Shpresa Becaj Pse duhej hetuar Sali Berisha

Shpresa Becaj 'Pse duhej hetuar Sali Berisha'
Historia e vjetër e përballjes juridike mes kryeministrit dhe kryetarit të PS-së. Lumi i akuzave nga salla e Kuvendit në nëntor 2009, nuk e bindi as prokurorinë dhe as gjykatën që së paku të niste hetimin për të dhënë së paku një përgjigje: ka fyer e shpifur kryeministri? Një vendim qesharak i prokurorisë dhe shkeljet fëminore të ligjit për të mbrojtur kryeministrin, që e trajtojnë me statusin e gazetarit atëherë ai kur sulmon kundërshtarët e tij politikë. Në të kundërt, e vetme përballë katër kolegëve të saj, kryetarja e Gjykatës së Lartë vendos: Prokuroria e Përgjithshme duhej të hetonte Berishën! Revista JAVA ka siguruar një dosje të plotë me vendimin e Prokurorisë për të pushuar çështjen, ankimimin e Ramës dhe vendimin e Gjykatës së Lartë që e zgjidh këtë histori me parimin: pushteti ka gjithmonë të drejtë, duke e shënuar dhe emrin e zotit Berisha në listën e zyrtarëve që shkasin nëpër vrimat e ligjit me ...procedurë

Një nga dashuri-urretjet më të mëdha, siç e ka dëshmuar shpesh dhe vetë, është raporti i tij më median. Por për një trill dhe kapriçio të fatit, natyrisht dhe me ndihmën e pakursyer të Prokurorisë së Përgjithshme, një nga “hendeqet” më të thellë juridikë që i është dashur të kalojë në karrierën e tij shkumëzuese, e ka kapërcyer i “veshur” me petkun e njeriut të medias. Ky njeri është Sali Berisha. Kryeministër i vendit. I paditur për shpifje dhe fyerje për shkak të detyrës, në rastin e tij, u vu automatikisht në lëvizje sistemi që mbron gazetarët nga akuza të tilla.

Kjo histori që në fillesën e saj bëri bujë pafund, sipas zakonit të hershëm tashmë, u la të harrohej pjesë-pjesë, ndërsa për mbylljen e hendekut juridik, menduan njëherazi edhe Prokuroria e Përgjithshme, edhe Gjykata e Lartë. Të dy këto institucione i garantuan atij pafajësi duke i hequr kostumin e kryeministrit dhe duke i veshur xhinset e një gazetari. Për çfarë tha dhe deklaroi në nëntor 2009, në një seancë gati suereale të Kuvendit të Shqipërisë, në emër dhe në kurriz të kolegut të tij socialist, Edi Rama, edhe Prokuroria e Pergjithshme, edhe Gjykata e Lartë, thanë njëlloj: të mos hetohet. Përveç kryetares së Gjykatës Shpresa Beçaj, që voton kundër: Po! Të hetohet kryeministri!

JAVA ka mundur të sigurojë disa dokumenta të panjohur më parë për duelin legal mes kryeministrit dhe liderit të opozitës. Ato janë kallzimi penal i Edi Ramës ndaj Sali Berishës për veprën e shpifjes dhe fyerjes për shkak të detyrës, vendimi i Prokurorisë së Përgjithshme për mosfillimin e procedimit penal, ankimimin e Ramës në Gjykatë të Lartë për këtë vendim dhe vendimin e Gjykatës së Lartë që mbyll përfundimisht, në fushë lokale, këtë bast juridik mes dy njerëzve të fuqishëm të vendit. Por në këtë të fundit, mjaft interesant është fakti që pesëshja e trupit gjykues, me kryesuese Shpresa Beçaj dhe antarë, gjykatësit Dizdari, Lulo, Bici dhe Fullani ka qenë e ndarë në vendimmarrje. E mbetur në pakicë, vetëm Beçaj, kryetare e Gjykatës së Lartë ka dhënë një vendim surprizë: “...çështja i do dërguar Prokurorisë së Përgjithshme për vazhdimin e hetimeve të mëtejshme”. Çka nuk do të thotë se flitet për fajësi apo pafajësi të zotit Berisha, por të paktën sipas këtij mendimi, kryeministri nuk është hetuar fare dhe Prokuroria e Përgjithshme nuk ka bërë detyrën e saj.
 
Nëntor 2009, Berisha në Kuvend

Në datën 20 nëntor 2009, Partia Socialiste, përkundër bindjes së shumëkujt, përmbysi skeptikët dhe tejkaloi edhe optimistët me organizimin e një mitingu proteste në Tirannë, një nga më të mëdhenjtë e ndodhur ndonjëherë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Dhjetra mijëra qytetarë protestuan për transparencën e votës së asaj vere që i dhanë mandatin e dytë zotit Berisha, ndërkohë që vetë deputetët socialistë ndodheshin prej tre muajsh në bojkot të Kuvendit. Ishte e qartë që në Shqipëri kishte krizë politike. Të gjithë këto faktorë, ngjajnë se kanë ndikuar një një nga shpërthimet më të egra të zotit Berisha në Kuvend. Targeti ishte një, Edi Rama, mtonjësi i pushtetit të tij, por nuk u kursye askush tjetër rreth tij, duke nisur madje që nga familja dhe gjithë miqtë e tij.  Në seancë, Berisha artikuloi një fjalor të tmerrshëm:
“… Zoti Rama, thuaju shqiptarëve cili është ai baba që i mohon djalit kafshatën e gojës?. Zoti Rama, cili është ai burrë i cili ngrihet nga shtrati i së shoqes në kullën e
Myslym Pezës dhe shkon në shtratin e Dashit dhe e detyron gruan e tij të largohet natën e lemeritur? Zoti Rama, më thuaj cili është ai burrë që e rreh si kafshë te Piazza dhe i mbush fytyrën me gjak bashkëshortes në prani të personaliteteve shqiptare dhe kosovare?”

“Tani do t’i them zonjës, (nënës së Edi Ramës), Kam shumë respekt për ty, por do të ishte në nderin tënd dhe të integritetit tënd që t’u tregosh shqiptarëve që e ke mjekuar djalin tënd 10 vjet për skizofreni! Ti, zoti Rama, “… nise aferat me D. G., i cili u vra në një rrethim me policinë. E vranë me antitank ... për hir të së vërtetës, të më falë zonja, po mori për burrë, vrasësin e burrit të parë”.

“Zoti Rama, cilat janë lidhjet e tua me Aldo Baren. Transkriptimet flasin se mes tij dhe Dondollakut, t’i firmos si një bajloz. Unë të jap fjalën që me atë vullnet e me atë përkushtim që jam përballur në vitin 1990-91 me një sistem që duhej shembur, po me atë vullnet të hekurt dhe vendosmëri përballem sot me mafian që ti kryeson”.

...”Cila është arsyeja pse Fideli brilanton flokët dhe nuk të ndahet? Është vetëm intime? Nuk besoj se është vetëm intime, jo ... Sepse nuk ka dashuri të përjetshme ... E ka tjetërkund hallin ai. Unë do jua them shqiptarëve”.
“…ti je një përbindësh... Nga të gjithë politikanët shqiptarë ti je skllav i krimit ... provoje ... vazhdo se do jetë si për ata burrat me klimaks, po ti ke qënë me klimaks tërë jetën, ti ke lindur me klimaks ... Nuk mund të zgjidh unë botën tënde hormonale ...”.
I gjithë ky shfrim surreal, i llojit të përroit psikik, ju transmetua direkt shqiptarëve, në orën e pikut të audiencës nga njeriu që drejton vendin. Pak orë më pas, edhe Rama i përgjigjet nga selia e PS-së. Por çfarë ishte debat verbal në atë mbrëmje, pak ditë më pas, në 22 dhjetor 2009, avokatët e Ramës e shndërrojnë në padi penale për shpifje dhe fyerje për shkak të detyrës ndaj kryeministrit.

“Asgjë e ligë, çdo gjë me ligj”, thuhet zakonisht me ofshamë në këtë vend, por e liga morri një formë dhe një trajtë të çuditshme në sirtaret alkimike të Prokurorisë së Përgjithshme. Për plot 11 muaj, pa bërë asnjë veprim konkret hetimor dhe pa hetuar asgjë, Prokuroria vendos: Nuk hetojmë kryeministrin!
 
Ankimimi, Rama

Arian Salati dhe Agim Hysi, dy avokatët e kryetarit të PS, kundërshtojnë vendimin e prokurorisë për të pushuar çështjen penale: “Prokurori justifikon shprehjet fyese, duke argumentuar se deklarimet janë në kuadër të përmbushjes së detyrave parlamentare, si përfaqësues i popullit, si Kryeministër dhe politikan në kuadër të një situatë të rënduar politike.

Sipas Prokurorit, GJEDNJ e ka bërë të qartë se liria e shprehjes mbron të folurën fyese, duke e bërë këtë një parim bazë në jurisprudencën e saj. Deputeti Sali Berisha, nuk mund të merret në përgjegjësi penale për veprën penale të fyerjes për shkak të detyrës të parashikuar, siç parashikon Kodi Penal, Kushtetuta e Shqipërisë dhe neni 10 i Konventës Evropiane e të Drejtave të Njeriut”. Por, referimi në Gjykatën Evropiane ngjan qesharak sepse sipas palës së dëmtuar: “këto vendime... të GJEDNJ, vijnë në mbrojtje të gazetarëve dhe mediave, në veprimtarinë e tyre … Asnjë prej citimeve të GJEDNJ, nuk merr në mbrojtje ndonjë kryeministër, për shkak se atij i është dhunuar liria e shprehjes dhe e mendimit”. Më pas, akuza e mbrojtjes ndaj akuzës bëhet edhe më e ashpër:
 
Prokurori nuk ka respektuar kërkesat proçedurale që garantojnë një proçes të rregullt ligjor,

Ka shkelur kërkesat për një proçes të rregullt ligjor,

Ka krijuar, përdorur dhe vlerësuar kërkime, rrethana fakti dhe vlerësime, të cilat nuk janë pretenduar ndonjëherë nga kallëzuesi,

Ka dhunuar parimin kushtetues të objektivitetit dhe paanësisë në hetim, duke u shndërruar palë në proçesin penal,

Nuk ka krijuar mundësi të barabarta për palët.

Ka bërë vlerësim të gabuar të rrethanës së faktit, ekzistencës apo jo të figurave të veprës penale, dhe të orientimit drejt fajësisë.

Nuk është bazuar në fakte dhe prova, por në opinione të paidentifikuara, të krijuara prej tij.
 
Dhe sipas mbrojtjes, si një qershi e hidhur mbi tortë, prokurori citon dhe një vendim të Gjykatës së Lartë, i cili në kohën që flitet, as nuk ishte konceptuar, as nuk ishte shkruar dhe as nuk ishte publikuar.
 
Katër gjykatës me Doktorin

Gjykatësit Dizdari, Lulo, Bici e Fullani citojnë vendimin e Prokurorisë për pushimin e çështjes penale, sipas të cilit, “...në shumicën e fjalëve të kryeministrit Sali Berisha, të thëna në sallën e parlamentit apo dhe në konferencën për shtyp, është përdorur një retorikë politike, e cila e analizuar në kuptimin literal të fjalëve nuk i drejtohet direkt kallëzuesit, por aludohet për sjellje dhe persona të vetës së tretë”. Dhe për më tej, citohet edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e cila ka theksuar në mënyrë të vazhdueshme se: “Liria e shprehjes përbën një ndër bazat themelore të shoqërisë, një ndër kushtet bazë për progresin e saj dhe për zhvillimin e çdo njeriu. Kjo gjykatë e ka bërë të qartë që e drejta për lirinë e shprehjes mbron të folurën fyese, duke e bërë këtë një parim bazë në jurisprudencën e saj”.

Në proces, mbrojtja e zotit Berisha pretendoi se në deklaratën e zotit Berisha nuk ka elementë të veprave penale, “...pasi aktiviteti i tij, në asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk fokuson në sferën e interesit të tij individual veprime që synojnë të cënojnë dinjitetin e personalitetit të shtetasit Edi Rama. Fjalët e përdorura nga lideri i maxhorancës janë përdorur në sensin e retorikës politike, e cila po të vihet re me kujdes, nuk i drejtohet direkt kallëzuesit, por aludohet për sjellje dhe persona të vetës së tretë”.

Dhe katërshja e Gjykatësve bindet: ajo firmos se vendimi i Prokurorisë së Përgjithshme për të mos nisur procedimin penal për kryeministrin është vendim i drejtë dhe i bazuar në ligjin material dhe procedural penal.

Në dokumentin e firmosur nga ta, gjykatësit shpjegojnë se ata janë bazuar në Kushtetutë dhe në nenin 10 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të pasqyruara në qëndrimet e GJEDNJ në shumë vendime të saj. Sipas tyre, deklarimet e kryeministrit “...janë në kuadër të përmbushjes së detyrave parlamentare, si përfaqësues i popullit, si kryeministër dhe politikan, janë pjesë e debatit politik, opinione dhe gjykime këto të shprehura brënda të njëjtit kuadër, në kushtet e një situate të rënduar politike të mbushur më ultimatume dhe kur komunikimi me opozitën dhe drejtuesit e saj nuk mund të bëhej në parlament këto dekarime nuk formojnë elementët e veprës penale...”.
 
Vota ndryshe e Beçajt

Surpriza e këtij procesi, në fakt, ka qenë kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj. “...unë, gjyqtarja në pakicë, jam e mendimit se duhej të vendosej shfuqizimi i këtij vendimi dhe dërgimi i çështjes Prokurorisë së Përgjithshme për vazhdimin e hetimeve të mëtejshme”. Çka do të thotë, se sipas saj, prokuroria e Përgjithshme duhej të merrte nën hetim kryeministrin e vendit. “Ishte detyrë e organit të hetimit që të kërkonte sqarime nga të dy palët, kallëzuesi dhe personi ndaj të cilit drejtohet kallëzimi. Nëse konstatonte kontradikta dhe pasaktësi mes tyre, ishte detyrë e tij të hetonte më tej, duke marrë prova me dëshmitarë apo të kërkonte vënien në dispozicion të hetimit të dokumentacioneve dhe akteve të ndryshme shkresore nga institucionet që i kanë në posedim”, shkruan Beçaj, e cila vëren gjithashtu dhe një fakt shumë interesant: në vendimin e mosfillimit nuk gjen pasqyrim dhe nuk analizohet “asnjë veprim hetimor i kryer në kuadër të këtij kallëzimi”.
Dhe për më shumë, gjithë çfarë ka ndodhur, për kryetaren e Gjykatës së Lartë Beçaj: “...në kuadër të barazisë së shtetasve përpara ligjit, barazisë së armëve, mjeteve e mundësive, temperamenteve dhe karaktereve deri ne themelet e traditës, si dhe përvojat e rasteve parlamentare, janë paraparë dhe rastet e kufizimit të fjalës, në rastet ku cënohet nderi dhe dinjiteti i tjetrit, në zbatim të parimit universal se “ku cënohet liria ime, kufizohet e drejta jote”.
 
Ku gaboi Prokuroria

Ka mbajtur në sirtar çështjen për 11 muaj pa kryer asnjë veprim hetimor. Kjo gjë është në kundërshtim me Udhëzimin e Prokurorit të Përgjithshëm “Për regjistrimin e njoftimit të veprës penale dhe të emrit të personit që i atribuohet vepra penale”, ndryshuar me një udhëzim të dytë, thuhet “Në rastet kur me gjendjen e akteve prokurori vlerëson se ekzistojnë rrethana që nuk lejojnë fillimin e procedimit, vendos mosfillimin e procedimit, por jo me vonë se 10 ditë nga mbërritja e kallëzimit apo e referimit të veprës penale.

Gjatë kësaj periudhe mund të bëhet një minimum verifikimesh nëse ka nevojë për një gjë të tillë, në të kundërt vendoset regjistrimi i procedimit”. Por kjo është vetëm ana formale e punës së prokurorisë. Sepse ajo më parë dhe katër gjykatësit e Gjykatës së Lartë më pas, e trajtuan çështjen e kryetarit të PS-së kundër kryeministrit, si një ndeshje e një zyrtari me një gazetar, liria e fjalës së të cilit mbrohet... me ligj. Edhe kur nxjerr lemeri nga goja. Në Shqipëri, edhe nëse do të ishte ky rast, nuk ndodh gjithmonë kështu! Madje është hera e parë, që kryeministri i ikën me procedurë dhe i veshur si gazetar një hetimi penal ndaj atij vetë. Dikur akuzonte kundërshtarët e tij politikë se iknin të veshur si gra, kësaj rradhe, burri i fortë i politikës, i ikën përgjegjësisë penale i veshur si gazetar, profesioni në vend që i ka shkaktuar më shumë se kushdo tjetër andralla.
 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama