Duke e konsideruar Diasporën shqiptare në SHBA si pjesë integrale e kombit shqiptar, si dhe duke vlerësuar sakrificat dhe vendosmërinë e saj në mbështetjen e çështjes kombëtare, ndjehemi të detyruar të shprehim shqetësimin tonë të thellë në lidhje me situatën aktuale politike në Shqipëri. Populli shqiptar ka dëshmuar masivisht se e do lirinë dhe kërkon me ngulm të mbrojë vlerat demokratike, duke i skalitur ato në Kushtetutën e Shqipërisë. Shqipëria ka shënuar përparime në rrugën e saj drejt instalimit të një demokracie funksionale, ka patur rritje të vazhdueshme ekonomike, një monedhë të qëndrueshme si dhe vazhdon të sigurojë standarte në rritje jetese për qytetarët, megjithë zhvillimet e fundit negative në ekonominë dhe financën globale. Shqiptarët kanë përqafuar me bindje të plotë progresin e shpejtuar drejt proceseve integruese në Bashkimin Europian, si dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve historike e strategjike me Shtetet e Bashkuara nëpërmjet forcimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve ekonomike mes dy popujve tanë.
Megjithë këto arritje, nuk mund të injorojmë korrupsionin masiv i cili dobëson institucionet shtetërore, minon demokracinë, ndikon negativisht në shoqëri dhe pengon përparimin e Shqipërisë drejt integrimit Europian.
Incidentet e fundit në Tiranë ishin pa dyshim tragjike dhe legjitimojnë shqetësimin tonë të thellë në lidhje me degradimin e zgjatur të klimës politike midis palëve. Është me rëndësi kritike që të kryhet një hetim i plotë, gjithëpërfshirës, i pavarur dhe profesional i ngjarjeve para, gjatë dhe pas dhunës së 21 janarit. Ky hetim duhet të jetë i paanshëm, nuk duhet të ndikohet nga ndërhyrje politike të asnjë lloji si dhe duhet të vërtetojë rrjedhën e ngjarjeve dhe fajtorët. Ne e përshëndesim ndihmën e specialistëve ndërkombëtarë në zhvillimin e këtij hetimi. Zbardhja e fakteve dhe gjykimi i shpejtë dhe i paanshëm në zbatim të ligjeve ekzistuese të Shqipërisë do të kontribuonte në uljen e tensioneve politike dhe do të krijonte një klimë më të përshtatshme për të rivendosur besimin e qytetarëve tek institucionet. Udhëheqësit politikë duhet të respektojnë dhe të promovojnë mbarëvajtjen e institucioneve të pavarura të krijuara në bazë të kushtetutës. Të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht pozicionit shoqëror, bindjeve apo pozitave politike duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë përpara ligjit.
Qytetarët shqiptarë u kanë besuar mandatin përfaqësuesve të tyre politikë, për të siguruar mbarëvajtjen e sistemit politik dhe përparimin e kombit shqiptar. Udhëheqësit politikë shqiptarë duhet të ndërgjegjësohen se zgjidhja e çështjeve të tyre të brendshme apo e mosmarrëveshjeve ndërpartiake është mbi të gjitha përgjegjësi e aktorëve të brendshëm dhe jo e faktorit ndërkombëtar. Të gjithë shqiptarët dëshirojnë që përfaqësuesit e tyre të zgjedhur të marrin përgjegjësitë e tyre për mbarëvajtjen e Shqipërisë dhe t’u demonstrojnë qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare që janë partnerë të besueshëm. Udhëheqësit politikë duhet gjithashtu të ulin tonet e retorikës politike dhe të ndërpresin akuzat publike të paprovuara duke rikthyer qytetarinë në dialogun politik. Më tej, ata duhet t’u sigurojnë shqiptarëve se e kanë prioritet zhvillimin e vendit në përputhje me aspiratat thelbësore të popullit shqiptar.
Për sa i përket zgjedhjeve të ardhshme vendore të 8 majit, është thelbësore që qytetarët shqiptarë të marrin parasysh spektrin e plotë të zhvillimeve gjeopolitike rajonale. Është e një rëndësie parësore që populli shqiptar dhe udhëheqësit e tij të zgjedhur të vazhdojnë të hedhin hapa përpara për të mbrojtur dhe ruajtur aspiratat e të gjithë shqiptarëve, të forcojnë procesin demokratik, si dhe të zhvillojnë zgjedhje të hapura, transparente dhe të lira të cilat të lejojnë përfshirjen e të gjitha grupeve brenda spektrit politik. Në vazhdimësi, palët politike duhet të respektojnë procesin zgjedhor dhe të angazhohen në një debat të civilizuar e konstruktiv, i cili do të evidentonte idetë e palëve mbi të ardhmen e kombit shqiptar dhe rolin e shqiptarëve në rajon dhe në Bashkimin Europian.
Të gjitha palët duhet të bëjnë të mundur që këto zgjedhje të zhvillohen me standartet më të larta në mënyrë që të fillojë rivendosja e besimit të publikut tek procesi demokratik.
Është në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë që partitë politike të rifillojnë menjëherë një dialog politik aktiv dhe konstruktiv, si dhe të rifokusohen drejt përparimit të Shqipërisë. Përqëndrimi tek mosmarrëveshjet për çështje të kaluara në dëm të zgjidhjeve për ardhmërinë e vendit nuk është produktiv. Sado e rëndësishme qoftë lufta politike për udhëheqësit partiakë, nuk mund të ketë asgjë më të rëndësishme se sa interesi kombëtar. Për këtë arsye, ne u bëjmë thirrje udhëheqësve politikë të reflektojnë, të rikalibrojnë qëndrimin e tyre dhe t’i shërbejnë interesit të qytetarëve. Kjo thirrje rezonon dëshirat e qytetarëve shqiptarë, bashkësisë ndërkombëtare dhe Diasporës shqiptaro-amerikane.
Albanian American Association Ana e Malit
Albanian American Chamber of Commerce
Albanian American Community Association
Albanian American Community Center Hasan Prishtina CT
Albanian American Cultural Foundation
Albanian American Islamic Center of Queens
Albanian American Society "Mother Teresa"
Albanian American Society Foundation
Albanian American Women's Org. For Hope & Peace
Albanian Childrens Fund
Albanian Cultural Center
Albanian Yellow Pages
APEN – Albanian American Professionals & Entrepreneurs Network
Bashkimi Kombetar
Democratic League of Dardania
Fondacioni Dom Simon Filipaj
Fondi Humanitare Malesia
Forumi Shqiptaro Amerikan per Demokraci
Illyrian Partnership
Jetim Jam
Levizja Atdheu na Bashkon
Lidhja e Intelektualve Shqiptaro-Amerikan Michigan
Lukaj Foundation
Massachusetts Albanian American Society "Besa"
Mother Teresa Civic Center Inc.
National Albanian American Council
Plave Guci Foundation
Shestani Group
Shoqata Atdhetare "KRAJA"
Shoqata Dede Gjo' Luli Association
Shoqata e Atlantikut
Shoqata e Jetimit Shqiptaro Amerikane
Shoqata Humanitare Shqiptare Amerikane Philadelphia
Shoqata Kosova
Shoqata Kulturore "Nene Tereza" Waterbury CT
Shoqata Malesia e Madhe - Michigan
The Albanians.com
The Martin and Mirash Ivanaj Foundation
The Society Of Albanian-American Writers
Ulqin-Kraj-Ana e Malit - Chicago
United Albanians