Qeveria e Shqipërisë i ka dhuruar me një vendim të Këshillit të Ministrave 22 milionë fishekë Irakut në kuadër të luftës kundër terrorizmit. Vendimi është marrë më 15 gusht të këtij viti por është publikuar ditën e djeshme në fletoren zyrtare. Ndërkohë që në po të njëjtin vendim Shqipëria i dhuron 10 mijë automatikë 7.62 mm, model 56, Policisë Kombëtare Afgane në kuadër të përpjekjeve të koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit.
Përveç 22 milionë fishekëve model 7.62 mm, në Irak do të dërgohen edhe 15 mijë granata dore mbrojtëse, 15 mijë predha mortaje 60 mm, 12 mijë predha mortaje 82 mm; 5 mijë predha mortaje 120 mm dhe 20 mijë shtimje 40 mm GHLKT, model 1969. Vendimi që ka hyrë në fuqi do të zbatohet nga Ministria shqiptare e Mbrojtjes.