BESNIK DIZDARI
Në të vërtetë, Shqipëria e futbollit të Kombëtares ka disa vite që ecën në rrugën europiane. Të dielën në mbrëmje ajo mori, si të thuash, pranimin legjitim në "Bashkimin Europian të Futbollit".
Fitorja e çmuar me Rumaninë ishte si "diploma" e praruar e këtij pranimi. E megjithatë, zoti nuk m'i merr mendtë sa të përfshihem në euforinë ndezëse të këtushme sikur të kishim fituar Kampionatin e Botës.
Dhe "me akull të krésë", siç thotë Fishta, po kërkoj ta kuptoj më mirë këtë arritje të bukur dhe të rrallë të Kombëtares së Shqipërisë.
Dhe t'i bashkoj përmbajtjet e tri ndeshjeve europiane të saj përmes kuptimit apo nënkuptimit të këtyre rreshtave: Shqipëria vërtetoi se nuk ka ardhur këtu thjesht falë një trepikëshi të servirur mbi një "tabake ari" mbi tryezë, porse ka formuar një Kombëtare të mirë të stilit europian.
Shqipëria vërtetoi kështu se, pavarësisht nga 5 humbjet radhazi në 10 muaj, përballë skuadrave më të forta se ajo (Serbia 0-2, Austria 1-2, Ukraina 1-3, Zvicra 0-1, Franca 0-2) në ditët franceze ka qenë në mos e barabartë, tejet europiane pra.
E them këtë për të mos përdorur përcaktimin "dinjitoze" tejet të konsumuar që dikur na e pat marrë frymën tash e parë në krejt varfërinë e humbjeve dhe eliminimeve që nuk na ndaheshin.
Deri aty saqë shpesh i quajmë të sukseseve edhe trajnerë të pafajshëm të saj të bilanceve tejet të varfër në kualifikimet eurobotërore: Konçi, Birçe, Bajko, Hafizi vetëm nga 2 fitore; Boriçi, Rreli, Zhega, Shuke vetëm nga 1 fitore; Alla, Sulaj e Demollari asnjë! Nuk kishin aq faj, pra.
Sepse regjimi i asokohe, sidomos për ata të para viteve '90, nuk iu lejonte assesi ta shndërronin Kombëtaren në një Shqipëri Europiane. E kësisoj ne mbeteshim te përcaktimi "dinjitoze", ndonëse ndonjë prej atyre ndeshjeve madje, mund të ketë qenë edhe sensacionale deri aty sa për kah buja tronditëse t'ia kalonte edhe fitores së sotme 1-0 me Rumaninë.
Dhe historia e bukur që rrëmbehet prej trajnerit italian të Shqipërisë së sotme me emrin Gianni De Biasi - i vetmi trajner i Kombëtares në kualifikimet euro-botërore, i cili bëhet "pronar" i një shifre, për ne, përtej historisë: 8 fitore! Ndërkaq, Shqipëria, edhe pse ka humbur dy herë me zviceranët dhe francezët, shpesh në ecurinë 90- minutëshe të skenave të paharrueshme të saj të Lensit, Marsejës dhe Lyonit, ia ka arritur t'i trondisë ata, dhe t'ua vërë në pikëpyetje fitoret.
Njëra prej të cilave madje e përcaktuar në kufirin e fundit të lojës. Kur e mëparshmja ishte një qëndresë gati heroike për rreth 60 minuta me një lojtar më pak.
E, mandej ndeshja me Rumaninë, e filluar jo mirë, por hap mbas hapi e zotëruar në të gjitha kahet. Siguri në mbrojtje, kalim në sulm, që ndoshta për herë të parë nuk ishte kundërsulm, por i një gradualiteti që rrallë e kemi pa.
Çka, siç e kam thënë me kohë, mendoj se vjen falë asaj që e kam quajtur "catenaccio all' italiano", të cilit me Shqipërinë, trajneri De Biasi dhe ndihmësi i tij Tramezzani i kanë dhënë kohezion apo një modernitet që nuk e bën të mbetet klasik, ashtu siç e ka përdorur dikur Italia e tyre.
Një kombinim, do të thosha, i një teknike të pasimeve vertikalë, po çuditërisht po aq dhe horizontalë. E gjitha kjo në varësi të situatave, përmes një shkrirjeje të një 11-shi që, për herë të parë pra, pa kapitenin tonë të famshëm me emrin Lorik Cana të 93 ndeshjeve - e ai assesi nuk duhet ta braktisë Kombëtaren pa arritur 100 - tregoi se mund ta hapë ciklin e përtërirë taktik të saj. Dhe fitore 1-0 me Rumaninë!
Çka për mua, si historian i kësaj fushe (e këtë e them thjesht për të kuptuar më mirë kompozicionin e këtij shkrimi) mbi të gjitha është e këtillë për një ecuri dramatike po historike me Kombëtaren e këtij shteti tjetër ballkanik.
Atij shteti, i cili në 15 ndeshje na kishte mundur plot 11 herë duke përmbledhur shifrën e pamëshirshme të plot 40 golave të shënuar në portat "e buta" shqiptare.
E quaj historike, jo thjesht se është fitorja e parë shqiptare në ndeshje fundore të Kupës së Europës (kampionati europian) dhe as sepse lë hapur deri të mërkurën në mbrëmje mundësinë e kalimit në 16-shen europiane, por sepse kjo fitore për ne është sa përkujtuese po aq disi dhe epike, kur kujton se për të është pritur plot 68 vjet!
Por për më shumë se kaq, fitorja me Rumaninë është historike sepse fitoret e pakta me këtë skuadër që për dekada triumfon ndaj nesh, është e lidhur edhe me këto ngjarje gjithashtu krejt historike: Më 13 tetor 1946, Shqipëria fiton 1- 0 në Tiranë me Rumaninë falë golit të Qamil Telitit dhe shpallet Kampione e Ballkanit.
Më 2 maj 1948, Shqipëria fiton 1-0 në Bukuresht me Rumaninë falë golit të Pal Mirashit dhe renditet e dyta në kampionatin e ndërprerë Ballkanik dhe të Europës Qendrore, duke lënë mbrapa Rumaninë, Jugosllavinë, Poloninë, Bullgarinë dhe Çekosllovakinë dhe duke pas mbi vete vetëm Hungarinë legjendare të Ferenc Puishkashit që sapo lindte.
Kemi pritur kështu shtatë dekada për të fituar një ndeshje me Rumaninë dhe për fatin e bukur më 19 qershor 2016 të Shekullit XXI synojmë të përfshihemi në grupin elitar të një kampionati europian. Shqipëria e arrin fitoren me Rumaninë mû në 80-vjetorin e themelimit të Kombëtares së saj të një Lushte e të një Kryeziu të Kosovës e të Tiranës (5 mars 1936); mû në 70-vjetorin e ndeshjes së parë ndërkombëtare (1 maj 1946, Shqipëria- Spartak i Moskës 1-2 ); mû në 70- vjetorin e ndeshjes së parë ndaj një Përfaqësuese së një kombi tjetër (22 shtator 1946, Shqipëria- Mali i Zi 5-0 ); dhe mû në 70-vjetorin e titullit të saj Kampion i Ballkanit (13 tetor 1946).
Përkimet duket se janë si të rregulluara nga dora e Zotit, për t'i dhënë kështu përmasa edhe më historike kësaj Shqipërie Europiane të fitores së sotme me Rumaninë. Ndërkaq, ajo arrin edhe një fitore tjetër të madhe.
Mbasi ka triumfuar ndaj rumunëve, edhe pse "për një çast" ajo nuk do të luajë, për tri ditë me radhë edhe pa luajtur asnjë minutë pra, ajo do të jetë në qendër të vëmendjes së bashkëkombësve të saj falë një pritjeje që është po aq e një "strategjie" europiane sa dhe vetë fitorja.
Asnjë shqiptar, qoftë edhe më snobi apo më provinciali - e për fat kemi shumë të tillë - për herë të parë nuk do ta ketë mendjen te skuadrat e mëdha të Europës si tifoz artificial i tyre, por do ta ketë mendjen tek ato thjesht ngaqë rezultatet e ndeshjeve të tyre mund ta kualifikojnë Shqipërinë e tyre për më tej. Për fat, ato janë të një dendësie që për Shqipërinë kurrënjëherë nuk ka qenë kaq origjinale, kaq dramatike, kaq fort e një fataliteti madje: Sllovakia-Anglia, Rusia-Uellsi, Gjermania-Irlanda e Veriut, Ukraina-Polonia, Republika Çeke-Turqia, Suedia-Belgjika, Italia-Irlanda, Hungaria-Portugalia, Islanda-Austria!... Secila përmban disa fate për një fat të vetëm: atë të Shqipërisë.
Asnjëherë në historinë e saj deri para pak, thuajse modeste, fati i Shqipërisë nuk ka qenë kaq i lidhur me kaq shumë ndeshje të një Kampionati Europian. Kësisoj, në këtë mori fatesh apo fataliteti nuk mund të parashikojmë asgjë. Ndonëse pavarësisht prej gjithë kësaj mund të themi se Shqipëria e kreu misionin e saj.
Erdhi, luajti me merita, tregoi futboll europian, humbi siç humbin edhe të mëdhenjtë, fitoi me kryet lart dhe i paraqiti Europës publikun e saj europian të një dekori a skene shqiptaro-europeiste të papame deri më sot. Dhe më e rëndësishmja: tregoi se di të sillet si Europiane e vërtetë, se di të nxisë ftesa të bukura duelante me të mëdhenj në garat më sublime.
Emrat e aktorëve të saj europianë, tashmâ të sprovuar, ishin këta 20 djem të tri ndeshjeve të paharrueshme, humbëse apo fituese qofshin:
Etrit Berisha, Ansi Agolli, Arlin Ajeti, Lorik Cana, Elseid Hysaj, Mërgim Mavraj, Frederik Veseli, Amir Abrashi, Migjen Basha, Ergys Kaçe, Burim Kukeli, Ermir Lenjani, Andi Lila, Ledian Memushaj, Odise Roshi, Taulant Xhaka, Bekim Bala, Sokol Cikalleshi, Shkëlzen Gashi, Armando Sadiku. "Mbi ta" trajneri Gianni De Biasi. E tash, "kritikat" për një herë tjetër. Shqipëria Europiane mund të vazhdojë edhe më tej...