Shqiperia Presidenca greke te heqe termin Himara e Vorio-Epirit

Shqiperia: Presidenca greke te heqe termin 'Himara e Vorio-Epirit'

Ministria e Jashtme e Shqipërisë i paraqiti dje Greqisë shqetësimin për përdorimin e termit Vorio-Epir në një njoftim në faqen zyrtare të Presidencës së Greqisë. Gjatë një takimi të zhvilluar dje mes sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme, Qirjako Qirko dhe ambasadorit grek në vendin tonë, Leonidha Rokanas përfaqësuesi shqiptar ka sqaruar se një term i tillë nuk është koncept politikoadministrativ në Republikën e Shqipërisë dhe përdoret rëndom nga qarqe antishqiptare. Ndërsa ambasadori Rokanas i cili kërkoi takimin e djeshëm, i paraqiti sekretarit të Përgjithshëm të MPJ-së shqetësimet lidhur me zhvillimet e fundit të shënuara në Derviçan.

Shqetësimi i Shqipërisë

Diplomacia shqiptare reagon pas përdorimit të termit Vorio-Epir në faqen zyrtare të presidencës greke. Ministria e Jashtme sqaroi dje se Sekretari i Përgjithshëm i saj, Qirjako Qirko i parashtroi ambasadorit grek Leonidha Rokanas shqetësimin e palës shqiptare lidhur me pasqyrimin në faqen zyrtare të Presidencës së Republikës së Greqisë të një njoftimi lidhur me dekorimin e znj. Ermioni Bringu nga presidenti Papulias, “ku konstatohet me keqardhje se vendbanimi i saj është quajtur “Himara e Vorio Epirit”. “Z. Qirko kërkoi heqjen e menjëhershme të këtij përcaktimi nga faqja e internetit të presidencës së Republikës së Greqisë, mbasi ky term nuk është koncept politikoadministrativ në Republikën e Shqipërisë, ndërkohë që përdoret rëndom nga qarqe antishqiptare, të cilët, në kuadër të pretendimeve territoriale identifikojnë me këtë term Shqipërinë e Jugut. Ambasadori grek u shpreh në takim se do të informojë menjëherë autoritet e presidencës greke për të bërë korrigjimin përkatës”, - sqaron MPJ-ja. E ndërsa ambasadori grek, i cili kërkoi takimin e djeshëm, i ka përcjellë sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme shqiptare, shqetësimet lidhur me një incident të ndodhur në fshatin Derviçan, mbas ndeshjes së futbollit Serbi- Shqipëri, ku një grup i vogël të rinjsh kanë lëshuar parulla dhe i kanë shkaktuar dëme materiale një automjeti.

“Duke e dënuar këtë incident dhe duke e quajtur atë një rast krejt të veçantë i cili nuk mund të ndikojë në asnjë mënyrë në frymën e bashkëjetesës shekullore midis shqiptarëve dhe minoritarëve, sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së i bëri të ditur ambasadorit grek reagimin e shpejtë dhe efikas të Policisë së Shtetit, e cila vuri para përgjegjësisë ligjore personat përgjegjës”, - njofton ministria. Gjithashtu, Qirko ka informuar se autoritetet e pushtetit vendor dhe të policisë së Qarkut të Gjirokastrës kanë marrë kontakte me banorët dhe kryeplakun e fshatit, që pohuan se ngjarja në fjalë ishte një rast i veçantë dhe se gjendja në fshat është krejt e qetë. Ambasadorit grek iu kërkua që ky rast sporadik të mos ketë asnjë ndikim negativ në marrëdhëniet tona dypalëshe, mbasi, sipas njoftimit të MPJ-së, përkatësia euroatlantike e dy vendeve tona përjashton çdo fenomen negativ që cenon vlerat e përbashkëta. Sa i përket takimit, diplomacia greke nëpërmjet njoftimit në faqen zyrtare sqaron se kërkesat e ambasadorit Rokanas janë bërë sipas sugjerimeve të zëvendëskryeministrit njëherësh ministër i Jashtëm i Greqisë, Evangelos Venizelos. “Ambasadori grek përcolli shqetësimin e fortë të Greqisë se sulme të ngjashme që iu janë adresuar pakicave kombëtare përbëjnë një pengesë për perspektivën evropiane të vendit, e cila është dobësuar dhe sigurisht nuk forcohet me sjelljen ekstremiste dhe nacionaliste që zgjon kujtimet e kaluara të Ballkanit, një të kaluar që të gjitha vendet e rajonit duhet ta harrojnë në të mirë të së ardhmes së përbashkët të rajonit evropian”, - thuhet më tej në njoftimin e ambasadës greke. Incidenti është pasqyruar në mediat greke të cilat e kanë cilësuar atë si një sulm provokues pas incidenteve në ndeshjen mes ekipit kombëtar shqiptar dhe Serbisë në Beograd.

“Këto nuk ishin festime por një sulm provokues kundër anëtarëve të minoritetit kombëtar grek në Shqipëri, ku u demonstrua civilizimi evropian dhe nacionalizmi i shqiptarëve”, - shkruajnë mediat greke. “Në mënyrë të veçantë, banorët e Lazaratit, fshati i famshëm për kultivimin e hashashit, pasi kanë krijuar një radhë të gjatë me automjete kanë hyrë në Derviçan nën thirrjet “Do t’ju djegim, të krishterë”, duke ju kujtuar atyre se çfarë ndodhi në Stamboll në vitin 1955, dhe me parulla kundër Greqisë dhe helenizmit”, - citojnë më poshtë mediat greke. Por akuzat vazhdojnë më tej duke theksuar se: “shqiptarët nuk u mjaftuan vetëm me slogane, por kanë vazhduar edhe me sulmet dhe plagosjen e disa banorëve të Derviçanit, duke u endur për disa orë me makinat e tyre në rrugët e fshatit. Ata kanë frikësuar banorët të cilët nuk kanë pasur mundësi për të reaguar”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama