Shqiperia e bukur e 18-ta e Europes

Shqipëria e bukur, e 18-ta e Europës

Besnik-DizdariBESNIK DIZDARI

Sepse është vërtet e bukur. Dhe sepse është vërtet e 18-ta e Europës. Është e bukur sepse i bukur qe futbolli i saj. Dhe është e 18-ta sepse në renditjen e 24 finalistëve ajo është saktësisht e 18- ta.

Kjo ngaqë të mërkurën në mbrëmje, mbas eliminimit plot ankthe të Shqipërisë së Loro Boriçit (e emërtoj kështu sepse ky qe trajneri i parë që e themeloi atë për në një Kampionat Europian) si dhe Turqia e Ali Sami Frashërit (e, ky qe trajneri themelues i Kombëtares turke) - unë rifilloj e plotësoj renditjen e fundoreve (finaleve) të Kampionatit Europian 2016, siç e kam bërë me të tjerët në dy librat 1 dhe 2 "Kupa e Europës". Kjo e "FRANCA 2016" është kështu:

Untitled-1

Më 10 korrik 2016 do të përfundojë e plota për të 24 skuadrat. Por që këto 8 vende të fundit nuk ndryshojnë, assesi. Kështu pra, kjo është e vërteta e Shqipërisë në edicionin e 15-të jubilar të Kupës së Europës, këtë "FRANCA 2016".

Që është një Shqipëri e bukur dhe që është renditur e 18-ta. Si ju duket? Pak apo shumë? Them se as njëra dhe as tjetra. Por përsëris ndërkaq se para kësaj vetë kualifikimi paraprak për në 24-she është paraqitja po paraprake e bukur e Shqipërisë në EURO 2016.

Dhe vetëm mbas saj, arritja e dytë është bukuria e saj në stadiumet m a d h ë s h t o r e franceze. Ndërsa arritja e tretë është vendi i 18-të.

Të gjitha për herë të parë në histori. Sepse për herë të parë në histori Shqipëria u kualifikua për në fundoret e një Kampionati Europian.

Për herë të parë në histori Shqipëria tregoi futboll të cilësisë së lartë ndërkombëtare në një Kampionat Europian. Për herë të parë Shqipëria u rendit e 18-ta midis 24 shteteve të rangut më të lartë futbollistik të Europës. Dhe vështroni se kë ka lënë mbrapa: Rumaninë, Suedinë, Çekosllovakinë, Austrinë, Rusinë, Ukrainën.

Të gjitha shkolla të shquara të futbollit modern. E para është ajo danubiane austriako-çeke, madje e përbotshme për kah historia. Pranë saj mbërrin kjo ballkanike e rangut më të lartë që është ajo rumune, teksa ajo kroate vazhdon atje lart.

E prej këtu shkojmë te sensacionalja e vendeve të fundit 23 e 24, të shkollës së pamasë rusosovjetike nën emrin e sotëm Rusi dhe Ukrainë. Kësisoj, befas del se këtë herë mbrapa Shqipërisë janë dy Kampione të Europës (Çekosllovakia dhe Rusia (BRSS)) si dhe dy Nënkampione të Botës (Suedia e Çekosllovakia - Rep.Çeke).

Asnjëherë për historinë e Kombëtares së Shqipërisë një vend i 18-të si ky nuk ka qenë kaq i bukur. Ndonëse, nga ana tjetër, nuk na i merr Zoti mendtë saqë të mos kuptojmë mirë që në fund të fundit vend i 18-të është, edhe pse gati në një marramendje, nderet po i rrëmben si të ishte i parë!...

Pak ditë më parë, në një editorial këtu në "Panorama Sport", shkrova se diçka do të ndodhë në Kampionatin Europian. Në të vërtetë ndodhi. Ndodhi befasia e bukur shqiptare. Ndodhi eliminimi i disa të mëdhenjve që përmenda më sipër. Por ndodhi edhe diçka tjetër.

Ndodhi që plot katër "të vegjël" të jenë midis 16 më të mirëve: një Uells dhe një Irlandë e Veriut, një Islandë e një Sllovaki. Dhe ndodhi më e madhja madje: janë katër kombëtare britanike midis të 16-ve, duke përfshirë në to me "pa të drejtë" edhe Republikën e Irlandës pra, së bashku me Anglinë, Uellsin e Irlandën e Veriut! Si në Kupën e Botës 1958 kur ishin katër britanikë të pastër: Angli, Uells, Skoci e Irlandë e Veriut. Ndërkaq, në shembullin irlandez të kësaj rradhe (si një lloj "veri" e "jug") kemi më të rrallën: një komb - dy shtete, dy Kombëtare.

Si të ishte një rast ëndërrimtar shqiptar: Shqipëri e Kosovë! Një komb, dy shtete, dy Kombëtare. Si për inat të p s e u d o a t d - hetarëve tanë, që me në krye francezin Michel Platini, nuk e donin assesi Kosovën në FIFA.

Dhe ndodhi edhe ajo tjetra: që midis të 16-ve të mëtejshëm është dhe një Kombëtare e një shteti që ka në përbërje gjashtë djem të racës shqiptare prej Kosove: Zvicra e Behramit, Xhemailit, G.Xhakës, Mehmedit, Shaqirit e Tarashajt.

Deri dhe një mendim i sëmurë, i dalë paksa edhe prej zyrave të FSHF-së, i patën quajtur "tradhtarë". Pa harruar edhe një "gjerman" - shqiptar - Kampion i Botës në fuqi që quhet Shkodran Mustafi, emri i të cilit ua dridh shtatin sidomos shkodranëve të kapitenit më të ri të historisë të Shqipërisë, Elseid Hysajt, 21-vjeçar.

Kur assesi nuk harrojmë se në krye të kësaj arritjeje qe një pinjoll i shkollës madhështore italiane të futbollit, asaj që së bashku me shqiptarët themeloi Kampionatet Kombëtare të Shqipërisë në vitet '30. Dhe, më 28 nëntor 1942, po së bashku me shqiptarët themeloi në Tiranë deri dhe Përfaqësuesen e Kosovës.

Është Gianni de Biasi. Dhe nuk harrojmë kurrsesi meritën e Federatës Shqiptare të Futbollit me në krye presidentin e saj Armand Duka. Ky është Kampionati Europian me jo pak ngjyra shqiptare - stacioni i parë i një faqeje të re të sapohapur. Shpejt, drejt e në Kupën e Botës, mbërrin Republika e Kosovës. Shtatori 2016 është te pragu i tokës së Dardanisë...

Ndërsa ne na duhet të ulim tonet e tejkaluara të nacionalizimit të ngushtë futbollistik për të rritur përmes sportit e futbollit shqiptar tonet realiste dhe ngjyrat autentike të shqiptarisë. Qoftë dhe kështu, siç i rriti Shqipëria e bukur, e 18-ta e Kupës së Europës "FRANCA 2016´´...



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama