Shqiperia dhe Kosova qendra te perbashketa kulturore ne Diaspore

Shqiperia dhe Kosova, qendra te perbashketa kulturore ne Diaspore
 Shqiptarët që jetojnë në diasporë janë jo pak, andaj edhe është parë e udhës që në shtetet ku numri i tyre është i konsiderueshëm, të çelen të ashtuquajturat Qendra Kulturore, një angazhim i përbashkët ky i qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.

Mësohet se prej disa muajsh, bashkërendimi i punëve mes institucioneve të dy vendeve ka qenë intensiv dhe se kjo vjeshtë do të shënojnë edhe çeljen e së parës qendër të përbashkët kulturore.

Ministri i Kulturës së Shqipërisë Aldo Bumçi në një dalje mediatike tha se kjo është një nismë e qeverisë së Kosovës së cilës ne i jemi bashkëngjitur pasi nuk ka kuptim që këto qendra të mos jenë për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Diasporë.

Nga ana tjetër, ministri i qeverisë së Kosovës, Ibrahim Makolli thekson se ky është një moment i rëndësishëm për zbatimin e këtij projekti, që në letër ka qenë i kahershëm.

Z. Makolli, duke qenë i ngarkuari për këtë nismë i qeverisë në të cilën shërben, foli për qendrën e parë kulturore të përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës e cila do të hapet në Turqi, një shtet ky, ku shqiptarët kanë emigruar shekuj shkuar dhe numri i tyre është i konsiderueshëm, çka e bën specifik dhe të rëndësishëm misionin e kësaj qendre aty.

“Ishte kërkesa dhe interesi ynë që qendra e parë të hapet pikërisht në Turqi pasi është një vend ku emigracioni i shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia por edhe Shqipëria është tepër i vjetër. Aktualisht ne përballemi me brezin e tretë, shpesh edhe të katërt të këtyre emigrantëve dhe është detyrë e jona që të bëjmë gjithçka mundemi për të ruajtur identitetin tonë kombëtar”,-theksoi ministri i mërgatës pranë qeverisë së Kosovës.

Po brenda këtij viti do të çelen edhe 2 qendra të tjera, në Zvicër dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dy ndër shtetet ku numri i emigrantëve shqiptarë është tepër i madh. Nuk bëhet fjalë për Qendra Kulturore në misionin e të cilave do të jetë thjesht dhe vetëm për një vatër ku do të mbahen aktivitete kulturore. Këto janë qendra shtetërore, që do të financohen nga buxheti i dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës dhe sikundër theksoi ministri Makolli, do të shërbejnë edhe si një mekanizma për çështje të edukimit dhe jo vetëm pasi bëhet fjalë për institucione shtetërore të të njëjtit nivel me konsullatat, por me qëllim të përcaktuar, që t’i shërbejnë ruajtjes së identitetit të shqiptarëve kudo ku jetojnë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama