Shqiperia e 2007-s ne dosjen e CIA-s

Shqipëria e 2007-s në dosjen e CIA-s

Në raportin e përgatitur për Shqipërinë, për vitin që lamë pas, shohim që për një vit numri i popullsisë është shtuar me 18 mijë e 868 banorë. Pra, numri total i popullsisë është 3 600 523 banorë. Por çfarë të dhënash të tjera ka ky shërbim për Shqipërinë?

 Si e vlerëson stadin e zhvillimit tonë, kulturën tonë kombëtare e fetare, sa të varfër apo të pasur jemi, si funksion shteti, sa energji konsumojnë dhe prodhojmë?Për këtë na vjen në ndihmë një dosje gjigante e prodhuar nga CIA, e cila është përgatitur për vitin 2007 dhe e publikuar në datën 24 janar të këtij viti. Të paktën në faqen e internetit të këtij shërbimi, ne mund ta lexojmë Shqipërinë edhe më mirë se sa e dimë dhe njohim vetë.

Telefonia
Të varfër, por jo në përdorimin e telefonisë, sidomos asaj celulare. Ndonëse të dhënat mund të jenë më të larta, sipas dosjes së CIA-s, në Shqipëri kemi 353 600 persona që kanë të paktën një aparat të telefonisë fikse në përdorim. Por që shumë më e madhe kjo është me celular. Kështu janë 1.53 milionë persona që kanë në përdorim një aparat celular. Këto shifra sa vijnë e rriten dita-ditës dhe nuk është çudi që në një raport të ardhshëm t'i shohim të barabarta me numrin total të popullsisë.

1.55 miliardë dollarë borxh në vitin 2008

Vetëm gjatë dy viteve, borxhi i Shqipërisë është rritur ndjeshëm. Sipas të dhënave të Shërbimit Sekret Amerikan, nga 1.41 miliardë që ky borxh ka qenë në vitin 2003, brenda dy viteve kjo shifër ka shkuar në 1.55 miliardë. Ndërkohë që importi i mallrave me Italinë ka qenë me rreth 10 për qind, ndërsa është rritur me vende të tjera si Greqia. Por me gjithë krizën energjetike, nga 100 kilovatë që eksportonim në vitin 2003, katër vite më vonë vendi ynë eksporton 300 kilovatë energji në orë.

Ekonomia
Duket se dhe statistikat e shtetit shqiptar nuk janë të azhornuara më mirë se të dhënat që na jep Shërbimi Inteligjent Amerikan për ekonominë dhe zhvillimin e vendit. Kështu rritja e borxhit të jashtëm ka arritur në 1.55 miliardë dollarë amerikanë. Një shifër që është shtuar gjatë viteve të fundit si pasojë e investimeve që ka bërë qeveria në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, duke u detyruar të marrë hua dhe kredi nga vendet e tjera.

Eksportet
Katër janë vendet kryesore ku Shqipëria mbështetet për importin e mallrave. Italia me 31.2 për qind, Greqia me 17.7 për qind, Turqia me 8.1 për qind dhe Gjermania me një shifër më të vogël, 5.7 për qind. Ndërsa më Serbinë dhe Malin e Zi kemi një shifër shumë më të vogël të importeve dhe eksporteve, ku vendin kryesor e zënë cigaret. 

Etleva Delia : Gazeta TiranaObserver


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama