Shprehjet e gabuara qe duhen shmangur
- Botuar: 12 vite më parë
- Shkruar nga:
Fraza e duhur në vendin e duhur mund t’ju nderojë. Mendoni gjithnjë se jeni vetëm larg një fjale të duhur nga ajo që dëshironi. Ja disa këshilla si të mos përdorni frazën e gabuar
Bisedë
Fjalët që nuk duhet t’i thoni në lidhje me pamjen e dikujt.
Mos i thoni: “Dukesh i lodhur”. Kjo për arsyen se, duke thënë kështu, ju sugjeroni që ai nuk duket mirë. Në vend të kësaj mund të thoni: “Gjithçka në rregull?”. Duke bërë këtë pyetje, ka më shumë mundësi që t’i jepni një energji pozitive personit në fjalë, sepse ai do të mendojë që pyetja juaj ka karakter mbështetës. Në këtë mënyrë do të mundohet të hedhë pas krahëve lodhjen dhe t’i kthehet gjendjes së tij normale. Mos i thoni: “Sa shumë paske rënë nga pesha!” Kur shpreheni kështu, e bëni personin tjetër të mendojë se dikur nuk është dukur tërheqës në sytë tuaj. Mund të thoni: “Dukesh fantastik”.
Bëni mirë ta lini me kaq, por nëse jeni kurioz të merrni vesh mënyrën sesi është dobësuar, mund ta pyesni: “Cili është sekreti yt?” Mos thoni: “Dukesh mirë për moshën që ke”. Askujt nuk i pëlqen ky koment, për vetë faktin se duke u shprehur kështu ju i lini të nënkuptojë se duket shumë mirë, në krahasim me të moshuarit. Kjo nuk është mënyra e duhur për të komplimentuar dikë, ndaj bëni kujdes. Në vend të frazës së mësipërme mund t’i thoni: “Dukesh mrekullueshëm”. Mos thoni: “S’do ta kisha veshur kurrë këtë”. Mund të tingëllojë sikur veshja e personit tjetër ju duket e shëmtuar dhe e papërshtatshme. Në vend të kësaj mund t’i thoni: “Të shkuakan shumë këto xhinse të ngushta”, ose “S’do të guxoja t’i vishja, sepse nuk kam këmbë kaq të dobëta”.
Fjalët që nuk duhet të thoni në vendin tuaj të punës.
Mos thoni: “Kjo nuk është detyra ime”. Kjo, për faktin se, nëse eprori ju kërkon të bëni diçka, atëherë ajo automatikisht kthehet në punën tuaj. Mund ta shprehni mendimin tuaj duke thënë: “Nuk jam i sigurt nëse ky është prioriteti im për momentin”. Më vonë mund të bëni një bisedë me shefin për kompetencat tuaja. Mos thoni: “Mund të tingëllojë budallallëk, por…” Kurrë mos i përzini idetë tuaja të punës me zhargonin e jetës së përditshme, do të tingëllojnë jo profesionale. Në vend të kësaj shprehni mendimin tuaj në një mënyrë më intriguese, duke i dhënë kështu vlerësimin e duhur. Mos thoni: “Nuk kam kohë të flasim tani”. Është një mënyrë shumë e pasjellshme t’i drejtoheni kështu një personi që ka denjuar të vijë t’ju takojë ose edhe t’ju marrë në telefon. Në vend të kësaj mund të thoni: “Për momentin po mbaroj diçka, mund të flasim pasi ta mbaroj?”. Me mirësjellje shpjegoni përse nuk mund të flisni në çast ose vëreni celularin në sekretarinë telefonike.
Çfarë të mos thoni gjatë një interviste pune.
Mos thoni: “Shefi im ishte i tmerrshëm”. Është një frazë amatore. Intervistuesit tuaj do të fillojnë të mendojnë se çfarë do të thoni ju për ata nëse një ditë do t’ju mërziten. Mundet edhe të rastisë që ta njohin shefin tuaj dhe t’ia përcjellin mesazhin. Mund të thoni: “Jam gati për sfida të reja” ose shprehje të tjera pozitive. Mos thoni: “A mendoni se ju përshtatem?”. Kini parasysh që jeni të intervistuarit dhe jo intervistuesit. Mund të thoni: “Çfarë ju pëlqen nga vendi juaj i punës?”. Përgatisni pyetje që kanë të bëjnë me kompaninë për punëdhënësit e ardhshëm.
Çfarë të mos thoni rreth shtatzënisë dhe bebeve.
Mos pyesni: “Je shtatzënë?”. Po nëse ajo nuk është shtatzënë, por thjesht e shëndoshë, si do të dukeshit në sytë e të tjerëve? Përdorni çdo fjalë tjetër gjatë bisedës, përveç pyetjes “Je shtatzënë?” Kursejini vetes mundin dhe rrezikun e të dukurit keq.
Çfarë të mos i thoni një beqari apo dikujt që sapo është ndarë. Mos thoni: “Ishe shumë i mirë për të qenë me të”. Në këtë mënyrë ju këshilloni se personi që keni përballë ka një shije të keqe në të zgjedhurit e partnerit. Në vend të kësaj mund të thoni: “Ai ose ajo ka humbur shumë që u nda nga ju”. Mos thoni: “Jam e lumtur që e hoqe qafe, kurrë s’më ka pëlqyer”. Personi tjetër do të fillojë t’ju gjykojë për fjalët e shtirura që keni thënë kur ata të dy ishin bashkë. Mund të shprehni keqardhjen tuaj duke thënë: “Me siguri që do të gjesh dikë tjetër akoma më të mirë”. Mos thoni: “Si ka mundësi që një person kaq ideal sa ti të jetë beqar?”. Një deklaratë e tillë mund të tingëllojë si një kompliment i fshehur ose njëlloj sikur ta pyesni: “Çfarë nuk shkon me ty?”. Në vend të kësaj mund të thoni: “Po del me ndonjë për momentin?”. Do të japë të njëjtin efekt.
Çfarë të mos thoni gjatë një zënke më partnerin.
Mos thoni: “Ti gjithmonë bën kështu” ose “Ti kurrë nuk më ke thënë” apo “Ti e ke gabim”. Duke përdorur frazat si gjithmonë, kurrë, gabim, ju e bëni partnerin të ndihet i pashpresë dhe në këtë mënyrë ai do të detyrohet të kalojë në mbrojtje, gjë që do ta përkeqësonte zënkën. Fillojini ankesat tuaja me përemrin vetor “unë”, kështu do t’u jepni fjalëve tuaja një lehtësim dhe përpjesëtim të ngarkesës emocionale, duke e bërë situatën më të butë.
Mos thoni: “Nëse do të më doje me të vërtetë, atëherë do të…” Sa më shumë ta trajtoni partnerin sikur nuk ju kënaq, aq më shumë të pakënaqur do të jeni. Të impononi partnerin të bëjë diçka për ju, është një mënyrë e gabuar për të marrë atë që dëshironi. Më mirë shprehni mërzinë tuaj për një ngjarje konkrete dhe kërkojini ndihmë. Vetëm kështu do të arrini që ta bëni më të thjeshtë një zënkë, që mund të shuhet shumë shpejt ose mund të ndizet duke shkatërruar lidhjen.
“Sa shumë paske rënë nga pesha!” Kur shpreheni kështu e bëni personin tjetër të mendojë se dikur nuk është dukur tërheqës në sytë tuaj. Mund të thoni: “Dukesh fantastik”
“Kjo nuk është detyra ime.” Mos e përdorni këtë frazë, nëse eprori ju kërkon të bëni diçka, atëherë ajo automatikisht kthehet në punën tuaj
“Jam e lumtur që e hoqe qafe, ai kurrë s’më ka pëlqyer.” Duke thënë kështu, do ta bëni personin tjetër t’ju gjykojë për fjalët e shtirura që keni thënë kur ata të dy ishin bashkë