Shqiperia e Kosova me te korruptuarat

Shqiperia e Kosova, me te korruptuarat

Organizata ndërkombëtare Transparency International publikoi të mërkurën “Treguesin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2014”, në të cilin janë përfshirë 175 vende të botës. Kosova sivjet radhitet në vendin e 110 së bashku me Shqipërinë. Derisa Kosova ka shënuar përmirësim për një vend, meqë në vitin 2013 ishte e 111-ta, Shqipëria është ngritur nga vendi i 116 ku ndodhej një vit më parë.

Por, të dyja radhiten të fundit në rajonin e Evropës Juglindore dhe ndodhen në grupin e njëjtë me Ekuadorin dhe Etiopinë. Maqedonia, ne vendin e 64-të, radhitet më mirë sesa pjesa tjetër e rajonit. Pas saj është Mali i Zi në vendin e 76-të, Serbia në vendin e 78-të dhe Bosnja në vendin e 80-të. Sipas Transparency International, korrupsioni është problem për të gjitha ekonomitë.

“Treguesi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2014, tregon se rritja ekonomike dëmtohet dhe përpjekjet për të ndaluar korrupsionin zbehen, kur udhëheqës dhe zyrtarë të lartë shpërdorojnë pushtetin për të përvetësuar fondet publike”, citohet të ketë thënë Jose Ugaz, kryesues i kësaj organizate.

Në gjendjen më të mirë sivjet është, Danimarka e cila ka 92 pikë në një radhitje ku pikët zero shënojnë shkallën më të lartë të korrupsionit ku radhiten Koreja e Veriut dhe Somalia. Publikimi i raportit e gjen Kosovën me shqetësime për rritjen e korrupsionit në shumë fusha përfshirë edhe sistemin e drejtësisë.

Në muajin tetor një seri shkrimesh të së përditshmes Koha Ditore, tronditën Misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit me pohimet se zyrtarë të tij mund të kenë marrë para në këmbim të lirimit të disa të akuzuarve për vepra penale. Zyrtarë të EULEX-it besojnë se dokumentet kanë rrjedhur nga prokurorja britanike e këtij misioni Maria Bamieh, e cila është pezulluar nga puna dhe ndaj saj thuhet se ka filluar një proces i hetimeve administrative.

Hedhja e dyshimeve të tilla nxiti shume reagime pas të cilave shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini vendosi emërimin e një eksperti të pavarur për të ndriçuar këto dyshime.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian janë shprehur të shqetësuar me zhvillimet e fundit dhe mundësinë që ato të dëmtojnë imazhin dhe besimin e EULEX-it, i cili u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008. Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton rastet e krimeve te luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësohen me të ndjeshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama