Janë rreth 80 shtëpi botuese që do të kenë stendën e tyre në Panairin e 14-të të Librit që do të mbahet nga data 9-13 nëntor Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Një pjesëmarrje e gjerë kjo që, sipas kryetarit të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, nuk është mbyllur dhe ku pritet të vijnë akoma më shumë deri në fund të muajit tetor. Një numër në rritje ky i shtëpive botuese pjesëmarrëse në panairin e Tiranës, krahasuar me një vit më parë.
Një numër në rritje është shënuar këtë vit sidomos nga Kosova dhe Maqedonia. “Janë regjistruar deri tani rreth 80 shtëpi botuese, institucione, shoqata etj., që do të kenë stendën e tyre të librit në panair. Është një numër në rritje krahasuar me një vit më parë. Këtë vit kemi një pjesëmarrje të gjere sidomos nga Kosova, që përfaqësohet përmes Shoqatës së Botuesve të Kosovës, të cilët do të kenë një stendë të madhe në panair, ku do të ekspozohen librat nga shtëpitë botuese ‘Rilindja’, ‘Konica’, ‘Koha’, ‘Zëri’ etj. Pjesëmarrësit nga Kosova këtë vit janë në numër më shumë sesa një vit më parë. Gjithashtu në stendat e panairit do kemi dhe botime që vijnë nga Maqedonia. Një stendë e veçantë (që i është siguruar falas) në këtë panair i është rezervuar projektit “Traduki” - tha kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri. Por përveç shtëpive botuese nuk mungojnë as institucionet apo stendat e Universiteteve të ndryshme që duan të publikojnë botimet e tyre në këtë panair.
“Do të kemi larmi në këtë panair. Kemi botime nga Instituti ‘Gëte’, Instituti Italian i Kulturës dhe nga Universitete të ndryshme që do të reklamojnë botimet e tyre. Ka një pjesëmarrje shumë të gjerë këtë vit, sepse edhe ne kemi punuar që të kemi sa më shumë botime të reja në këtë panair” - tregon disa detaje të panairit kryetari Ymeri. Ashtu si çdo vit, Panairit të 14-të të Librit nuk do t’i mungojnë as çmimet “Autori i vitit”, “Përkthyesi i vitit”, “Libri më i mirë për fëmijë” etj. Për herë të parë Panairi i Librit u çel në vitin 1998 dhe që nga ajo kohë ai është mbajtur çdo vit në Tiranë dhe, siç thotë kryetari Ymeri, ai është i hapur për të pritur të gjitha shtëpitë botuese.
Vetëm pak ditë më parë ky panair u parapri nga një debat, duke i ndarë botuesit në dy kampe, në Shoqatën e Botuesve Shqiptarë dhe në Shoqatën e Librit Shqip, që me sa duket do të vazhdojnë të jenë të ndarë edhe në panairin më të madh të librit që zhvillohet në Tiranë. Panairi “Tirana 2011”, që mbërriti në edicionin e tij të 14-të, është ngjarja më e madhe kulturore e librit që zhvillohet prej 13 vitesh nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Këtë vit ai do të mbahet nga data 9-13 nëntor dhe gjatë kësaj jave do të zhvillohen takime, prezantime të librave dhe autorëve etj. sipas një programi të hartuar nga organizatorët. Qëllimi kryesor i panairit mbetet padyshim takimi i lexuesit me botimet shqiptare të vitit të fundit, por gjithashtu ai është dhe vendtakimi më i rëndësishëm dhe më i madh i autorëve dhe shtëpive botuese nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë, ku flitet e shkruhet shqip.