Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, ka marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, për zhvillimin sa më normal të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet ekipeve përfaqësuese femra të Shqipërisë dhe Rumanisë, e cila do të zhvillohet më datë 02.06.2016, në orën 17:00 në Stadiumin "Elbasan Arena". Ja cilat janë masat e plota për rendin dhe sigurinë në ditën e ndeshjes:
Në orën 15:00 të datës 02.06.2016:
Nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth dhe përballë stadiumit.
Në Bulevardin "Kamber Sejdini", nuk do të lejohet lëvizja dhe parkimi i mjeteve.
Nuk do të lejohet parkimi dhe qarkullimi i mjeteve në segmentin rrugor nga "Kryqëzimi i rrugës së tapeteve" deri tek "Ish-Konservimi".
Hyrja e sportdashësve do të fillojë në orën 15:00, me qëllim shmangien e radhëve të gjata në hyrje për në Stadium.
Lidhur me ndeshjen do të angazhohen 200 punonjës policie, nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan dhe nga FNSH-ja.
Nuk do te lejohet marrja e fëmijëve të mitur pa u pajisur me biletë.
Të gjithë sportdashësit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, të jenë të pajisur me biletë dhe me kartë identiteti dhe të mos kenë me vete:
- a) sende të forta,
- b) shishe (të çfarëdolloji)
- c) fishekzjarrë
- d) monedha apo metale (të çfarëdolloji)
- e) çelësa të ndryshëm
Në të kundërt NUK do të lejohen të futen në stadium.
Në hyrje të stadiumit do të kontrollohen të gjithë sportdashësit.
Të gjitha lokalet që ndodhen përreth Stadiumit, nga ora 15:00, deri në përfundim të ndeshjes, të marrin masa të jenë të mbyllura.
Drejtoria e Policisë Elbasan i kërkon qytetarëve që të minimizojnë më datë 2 qershor lëvizjen e tyre me automjet brenda qytetit të Elbasanit, ç'ka do të sillte një ndihmesë të madhe në zhvillimin sa më normal të këtij aktiviteti.