Nga YLLI AGA
Zgjedhjet e fundit të trajnerit të përfaqësueses sonë për listën përfundimtare të futbollistëve, me të cilët do të luajmë në EURO 2016, kanë qenë tema kryesore e debateve në faqet e shtypit dhe ato online.
Në mënyrën më të përligjur, si në çdo vend tjetër që do të përfaqësohet në kompeticionin më të rëndësishëm të këtij viti kalendarik.
E gjitha kjo motivuar me ndjeshmëritë për ekipin Kombëtar apo popullaritetin e kësaj loje, ku gjithsecili pretendon se di diçka dhe mund të gjejë argument për to, ose për të kundërshtuar atë që ka mbi supe për të bërë të tilla zgjedhje.
Madje, në daljen e fundit para kamerave, edhe vetë De Biazi nuk dukej plotësisht i bindur për t'i shpjeguar zgjedhjet e tij dhe për t'i motivuar ato.
Ndryshe, ishte e vështirë për të shpjeguar nervozizmin e tij. Por në kulmin e polemikave, komenteve dhe analizave, të gjithë duhet të biem në një emërues të përbashkët: e drejta dhe e ligjshmja për të bërë zgjedhjet finale janë të De Biazit.
Ai në këtë rast ka me vete statusin e seleksionuesit dhe respektin për institucionin e trajnerit të ekipit kombëtar. Sepse nga fillimi e deri në këtë moment, kjo është Shqipëria e De Biazit.
Ashtu siç ishte më parë ajo e Brigelit, Bariçit Kuzhes dhe nesër e një De Biazi tjetër...
Merita e seleksionuesit
Ka pasur një tjetër debat të madh ndër shqiptarët lidhur me ndarjen e meritave për kualifikimin e Kombëtares për në finalet e EURO 2016. Sigurisht nuk ka asnjë rregullore që "ndan me thikë" meritat, por çdo diskutim vërtitet te përqindjet që do të duhet t'u japim të gjithë protagonistëve, futbollistëve në fushë, trajnerit dhe stafit të tij, tifozëve, drejtuesve të FSHF-së dhe medias.
Me siguri përqindja e trajnerit duhet të jetë nga më të lartat, mbi të gjitha për punën e jashtëzakonshme të seleksionimit të futbollistëve që kanë luajtur gjatë periudhës së tij dhe që harkun e katër viteve bëhen afro 60-të.
Lojtarë të ndjekur nga çdo cep i globit, të vëzhguar, të thirrur, të aktivizuar, të motivuar dhe në fund të shpërblyer me një arritje të jashtëzakonshme.
Për të gjithë ata që kanë dyshime për këtë punë të jashtëzakonshme dhe merita të padiskutueshme, do t'u propozoja të kthenin kokën për një moment pas, në atë që mund të jetë pika më e ulët e kësaj kombëtareje, humbja në Luksemburg në vitin 2011.
Në atë ndeshje, me shumë se pikët, shumica e shqiptarëve do të jenë ndier të humbur dhe pa besim tek ekipi ynë kombëtar. Në atë takim dhe deri në fund të eliminatoreve, dyshimi më i madh ishte tek e ardhmja e kësaj skuadre dhe gjithçka përfaqëson ajo.
Nëse në atë moment debati më i madh ishte se cilët do të duhej të ishin futbollistët titullarë, Shqipëria e re dhe e madhe e De Biazit ndez flakë opinionin për çdo grumbullim për listën me 27 lojtarë, ku çuditërisht nuk ka vend për Salihin, apo edhe për të tjerë emra që për shumëkënd meritonin të ishin si Lilaj, Meha, Rama, Fejzullahu, Latifi, Besart apo edhe Bernard Berisha.
Berisha (personalisht asnjëherë s'e kam kuptuar pse nuk iu dha mundësia për t'u veshur kuqezi), shkakton tension lista zyrtare me 23 futbollistë apo do të komentohen pafund zgjedhjet për formacionin titullar.
Në këtë pikë, De Biazi e ka fituar betejën e tij. Ia ka arritur të seleksionojë futbollistë për një kombëtare të aftë për të fituar dhe mbjellë entuziazëm.
E drejta e trajnerit
Trajnerët janë një "racë" e çuditshme. Rregullat e tyre janë bindja, humori dhe e drejta e momentit. Nuk është e rastësishme që shumë të tillë me vendimet dhe veprimet e tyre shpesh kanë kundërshtuar vetveten. De Biazi nuk mund të jetë një përjashtim. Për këtë arsye, mos kërkoni logjikë apo shpjegime për lënien jashtë të Salihit, për kthimin mbrapsht të Gjimshitit, Rrahmanit, Shalës apo Rashicës.
Aq më pak për mbajtjen në grup të të tjerë emrave. Për shumëkënd zgjedhjet e tij mund të jenë të gabuara, por në këtë moment meritojnë të respektohen, pasi ka ekskluzivitetin për të vendosur dhe për të na udhëhequr në finalet e EURO 2016. Të parat në historinë e futbollit tonë.
Aty ku me siguri dëshira e tij për të bërë mirë është shumëfish më e madhe, pasi do të justifikojë pritshmëritë e mëdha, profesionin e tij dhe pse jo "të duelojë" në distancë me C.Ranierin.
Gjithsesi, çfarëdo që të ndodhë në ditët franceze, Shqipëria e De Biazit e ka fituar kampionatin e saj, boll me prezencën në turneun më të rëndësishëm futbollistik të kontinentit. Gjithçka tjetër e fituar do të ishte një kënaqësi e pamatë.