Shprese per maturantet jofitues regjistrohen nje ne tre fitues

Shprese per maturantet jofitues, regjistrohen nje ne tre fitues
Shumë studentë të pavendosur për degën Vazhdojnë me ritme të ulëta regjistrimet. Vazhdojnë regjistrimet në universitetet e Tiranës, por ndryshe nga sa pritej, në vetëm dy ditët e para të regjistrimeve shumë pak studentë i janë drejtuar sporteleve të sekretarive. Nga sekretaritë pranë këtyre fakulteteve mësohet se studentët fitues nuk kanë nxituar të regjistrohen. Deri dje rezultojnë të jenë regjistruar rreth 30 % e maturantëve fitues.

Filologjiku

Kjo sipas dekanit të Fakultetit Filologjik të Tiranës, Shezai Rrokaj, ka ardhur për disa arsye të ndryshme që lidhen me vetë studentët. “Së pari, ekziston një numër i lartë i studentëve që kanë vendosur të studiojnë në universitete të huaja, jashtë shtetit. Këta studentë, edhe pse mund të kishin vendosur më parë për të studiuar jashtë, ata përsëri kanë plotësuar formularët për në universitet shqiptare”. I gjithë ky grup maturantësh, sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit do të çregjistrohen automatikisht në rast se nuk regjistrohen.

Ndërkohë që krijon hapësira për maturantët e tjerë që ende nuk rezultojnë fitues. Kjo është një mundësi për të gjithë ata që mendojnë se mund të fitojnë një degë më të mirë, pasi këta janë fitues të disa prej degëve më të preferuara për kandidatët për në universitet. Të shumtë janë edhe ata maturantë të cilët kanë zgjedhur të vazhdojnë studimet e tyre në universitetet private. Edhe në këtë kategori ka një numër të lartë, pasi aplikantë të shumtë nuk mendojnë se do të fitojnë degën e tyre të preferuar dhe vendosin për një universitet privat. Në këtë kategori janë dhe aplikantë që kanë vendosur më parë se ku do t’i vazhdonin studimet dhe janë regjistruar thjesht për të plotësuar formularin paraprak.

Një tjetër faktor që ndikon në numrin e ulët të të regjistruarve është se shumë studentë nuk janë të mirë informuar, sepse mendojnë se mund të fitojnë një degë tjetër me regjistrimet e reja, por kjo gjë mund t’i penalizojë pasi do të dalin nga listat përfundimtare. Gjithashtu kandidatët për universitet po e studiojnë mirë mundësin që mund të kenë për të fituar një degë më të mirë duke parë pikët e fituesit të fundit të këtij viti, por dhe të vitit të kaluar. Kjo gjë në njëfarë mënyre po i lë në dilemë fituesit për atë që do të vazhdojnë për të ardhmen a tyre.

Listat

Gjithsesi kjo nuk është një gjë shqetësuese për z. Rrokaj, pasi duhet parë se koha për regjistrimet është e mjaftueshme dhe mund të behet me një ritëm më të lartë në ditët e ardhshme. Deri në datën 18 shator, ditë kur mbyllet faza e parë e regjistrimeve numri i fituesve mund të shkojë në një masë shumë më të lartë.

Pritet që numri i të regjistruarve këtë vit të jetë dhe më i lartë për shkak të rritjes së kuotave nga ana e qeverisë që do të sjellë një fluks më të madhe se viti i kaluar. Gjithashtu shikohet që ka dhe një interesimi në rritje i të rinjve për t’u arsimuar gjë që është vënë re në dy vitet e fundit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama