Qeveria shqiptare nis negociatat me shtetin gjerman për njohjen e pensioneve për rreth 20 mijë emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë atje. Kërkesa është parashtruar nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, i cili po zhvillon një vizitë dy ditore në Berlin.
Në takimin me homologen e tij, ministren e Punës dhe Çështjeve Sociale, Andrea Nahles, biseda u fokusua tek njohja e pensioneve të emigrantëve shqiptarë në Gjermani, nënshkrimi i një marrëveshjeje të re në fushën e punësimit, si dhe shkëmbimi i eksperiencës dhe ndihmës teknike gjermane në fushën e arsimit profesional, punësimit dhe shërbimeve sociale.
Ministri Veliaj vuri në dukje se nënshkrimi i marrëveshjeve me vendet anëtare të Bashkimit Evropian për njohjen e pensioneve të emigrantëve shqiptarë është një nga përparësitë e MMSR-së dhe i kërkoi Nahles hapjen e procesit të negocimit të një marrëveshjeje të tillë edhe me Gjermaninë.
Nga ana e saj, ministrja Nahles mirëpriti kërkesën e ministrit Veliaj dhe shprehu mbështetjen e saj maksimale për ngritjen e një grupi pune në nivel teknik për njohjen e pensioneve të emigrantëve shqiptarë dhe anasjelltas.
Ajo shtoi se është një mbështetëse e fortë për eksplorimin e të gjitha fushave të bashkëpunimit me vendet aplikante në Bashkimin Evropian, duke theksuar punësimin në fushën e infermierisë dhe ndihmën që mund të japë Gjermania për zhvillimin e arsimit profesional në Shqipëri.
“Sapo nisëm procesin e negociatave për njohjen e pensioneve të emigrantëve shqiptarë në Gjermani. Jam i lumtur për këtë hap të rëndësishëm që hodhëm sot, nga i cili do të përfitojnë rreth 20 mijë shqiptarë”, tha Veliaj pas takimit me homologen gjermane. Sipas tij, me Gjermaninë po negociohet edhe mbi punësimin e shqiptarëve në fushën e infermierisë dhe shërbimet sociale.
Në ditën e dytë të vizitës së tij, Veliaj do të nënshkruajë në Hamburg një marrëveshje në fushën e arsimit profesional, duke qenë se Shqipëria është publikisht e angazhuar në ndjekjen e modelit gjerman në këtë fushë dhe qeveria shqiptare e vlerëson si të rëndësishme ngritjen e këtij bashkëpunimi në nivelet e një partneriteti strategjik.
Sigurimi i mbrojtjes shoqërore për emigrantët shqiptarë dhe transferimi i kontributeve të tyre të fituara në Shqipëri dhe anasjelltas përbën prioritet për qeverinë shqiptare.