër drogës etj. Kreu i parlamentit ka përsëritur një akuzë për këtë njeri. Shko bëj testin e drogës. Unë i them vetëm një gjë nuk shpëton dot nëse ke pirë njëherë drogë. Ti më je lutur mua o Kaçi o Kaçi, o burr o burr më trego si bëhet sistemi që të heq qafe Ilir Metën dhe ke porositur pastaj që këta te flasin për koalicionin e plehrave dhe kishe parasysh këtu Ilir Metën.
Edi Rama: Etërit shpirtëror janë ata që i zgjedh vet Sali dhe ti e zgjodhe Enverin, Stalinin dhe ti i ndoqe pas. Atë punën e dëshirës për tu bërë dhëndër i Enverit mos e ke nga vetja Sali se unë kam qenë shumë i vogël. Në këtë sallë unë nuk merrem më me ty. Do marrim vendimin që ty do të lëmë të flasësh sa të duash se nuk do harrojnë shqiptarët se kush je ti. Të gjitha këto për të cilat akuzon të tjerët i ke bërë vetë.