Tema e ngritjes së mureve në kufij për të ndaluar një "pushtim" nga refugjatë politik dhe ekonomikë-- gati të gjithë nga zona ku jeta është e rrezikuar nga konfliktet e armatosura ose nga qeverisj tribale ose ose ekstremiste--po dominon takimet diplomatike dhe mediat europiane dhe më gjërë.
Çështja është shumë komplekse dhe po kërcënon vetë ekzistencën e Bashkimit Europian, i cili mund të përjetojë tensione të brendshme politike të një niveli të atillë sa mund të nxisin shpërbërjen e BE-së.
Në këtë kontekst, për qeverinë Rama po afrohet një test me të vërtet shumë i vështirë, veçanërisht nëse kihen parasysh aftësitë e tij reale në politikën e jashtme.
Fluksi i emigrantëve, numra impresionues
Luftërat civile, diktaturat etniko-fetare dhe varfëria ekstreme, në kushtet e një aksesi të jashtëzakonshëm në informacionin global dhe të komunikimit të lehtë me miq apo familjarë, tashmë, në emigrim, si dhe rritja e ndërgjegjësimit dhe aspiratave të shtresave me shkollim mesatar në vendet e origjinës, kanë krijuar një lëvizje migratore drejt vendeve më të pasura të BE-së, veçanërisht drejt Gjermanisë dhe Vendeve të Ulët
Nga Siria dhe Afganistani po drejtohen drejt Europës miliona emigrantë (me dhe pa status). Vetëm ndërmjet Turqisë dhe Libanit janë vendosur mbi katër milionë refugjatë sirianë. Nga vendet e Afrikës qendrore miliona të varfër ndërmarrë një udhëtim të gjatë e të rrezikshëm mes për mes shkretëtirës, Libisë dhe përmes detit për të mbërritur në Itali, dhe për të vazhduar drejt Gjermanisë dhe Zvicrës. Vlerësimi numri të skatë, në kushte të tilla është përherë i përfafërt, por sidoqoftë është e qartë se numra të tillë personash përbëjnë një problem të madh për këdo, përfshi edhe agjencitë e OKB-së.
Rregullat e UN dhe ato të BE kanë lindur në një kontekst tjetër
Në të shkuarën, problemi i emigrimit klandestin ka qenë gjithmonë i kufizuar në numër dhe në zona të caktuara, në të cilat kishte shpërthyer ndonjë krizë, qoftë kjo dhe vetëm ekonomike. Bosnja, Shqipëria, Tunizia, Maroku janë vetëm disa shembuj të vendeve që në momente krize kanë qenë burim i emigrimit ku përziheshin edhe flukse me emigrantë kinezë, kurdë dhe afganë.
Standartet ndërkombëtare në fushën e emigrimit, të cilat janë hartuar kryeissht gjatë epokës së luftës së ftohtë, janë përqëndruar tek asistenca humanitare dhe respekti ndaj atyre që kërkojnë azil politik.
Por ai që kërkonte azil në atë kohë ishte kryesisht një person që arratisej nga ndonjë diktaturë e rrezikshme, shpesh, e njohur si armike e vendeve ku refugjati kërkonte strehim. Azilantëve politikë u shtoheshin refugjatët ose të zhvendosurit nga konfliktet, të mbrojtur nga një statut tjetër i OKB-së, i konsideruar si detyrë kryesore e UNHCR-së.
Gjatë luftës së ftohtë, luftërat zhvilloheshin të gjitha në Afrikë ose në Azi dhe miliona të zhvendosur mund të administroheshin me pak dollarë në ditë në kampe refugjatësh. Por mbi të gjitha, pjesa më e madhe e njerëzve qëndronte në shtëpitë e tyre dhe zhvendosej vetëm nëse u digjnin apo shkatërronin shtëpitë.
Sot, përkundrazi, po lëvizin familje të tëra që kërkojnë të bashkohen me familjarë e miqve, tashmë, në emigrim, jo vetëm për t'i ikur një lufte, por shpesh për të gjetur një zgjidhje më të mirë për jetët e tyre, zgjidhje që tashmë e njohin përmes mundësive të informimit që kanë sjellë teknologjitë e reja.
Një shembull për të gjithë: refugjati i luftës--sikurse janë milionë sirianë--është absolutisht i mbrojtur nga ligjet ndërkombëtare, por askush nuk i garanton atij të drejtën të zgjedhë se ku do të shkojë. Edhe nëse të gjithë duan të shkojnë në Gjermani, askush nuk mund ta detyrojë Gjermaninë apo këdo vend tjetër të presë miliona individë. Imagjinoni, për shembull, sikur të gjithë të donin të shkonin në Luksenburg.
Europa dhe Shengen
Përpjekja për t'i dhënë dukshmëri dhe konkretizim praktik konceptit të Bashkimit Europian ka prodhuar rregullat Shengen, të cilat u shtrinë shpejt në vënde të tjera jo anëtare të BE, si Shqipëria. Këto rregulla nuk kanë marrë parasysh situata të kësaj rëndësie dhe të këtyre përmasave, por mbi të gjitha nuk kanë marrë parasysh situatat e ndryshme gjeopolitike. Sot është e dukshme që vende si Greqia dhe Italia janë më shumë të ekspozuara ndaj fluksit të Lindjes së Mesme dhe Afrikës dhe kanë detyrë të dyfishtë, humanitare--ndihmën në det--dhe politike--pritjën e parë, identifikimin dhe njohjen e statusit--ndërkohë që përballen me burime të kufizuara njerëzore dhe përgjegjësi më të mëdha.
Sipas rregullave të Shengenit, vendi i parë i arritur nga emigrantët ka detyrën t'i identifikojë dhe t'i mbajë deri në dhënien e statusit të refugjatit. Ata, të cilëve nuk i njihet statusi i emigrantit, duhet të riatdhetsohen në vendet e tyre, gjë që në rastin e Libisë mesa duket nuk është e mundur, ndërsa në rastin e Turqisë do të ishte teknikisht e mundur, por me kushtet e qeverisë turke.
Vende të cilat presin qindra mijëra individë, shpesh pa dokumenta por të mbrojtur nga e drejta ndërkombëtare, kanë kosto dhe probleme logjistike më të mëdha se ato vende, që janë larg kufijve Shengen, si për shembull Gjermania. Aq më tepër që Greqia e Italia kanë një situatë të brendshmë ekonomike dhe politike jo të favorshme për të përballuar një emergjencë të tillë.
Në realitet sot në BE ka dy tema diskutimi: tranziti dhe qëndrimi i përhershëm. Në fakt çështja e tranzitit shtron probleme juridike mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe probleme në raportet me vendet fqinje, të cilët do të presin fluksin e refugjatëve; ndërsa çështja e qëndrimit, e cila është tentuar të zgjidhet përmes rishpërndarjes proprocionale të refugjatëve që u ështe njohur statusi i azilantit, sjell probleme logjistike, të sigurisë së brendshme, dhe, në fund, probleme të kostos së jetesës për t'u përballuar për një periudhë të papërcaktuar.
Plani i shpërndarjes nuk ka filluar ende të funksionojë në praktikë për shkak të kundërshtimit total të vendeve si Hungaria. Por, gjithsesi, plani është bërë vetëm për një pjesë fare të vogël të numrit të jashtëzakonshëm të njerëzve të ardhur ose në pritje.
Cilësia e emigrantëve: refugjatë politikë, refugjatë ekonomikë, identitete të rreme dhe mungesë dokumentacioni
Situata eshtë ndërlikuar nga vështirësia e dallimit korrekt të statusit real të atyre që hyjnë, edhe pse, kur një njeri ka kaluar në mënyrë klandestinë më shumë se një kufi shtetëror ai nuk mundet të konsiderohet më një refugjat lufte, por ama ka ende të drejtën të kërkoj azil politik në vendin që dëshiron.
Pjesa më e madhe e atyre që arrijnë në Greqi dhe Itali nuk duan të qëndrojnë në këto vende, pasio duan të mbërrijnë në Gjermani. Për këtë arsye, ata arratisen nga kampet e refugjatëve dhe nuk duan të indentifikohen. Kjo gjë i leverdis autoriteteve greke dhe italiane, që i lëshojnë ata drejt qëllimit të tyre, por, në mënyrë të vetëkuptueshme, nuk është e mirëpritur nga vendet ku ata kalojnë gjatë udhëtimit drejt Gjermanisë.
Tensionet e brendëshme politike të dhe rreziqet e ekstremizmit neonazist
Gati të gjitha vendet e përshkruara ose të prekura nga fluksi i refugjatëve, me përjashtim të Gjermanisë dhe Hollanda, janë vënde me situatë të brendëshme ekonomike e shoqërore të pasigurtë për shkak të krizës të tejzagjatur ekonomike. Pothuajse të gjitha, kanë një numër të madh emigrantësh jo gjithmonë të mirëintegruar. Në këto kushte, sjellja e qeverive të këtyre vendeve është shpesh e kushtëzuar nga opinioni i brendshëm politik, i cili nuk është i gatshëm të pranojë rritje të fondeve të solidaritetit për të huajt, të cilët shpesh identifikohen nga publiku me ekstremizmin islamik. Për këtë arsye, forca të caktuara neonacionaliste ose neonaziste arrojnë një konsesus rrezikshmërisht në rritje, duke i shtyrë, në fakt, qeveritë të ndërmarrin qëndrime të kundërta nga zgjidhjet e mundëshme të negociuara në parlamentin europian. Kështu, për shembull, shpërndarja e refugjatëve të pajisur me status, e cila është kërkuar me të madhe nga Greqia dhe Italia, dhe është negociuar me sukses në Parlamentin Europian, nuk është ekzekutuar asnjëherë në praktikë për shkaka të rinegocimeve të vazhdueshme të shumë qeverive nën presionin e opinionit të brendshëm publik.
Nga ana tjetër, numri i të ardhurve ëshëtë aq i madh sa edhe nëse të gjtihë do të adminstroheshin në mënyrë korrekte dhe--kundër dëshirës së tyre--do të shpërndaheshin proporcionalisht mes vendeve të ndryshme të BE-së, kjo gjë do të përbënte një problem të madh politik për shumë nga këto vende, të cilat janë, tashmë, të përfshira në krizë ekonomike dhe në vështirësi të ndryshme të brendëshme politike.
Pozicioni i Shqipërisë
Pjesa e Shqipërisë në këtë histori është ajo e shumë vende të Shengenit, si Italia apo Greqia apo Maqedonia: në të cilin nuk dëshiron të qëndrojë askush, por vetëm të kalojnë për të arritur ndalesën më të kërkuar, Gjermaninë. Por Shqipëria, sikurse Maqedonia, kërkon që, për ti lejuar të hyjnë, të jetë e sigurtë që mund të arrijë t'i nxjerrë nga ana tjetër, pra të lejoj tranzitin, por jo t'i pranojë përfundimisht, gjë e cila, në fakt, nuk dëshirohet nga asnjë prej tyre. Sigurisht, disa mijëra edhe mund të pranohen për tu pritur në një kamp të pajisur, por për këtë duhen burime ekonomike nga jashtë, dhe duhet një marrëveshje me ndalesën e ardhëshme të udhëtimit: Malin e Zi, Kosovën ose Italinë.
Këtu rrethi mbyllet, refugjatët nisen nga Turqia, arrijnë në Greqi dhe duan të arrijnë në Gjermani, ose duke ndjekur rrugën e brendëshme ballkanike--Maqedoni, Serbi, Kroaci, Austri,--ose atë të bregdetit--Shqipëri, Mal i Zi, Kroaci, Austri,--ose të kthehen sërisht në det--Itali, Austri ose Shqipëri, Itali, Austri. Të gjitha këto drejtime arrijnë në Austri, dhe nëse Austria ka mbyllur ose do të mbyllë kufijtë, i gjithë udhëtimi i mëparshëm është komplet e kotë. Dhe lumi i refugjatëve do të ngecë në anën tjetër të kufirit të fundit që do të mbyllet.
Precedenti i muxhahedinëve
Në rastin e Shqipërisë ajo që i ndërlikon marëdhëniet me vendet e BE-së është çështja e muxhahedinëve iranianë, të pranuar si refugjatë politik me kërkesë të qeverisë amerikane. Ardhja në Shqipëri e mijërave muxhahedinëve, me të shkuar terroriste, të përgatitur dhe rreshtuar ushtarakisht, të cilët do duhet të qëndrojnë për një kohë të papërcaktuar në Shqipëri, po vë në provë të fortë besimin e fqinjëve italianë, të cilët druhen së mes tyre mund të jenë të fshehur terroristë që "ju hanë duart" e që mund të rekrutohen si mercenarë ose të mobilizohen në rradhët e ndonjë grupin luftarak islamik.
Ndoshta qeveria e kishte të vështirë tu thoshte "jo" SHBA-ve, por duket se ajo e ka të vështirë të sigurojë italinë që policia dhe shërbimet sekrete shqiptare janë në gjendje të kontrollojnë kaq shumë njerëz, pikërisht në portat e tyre: nga Durrësi, Vlora apo nga çdo pikë tjetër e kufirit bregdetar, udhëtimi drejt Barit nuk është i vështirë dhe preçedenti ekziston.
Çfarë mund të bëj Shqipëria
Shqipëria do të donte, sigurisht, të konfirmonte shpirtin e saj tolerant dhe human, tashmë të kurorëzuar gjatë krizës së Kosovës dhe shtyllë themelore e retorikës ndërkombëtare të Kryeministrit Rama
Por ky shpirt tolerant ka kosto, qoftë për të shmangur muret duke lejuar hyrjen e fluksit të emigrantëve në Shqipëri, për t'u lejuar atyre të arrijnë Malin e Zi ose Italinë, gjë që do të krijonte pasoja të rënda për marëdhëniet me këto vende fqinje; qoftë për t'i dhënë azil një numri të konsiderueshëm refugjatësh--gjithmonë nëse ato do jenë të interesuar për të marrë azil në Shqipëri,--gjë që mund të ketë dy hove komplet të kundërta: një kosto të lartë për vetë shtetin shqiptarë, ose një mundësi për të rritur nivelin e kërkesës së brendëshme nesë një kosto e tillë do të mbështetej nga BE.
BE i ka akorduar Turqiaë tre miliardë euro për administrimin e 2,5 milionë refugjatëve sirianë, pra afërsisht 1 200 euro për refugjat, por nuk dihet për sa kohë do të vazhdojë ky kontribut. Mbi të gjitha duhet të kihet parasysh së Turqia ka një prodhim të brendshëm për kokë gati 3 herë më të madh se Shqipëria.
Përfundime
Për qeverinë shqiptare, kriza e refugjatëve shfaqet si një problem politik i përmasave të mëdha, me kosto politike dhe diplomatike të vështirë për t'u përballuar edhe nga qeveri më të forta e më të fuqishme politikisht.
Në gjendjen e përgjithshme të përshkruar më sipër, është shumë e mundur që çfarëdo pozicion i Shqipërisë në këtë çështje që shkon në të kundërt të kërkesave të ndonjërit prej interlekutorëve tanë kryesorë-- Itali, Greqi, Gjermani, Turqi , BE--mund të pranohet pa pasoja nga të tjerët, duke qënë se pozicionet dhe interesat e tyre janë në kundërshti të fortë ndërmjet tyre.
Dhe në fakt, në vetëm tre ditë kemi arritur të shohim një përqasje politike konfuze të qeverisë shqiptare, me Ministrin e Financave dhe atë të Integrimit të gatshëm të recitojnë që Shqipëria nuk ka ngritur mure, ndërsa Kryeministri ka nxituar menjëherë të theksojë se se nuk do të kishte kufij të hapur, duke vënë në vështirësi të mëdha Ministrin e Jashtëm dhe duke e detyruar të mbajaë ekuilibra shumë të vështirë.
Por Kryeministri Rama nuk është i vetmi, dhe mbi të gjitha nuk është i pari, që është ekspozuar ndaj një risku të madh politik për shkak të refugjatëve. Mjafton të mendojmë se çfarë mund t'u ndodhë marrëdhënieve të brendëshme ndërmjet 28 vendeve të BE-se, të cilat, tashmë, janë të tensionuara; por edhe në këtë rast, pra edhe nëse BE paralizohet politikisht, kostojo për Shqipërinë do të ishte shumë e lartë.