Tregu i lojërave të fatit në Shqipëri po njeh një zhvillim të madh të paktën gjatë këtyre dy-tre viteve të fundit. Nëpërmjet krahasimit të statistikave zyrtare të numrit të pikave të hapura, taksave që paguajnë, makinave në përdorim, etj., si edhe reportazheve të ndryshme, ne kemi ndjekur ecurinë e këtij tregu gjatë dy viteve të fundit duke qenë në brendësi të asaj ç’ka është duke ndodhur. Të dhënat tregojnë se zhvillimi i tyre përkon pikërisht me periudhën kur familjet po përballen çdo muaj e më tepër me ulje të të ardhurave, rrjedhimisht edhe shkurtim të shpenzimeve duke prekur herë pas here edhe shpenzimet për ushqim, veshje, ilaçe apo shkollim.
Për të treguar një panoramë të ecurisë së kumarit në vendin tonë, gazeta ka siguruar listën e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në fushën e lojërave të fatit, adresat e tyre, bilancet, pagesat mujore, numrin e makinave elektronike dhe ruletave për vitin 2011. Nga krahasimi i tyre me të dhënat e vitit të mëparshëm, del qartë se ky treg po lulëzon, ndryshe nga bizneset e tjera, të cilat po përballen me tkurrje të aktivitetit për shkak të konsumit të ulët. Kjo gjë pasqyrohet tek rritja e sallave dhe makinave, por sidomos tek rritja e detyrimeve mujore që paguajnë kompanitë në shtet.
Në Shqipëri funksionojnë disa lloje të ndryshme të lojërave të fatit si garat me qen, garat me kuaj, kazinotë, bastet sportive si edhe bingot. Këto tre të fundit përbëjnë pjesën dërrmuese të tregut të lojërave të fatit në Shqipëri, rrjedhimisht kanë edhe qarkullimin më të madh të parave.
Në fund të vitit 2010 bizneset e lojërave të fatit kishin 166 salla të deklaruara pranë Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, ndërkohë që në fund të vitit 2011 numri i tyre është rritur edhe me tetë të tjera duke arritur në 174 salla. Gjatë kësaj periudhe ka pasur hapje dhe mbyllje sallash, por bilanci vjetor ka mbetur në plus 8. Sallat kanë një numër të konsiderueshëm makinash elektronike, i cili fillon nga 10, pasi është numri minimal për të marrë licencën, duke vijuar në 40, 50 apo edhe deri në 80 makina për secilën. Salla të ndryshme ndërkohë, kanë edhe ruleta elektronike. Sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të dhjetorit 2011, në të gjithë territorin e vendit funksionojnë rreth 2 200 makina elektronike. Sallat e kazinove zakonisht hapen nga kompani të caktuara, të cilat kanë në pronësi një apo më shumë të tilla.
Tregu i kufizuar në pak “duar”
Në total, deri në fund të 2011 numërohen 38 kompani, të cilat janë të regjistruara si biznese që aktivitet kanë kazinotë. 22 prej tyre janë aktive dhe derdhin rregullisht taksat në shtet, ndërsa pjesa tjetër kanë status pasiv duke u hapur apo mbyllur në periudha të caktuara. Këto janë kryesisht kompani të vogla, me një numër shumë të kufizuar pikash, një apo dy të tilla, ndërsa tregun e dominojnë plotësisht jo më shumë se 5 apo 6 kompani.
Për sa i përket basteve sportive ose sallat/ pikat e vendosjes së skedinave, janë plot 23 kompani që ushtrojnë aktivitet në këtë fushë. Ashtu si kazinotë, edhe këtu, 7 kompani ushtrojnë aktivitet, ndërsa pjesa tjetër janë pasive. Por ndryshe nga tregu i kazinove, kompanitë që ushtrojnë aktivitet në fushën e skedinave kanë një madhësi të përafërt me njëra-tjetrën duke zënë në mënyrë të përjetuar edhe tregun. Kompanitë e basteve sportive numërojnë më shumë se 1 830 pika në të gjithë territorin e vendit me një rritje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë. Këto janë shifrat që ndodhet në regjistrat e NJMLF-së, ndërkohë që pika të caktuara funksionojnë edhe në të zezë duke iu shmangur detyrimeve, rrjedhimisht nuk janë edhe të regjistruara.
Po ashtu ligji njeh edhe bastet për gara në piste, kazinotë tradicionale, aktualisht ka vetëm një licencë të tillë në Shqipëri, kazino elektronike, lotari kombëtare, bingo tradicionale në salla si dhe bingo televizive.
Kompanitë paguan 25 % më shumë taksa në 2011
Më shumë se me rritjen e numrit të sallave të kazinove apo pikave të basteve sportive, zgjerimi i tregut të lojërave të fatit në Shqipëri pasqyrohet nga detyrimet që kompanitë derdhin çdo muaj në arkën e shtetit. Nga një verifikim i tabelave të pagesave, vërehet një rritje me të paktën 25 për qind e detyrimeve mesatare të derdhura në arkën e shtetit gjatë një muaji të vitit 2011 në raport me një muaj gjatë vitit 2010. Më konkretisht, në mars 2010 vetëm kompanitë e kazinove (përjashto bastet sportive dhe bingot) kanë derdhur në arkën e shtetit rreth 205 milionë lekë, ndërsa po në mars 2011, shifra e paguar është plot 260 milionë lekë. Këto janë pagesat mujore fikse, që duhet të paguajë një kazino, për një makinë, ruletë apo për sallën duke përjashtuar tatimin mbi fitimin dhe detyrimet e tjera. Rritja e pagesave ka ardhur për shkak të rritjes së numrit të makinave, sallave apo ruletave të vëna në përdorim. Në total, referuar të dhënave të Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, kompanitë e lojërave kanë paguar gjatë vitit të shkuar plot 50 milionë dollarë detyrime.
Rritja është disi më e vogël tek bastet sportive, nisur edhe nga specifikat e këtij aktiviteti, i cili në Shqipëri është i lidhur ngushtë me ndeshjet e futbollit. Kompanitë kanë paguar mesatarisht nga 140 milionë lekë në muaj gjatë vitit 2010, ndërsa në 2011 mesatarja ka rritur në 143 milionë lekë.
Por si dhe për çfarë paguajnë kompanitë e lojërave të fatit?
Në vend të parë për nga sasia e detyrimeve që paguajnë, janë kazinotë, të cilat vetëm për një muaj derdhin në buxhet rreth 260 milionë lekë taksa dhe detyrime të tjera që rrjedhin nga ushtrimi i aktivitetit. Detyrimet janë mujore dhe fikse për çdo sallë në rastet e basteve sportive, për çdo makinë apo për çdo ulëse në rastin e ruletave, por edhe variabile në varësi të xhiros së kryer.
Për kazinotë përshembull, kompania paguan një taksë fikse nga 100 mijë deri 400 mijë lekë për çdo sallë të hapur, si edhe një pagesë tjetër fikse mbi çdo makinë, kjo në varësi të rrethit ku është hapur salla. Nëse makina është me më shumë se një pozicion, organizatori paguan 1 milionë lekë për të plus 300 000 lekë për çdo pozicion.
Vjelja e detyrimeve për lojërat e fatit bëhet sipas vendit ku ushtrohet aktiviteti. Rrethet janë ndarë në tre kategori. Në rrethe të kategorisë së parë, siç janë Tirana, Elbasani, Durrësi, Fieri, etj., paguhet më shumë krahasuar me rrethet e kategorisë së dytë apo të tretë.
Ashtu si kazinotë, edhe për bastet sportive, llogaritja e detyrimeve bazohet mbi rrethin ku ushtrohet aktiviteti si dhe mbi numrin e pikave të hapura. Kompanitë që ushtrojnë aktivitet në këtë fushë duhet të paguajnë 25 për qind të fitimit në formë tatimi, por shuma nuk mund të jetë më e vogël se 10 milionë lekë për ato që kanë më pak se 99 pika, më pak se 12 milionë lekë për ato që kanë deri 149 pika dhe jo pak se 14 milionë lekë për ato që kanë më shumë se 150 pika.
Taksat për NJMLF-në
Shoqëritë e miratuara dhe të licencuara në fushën e lojërave të fatit derdhin në llogarinë e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit 0,5 për qind të xhiros vjetore, por jo më pak se:
a) 2 000 000 (dy milionë) lekë në vit për shoqëritë e licencuara për kazino dhe lotari kombëtare;
b) 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë në vit për shoqëritë që organizojnë kazino elektronike;
c) 1 000 000 (një milion) lekë në vit për shoqëritë që organizojnë baste sportive dhe baste për gara në pistë;
ç) 300 000 (treqind mijë) lekë në vit për shoqëritë që organizojnë bingo tradicionale e televizive.
Bastet sportive
Taksë fikse
Përveç pagesave të shoqërisë, për çdo pikë basti, duhet të kryhen pagesat në tarifa fikse mujore:
a) për rrethet e kategorisë së parë, 40 000 lekë
b) për rrethet e kategorisë së dytë, 30 000 lekë
c) për rrethet e kategorisë së tretë, 20 000 lekë
Tatim i ndryshueshëm
Organizatori i basteve sportive paguan tatim për lojërat e fatit 25 për qind mbi fitimin
nga loja , por jo më pak se:
a) për 1 deri në 99 pika të hapura, 10 milionë lekë në muaj
b) për 100 deri në 149 pika të hapura, 12 milionë lekë në muaj
c) mbi 150 pika të hapura, 14 milionë lekë në muaj
Kazinotë elektronike
Taksë fikse
Për çdo makinë elektronike me më shumë se një pozicion (ruletë) organizatori paguan një kuotë fikse mujore prej 100 mijë lekësh dhe 300 mijë lekësh në muaj për çdo pozicion
Tatim i ndryshueshëm
Organizatori i lojërave për kazino elektronike paguan tatim mujor mbi lojërat e fatit 4 për qind mbi vëllimin e qarkullimit të realizuar në bazë të arkëtimeve, për por jo më pak se:
a) për rrethet e kategorisë së parë, 400 mijë lekë për çdo sallë dhe 100 mijë për çdo makinë elektronike të tipit slot e videolotari;
b) për rrethet e kategorisë së dytë, 200 mijë lekë për çdo sallë dhe 60 mijë lekë për çdo makinë elektronike të tipit slot e videolotari;
c) për rrethet e kategorisë së tretë, 100 mijë lekë për çdo sallë dhe 40 mijë lekë për çdo makinë elektronike të tipit slot e videolotari;