Shqiperia dhe Çekia impuls te ri ne marredheniet ekonomike

Rama në Pragë: Hapësira dhe lehtësi për investitorët çekë që duan të investojnë në turizëm

Fotumi-Ekonomik-Ceki-ShqiperiTIRANË, 14 Tetor/ATSH/.- Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij çek, Bohuslav Sobotka u takuan në Pragë, me sipërmarrës dhe investitorë çekë, për t'i nxitur një dinamikë të re në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

Sipas njoftimit për shtyp të kryeministrisë, në këtë takim, Kryeministri shoqërohej edhe nga një nga grup biznesmenësh shqiptarë.

Të dy kryeministrat pranuan se me gjithë shifrat në rritje, niveli i bashkëpunimit ekonomik nuk i përgjigjet ende mundësive dhe ambicieve që të dy vendet kanë. Ata u angazhuan për t'i dhënë një impuls të ri bashkëpunimit në fusha me dobi të përbashkët, si turizmi, bujqësia, energjia, infrastruktura.

"Nga janari 2005, Shqipëria ka eksportuar në Çeki, mallra me vlerë 48.9 milionë euro, ndërsa Çekia ka eksportuar në Shqipëri, mallra me vlerë 225 milionë euro. Peshën më të madhe të importeve nga Çekia e përbëjnë makineritë dhe të eksporteve nga Shqipëria, mineralet dhe mallrat e konsumit", tha Rama.

Megjithatë, sipas tij, është e qartë për të gjithë që këtu kemi një potencial të madh dhe pothuajse të pashfrytëzuar dhe se shifrat e sotme janë krejtësisht të papranueshme në raport me ambiciet e përbashkëta për të ardhmen. "Të dyja qeveritë tona janë angazhuar për ta zgjeruar bashkëpunimin ekonomik në sektorë të tjerë, turizëm, transport, bujqësi, energji apo infrastrukturë. Projekti madhor i TAP-it që do të pasohet më gazifikimin e vendit do të rrisë ndjeshëm potencialet për bashkëpunim midis dy vendeve tona", u shpreh Kryeministri Rama.

"Në marrëdhëniet bilaterale, ne kemi humbur shumë vite. Për mendimin tim, shkëmbimi nuk i përgjigjet potencialeve që mund të thithë tregu shqiptar dhe çek. Marrëdhëniet tona ekonomike kanë nevojë për një impuls të ri. Unë jam i bindur që vizita e zotit Rama do të ndihmojë për të realizuar projektet afatgjata të bashkëpunimit midis vendeve tona", u shpreh Kryeministri Sobotka.

Fotumi-Ekonomik-Ceki-Shqiperi-2Prej disa vitesh, turizmi përbën një fushë me atraksion të lartë për çekët. Duke evidentuar këtë fakt, Kryeministri Rama theksoi se qeveria shqiptare e sheh me interes rritjen e numrit të turistëve nga ky vend. Ligji i ri për turizmin, tha Kryeministri, krijon hapësira dhe lehtësi për investitorët që duan të shtrihen në këtë sektor në Shqipëri.

"Marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e turizmit do të jetë një element i rëndësishëm për thellimin e këtyre marrëdhënieve. Ne shikojmë me interes të madh rritjen e numri të turistëve çekë në Shqipëri; 14 mijë verën e shkuar, shumë më tepër sesa një verë më parë dhe akoma më tepër se dy sezone më parë. Por edhe kjo shifër është vetëm një sinjal domethënës për sa shumë më tepër Shqipëria mund të thithë. Aprovimi i ligjit të ri për turizmin në Shqipëri krijon hapësira të reja dhe lehtësira të mëdha për çdo investitor që do të dëshironte të përfshihej në rrugëtimin tonë drejt ndërtimit të një sektori modern shërbimesh në turizëm", u shpreh Kryeministri Rama.

Kontaktet midis popujve tanë, tha Kryeministri, janë të hershme, që në shekullin e XV-të. Një numër personalitetesh çeke kanë dhënë kontribut të çmuar që në njohjen e shtetit shqiptar dhe më tej, në ndërtimin e tij. Dëshmi kjo e vullnetit të mirë për bashkëpunim me interes të përbashkët në të gjitha fushat dhe nivelet, sikundër edhe mes përfaqësuesve të botës së sipërmarrjes.

Kryeministri shprehu edhe mirënjohjen për mbështetjen e Republikës çeke edhe në kuadër të vendeve të Vishegradit, mbështetje që po materializohet me Fondin e Ballkanit Perëndimor që së shpejti hapet me seli në Tiranë.
Në takimin me sipërmarrësit, Kryeministri Rama shoqërohej edhe nga ministrat Ahmetaj, Klosi dhe Nikolla./m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama