Agjencia Amerikane e Inteligjencës, CIA, në analizën e saj për vitin 2013, ka konstatuar se Shqipëria renditet e 131-ta mes 228 shteteve, përsa i përket produktit të brendshëm bruto. Sipas raportit të CIA-s, produkti bruto i brendshëm për frymë në Shqipëri është rreth 8.200 dollarë, një nivel ky pothuajse i njëjtë me vende afrikane të botës së tretë si Namibia e Tongo. Për këtë shkak raporti i CIA-s e klasifikon vendin tonë si një ndër më të varfrit në Evropë.
CIA publikon çdo vit raportin “The World Factbook”, ku analizohen një seri treguesish ekonomikë, politikë e shoqërorë, që nisin që nga të dhënat e popullsisë e shkojnë deri te qeverisja, energjetika, transporti e Forcat e Armatosura.
Një tjetër fakt që vlen për t`u theksuar është se përveç shtetit të ri të Kosovës, të gjitha vendet e tjera të Ballkanit e kanë Produktin e Brendshëm Bruto për frymë e kanë në kuota me të larta se Shqipëria. Sipas përllogaritjeve të kryera nga ekspertë të Agjencisë Amerikane të Inteligjencës, Maqedonia renditet në vendin 113 më 10.800 dollarë, Serbia në të 111-in me 11 100 dollarë, Mali i Zi në të 107 me 11 900 dollarë, ndërsa Kroacia e cila paraqitet shumë më mirë, ka një nivel të Produktit të Brendshëm Bruto për frymë prej 17.800 dollarësh.
Në raportin e saj “The World Factbook”, CIA konstaton se edhe pse ekonomia shqiptare vazhdon të rritet, vendi është ndër më të varfrit në Evropë, si pasojë e informalitetit të madh në ekonomi dhe infrastrukturës së papërshtatshme të transportit dhe energjisë. Pavarësisht kësaj në analizën e saj për vitin 2013, agjencia amerikane e inteligjencës thekson se qeveria ka zbatuar një paketë reformash fiskale për të reduktuar shkallën e ekonomisë në të zezë dhe për të tërhequr investime të huaja.
Raporti thekson se remitancat, dikur një mbështetës i rëndësishëm i rritjes ekonomike, kanë rënë nga niveli prej 12 deri ne 15% të produktit te brendshëm bruto përpara krizës financiare të vitit 2008 në 7% të GDP-së në vitin 2012. Përsa i përket sektorëve të tjerë, CIA ka përmendur atë të bujqësisë, i cili është përgjegjës për pothuajse gjysmën e numrit të të punësuarve. Pavarësisht kësaj ky sektor zë vetëm një të pestën e produktit të brendshëm bruto dhe kufizohet kryesisht në sipërmarrje të vogla familjare për shkak të mungesës së pajisjeve moderne, problemeve me pronësinë dhe dominimit të sipërfaqeve të vogla e joeficiente të tokës.
Përsa i përket sistemit të taksave në raportin “The World Factbook”, Agjencia Amerikane e Inteligjencës, ka konfirmuar se kodi fiskal mjaft kompleks, si dhe kërkesat e shumta për të licencuar bizneset sjellin si pasojë klimë të vështirë biznesi në Shqipëri. Sipas këtij raporti një tjetër faktor, i cili kontribuon në shtimin e vështirësive për tërheqjen e investimeve të huaja janë edhe problemet e furnizimit me energji së bashku me infrastrukturën e amortizuar.
Në përfundim të raportit të saj CIA thekson se, vendi do të vazhdojë të përballet me sfida për shkak të rritjes së borxhit publik, duke qenë se ka tejkaluar limitin ligjor të kuotës prej 60% të produktit të brendshëm bruto në vitin 2013.