Fation Shehu
11 qershor, ora 15:00. Në Lens të Francës, tifozët e Shqipërisë humbën "virgjërinë" e emocioneve për një ndeshje të kampionatit europian.
Për herë të parë, me lot dhe zë që dridhej, u këndua himni në arenën elitare të futbollit kontinental. "Ti Shqipëri më jep nder". Mes më të mirëve, para 25 mijë tifozëve kuqezi në stadium dhe miliona syve që e ndiqnin nga ekrani. Datë e bërë tatuazh në kujtesën e çdo dëshmitari.
Me shpresë, e ardhmja mund të rezervojë edhe shumë pjesëmarrje të tjera, mbase më të gjata, më të bukura, por ajo që na dhuruan djemtë e Xhani De Biazit ishte speciale. Ishte e para për një popull të përvuajtur nga mungesa e emocioneve të suksesit.
Atje, në arenën e "gjigantëve", ia dolëm. Ia dolëm të tregojmë se ne jemi të denjë. Jemi të varfër, por të pasur. Jemi të vegjël, por të mëdhenj. Jemi të paktë, por të shumtë. Jemi të vuajtur, por të bukur.
Në Francën e frikësuar nga terrorizmi, krenarisht shqiptarët dhuruan bukuri. Fizike, emocionale, koreografike, kulturore. Ishte medalja që na duhej ndërkombëtarisht. Medalja që mposhti paragjykimet. Medalja që futbolli dhuron më tepër përulësi. Pasi është sporti që luhet për ta, për tifozët...
Por, medaljen shqiptarët e dhuruan për.. shqiptarët. Futbollistët e Kombëtares bënë të "dridhen" gjigantët e Francës, patën "luksin" e shpërdorimit ndaj Zvicrës dhe të mposhtin rumunët. Mund të kishte më mirë, por pa diskutim që mund të kishte edhe më keq.
Jemi debutues që eliminohemi me tri pikë, po aq sa shumë skuadra të tjera që u kualifikuan. Pengjet e shpërdorimit të Gashit, golit të dytë të Pajesë, apo mundësisë për një tjetër gol me Rumaninë zhvleftësohen para emocioneve të forta që përjetuan edhe me ndeshjet pasardhëse, duke bërë tifo për "llogaritë" në letër.
Dhe këtë mundësi na e dhuruan pikërisht ata, të përzgjedhurit e De Biazit. Na bënë të ndihemi të kualifikuar, me "biletën" e eliminimit në dorë.
Na bënë të shijojmë në maksimum "aktin" tonë të parë në Europian. Na bënë të skuqemi nga "lumi" i fjalëve të mira që ikona të futbollit botëror thanë për ne. Na bënë t'i falënderojmë për shpirtin e treguar në fushë. Për pasqyrën e karakterit të fortë të shqiptarit që lufton, nuk dorëzohet, nuk e ul kurrë kokën dhe beson deri në fund.
Dhe, për këtë, medaljen që bota ua dha tifozëve kuqezi, ata e "hoqën" nga qafa dhe ua dhuruan me zemër heronjve të tyre. Arsyes së një vere të bukur dhe të paharrueshme: futbollistëve...
Por, medalja ndryshoi sërish "qafë". Heronjtë e fushës së lojës ia dhuruan prijësit të tyre. Njeriut që i zgjodhi kudo që ishin, që i ftoi, u besoi.
Atij që formoi një "ushtri" zemërluanësh, që nuk u menduan dy herë për të veshur parzmoren kuqezi. Atij që u bë xhani i shqiptarëve: Xhani De Biazit. Arkitekti i një ekipi që funksionoi si makineri, që u dha leksion "titanëve" të kontinentit, që formoi me duart e tij një "krijesë" krenarie.
Një "krijesë" e ngritur në pluhurat e një rrëmuje të lënë nga e shkuara. Një e shkuar e mbushur me shumë talent dhe pak sukses, me shumë fjalë dhe pak vepra. Xhani De Biazi është pa diskutim i pari që duhet falënderuar për gjithçka që na dhuroi. Pasi shijuam "krijesën" e tij, së cilës i dhuruam një shtëpi të ngrohtë për t'u rritur dhe e veshëm me një bluzë që mbart një ndjenjë të fortë.
Pas 12 ditësh të paharrueshme, në orën 20:00 të 22 qershorit 2016, kuqezinjtë i dhanë zyrtarisht fund aventurës në Europian. Sot, rikthehen më të bukur se kurrë. Me kokën lart. Me xhanin e shqiptarëve, Xhani De Biazin, që mban medaljen e madhe të meritës.
Dhe tashmë, presidenti i FSHF-së, që për hir të vërtetës ka më shumë merita sesa thjesht të mbajë të njëjtin emër me autorin e golit të vetëm kuqezi në Europian, ka një tjetër "mision" të vështirë: Të mbajë sa më gjatë Xhanin...