Njëri përpara TV-së dhe tjetri në stadium. Ish-Kryeministri dhe Kryeministri i Shqipërisë kanë pasur një ndeshje më vete përtej asaj që zhvillohej në fushë ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë, historike për kuqezinjtë që merrnin pjesë për herë të parë në një kompeticion madhor.
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në tribunë gjatë takimit të djeshëm dhe e ka ndjekur atë në krah me presidentin e FSHF-së, Armand Duka.
Ndërsa, ish-kryeministri Sali Berisha nuk e ka lënë këtë rast që t'i shpëtojë. Në një status të tij në "Facebook" në fund të ndeshjes, Berisha shkruan: "Loja e kuqezinjve dinjitoze. E grabitën ndeshjen me ndihmën e arbitrit.
Prania e Edi Dramës në stadium duhet të ndalohet deri në fund të kampionatit. Është ters, antifat! Berisha deri tani superportier! Shpresat janë reale!sb", shkruante ish-kryeministri në statusin e tij.
Ndërsa, Kryeministri Rama në një prononcim për mikrofonin e "Super Sport", pas takimit të djeshëm, u shpreh: "Ishte nga ato rastet kur thua gjynah, sepse nuk mund të dilte pa një pikë Shqipëria në këtë ndeshje të jashtëzakonshme. Futbolli ky është, në fund ka rëndësi çfarë mbetet.
Çunat meritojnë respekt sepse me 10 veta bënë një ndeshje fantastike nga shpirti dhe mundësia për të përballuar një ekip si Zvicra. Është e jashtëzakonshme të jesh në Europian.
Nuk duhet humbur besimi çfarëdo që të bëjnë ata janë heronjtë tanë. Nuk duhet t'i lëshojmë për asnjë moment kur e sheh nga jashtë është e kollajshme të humbës ato raste të dalësh me karton të kuq apo që arbitri të mos japë 11-metërsh", deklaroi Rama.