Fondi Monetar Ndërkombëtar mbyll sot misionin e fundit në Shqipëri. Drejtuesit e lartë të FMN-së në vendin tonë dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë kanë zhvilluar një konferencë të përbashkët për shtyp në Ministrinë e Financave.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin të Financave, Shkëlqim Cani, ministrin e Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe Guvernatorin të BSH, Gent Sejko, kreu i FMN-së, Nadeem Ilahi tha se “Fondi nuk pret asnjë risk serioz nga kriza greke”.
“Sistemi bankar shqiptar ka likuiditet të mjaftueshëm dhe nuk presim asnjë efekt nga kriza greke që mund të kërkojë ndërhyrjen e qeverisë shqiptare. Duhet thënë se bankat me kapital grek ndër vite kanë humbur ndikimin e tyre të madhe në Shqipëri”, tha Ilahi.
Në fjalën e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi se sistemi bankar në vendin tonë është i sigurt. Duke bërë një paraqitje të përgjitshme, ai theksoi se gjatë muajve të fundit është frenuar rritja e kredive me probleme dhe familjet shqiptare kanë përjetuar një ekonomi në rritje.
Në fund, Sejko siguroi se, tashmë borxhi publik i vendit është nën kontroll dhe BSh do të vijojë të punojë për ruajtjen e stabilitetit.
Ndërsa kreu i Misionit të FMN-së në Tiranë, Nadeem Ilahi vlerësoi se sektori bankar në Shqipëri është likuid. Duke folur për efektin që mund të ketë kriza greke në ekonominë e vendit tonë, Ilahi tha se ai do të jetë i ulët. Ai argumentoi se rëndësia e bankave me kapital grek në vendin tonë ka rënë.
Duke folur për buxhetin, Ilahi vlerësoi se qeveria i përmbushi objektivat dhe masat e ndërmarra çuan në uljen e borxhit faktik. Një problem i evidentuar është mosrealizimi i të ardhurave në periudhën janar-maj.
Ai ka vlerësuar ecurinë e reformave edhe në sistemin energjitik, ku siç theksoi Ilahi, ka ende sfida të mëdha deri në arritjen e qëndrueshmërisë financiare në kohë.