Shqiperia fantastike e piktorit

Shqiperia fantastike e piktorit

Kryeministri i ardhshëm është vënë në kërkim të kurës për modelin shqiptar të qeverisjes. Por idetë për ekonominë dhe territorin të konferencës me ekspertët e huaj përballen me oponencën vendase. Selami Xhepa: Ne nuk na mungojnë “doktorët dhe ilaçet” për të shëruar problemet tona. Pengohemi nga rezistenca e grupeve të caktuara interesash, lodhja e “doktorëve” dhe  kapja e vetë shtetit

Edi Rama është në kërkim të Shqipërisë së Re. I ngarkuar me barrën e votës masive kundër një qeverie që s’e deshën më, kryeministrit të ardhshëm i lypset një model i ri për të mos pësuar të njëjtin fat. Ndaj edhe këto javë të tranzicionit të pushteteve, ish-kryetari i opozitës, që ngjitet për pak ditë në karrigen kryeministrore, po synon të gjejë një “Rrugë të Tretë” për veten. Një rrugë që nuk kalon me se s’bën nga premtimet populiste të fushatës elektorale, por as nga kursi 8-vjeçar i kundërshtarit “Berisha”. Sprovat e para në këtë drejtim u përcollën përmes statuseve të tipit “na thoni si të qeverisim” në “Facebook”, por nuk dhanë efektin e dëshiruar mes shqiptarëve që po zgjohen dita-ditës nga efekti “placebo” i 23 qershorit. Ideja e madhe u kërkua më pas të gjendej në një konferencë dyditore me arkitektë dhe ekonomistë të huaj, që zhurmuan fundgushtin monoton të Tiranës. Si duhet të jetë Shqipëria e nesërme? Ç’duhet bërë për të shkuar deri atje? Ç’model duhet të ndjekim dhe, mbi të gjitha, a ka qeveria e re një plan? Më shumë se përgjigje, kryeministri i ardhshëm na ofron sërish një diagnozë. “Modeli i zhvillimit i gjithë këtyre viteve ka shteruar. Instrumentet e zhvillimit të gjithë këtyre viteve nuk janë më të vlefshme, sepse nuk arrijnë të prodhojnë rritje, të krijojnë punësim dhe të garantojnë kohezion social”, – ishte sinteza e Ramës për vendin, në dy ditët e konferencës “Shqipëria e gjeneratës tjetër”. Miqtë e ftuar nga vende e eksperienca të ndryshme thanë fjalën e tyre, por ekspertët vendas dyshojnë se u gjend ilaçi.

Ekonomia: Modeli kinez apo amerikan?

Shqipëria po kërkon një “revolucion” ekonomik, më shumë sesa një rrugëdalje nga kriza që ka topitur vendet fqinje. Ekspertët e Bankës Botërore rekomanduan një zhvendosje nga konsumi te prodhimi për ekonominë shqiptare dhe Rama duket dakord me këtë ide. “Një model të ri zhvillimi të bazuar te prodhimi; te punësimi përmes investimeve prodhuese; bazuar tek transformimi i sistemit tonë arsimor dhe te rritja eksponenciale e peshës dhe e cilësisë së arsimit profesional”, – tha Rama. Por ekonomisti Selami Xhepa mendon se debati mbi zgjedhjen e një modeli ekonomik ka krijuar shumë herë konfuzion. “Banka Botërore kohët e fundit është shprehur se vendi ka nevojë të ndryshojë modelin ekonomik nga ai i orientuar nga konsumi, siç është modeli amerikan, drejt një modeli të udhëhequr nga investimet, siç është modeli kinez. Përpara disa kohësh, Banka e Shqipërisë i mëshoi idesë që vendi duhet të ndërtojë një sektor të fuqishëm eksporti, si burimin kryesor të rritjes ekonomike”, – thotë Xhepa, teksa ndan me ne përshtypjen se Partia Socialiste i referohet nevojës për reforma, më shumë sesa ndërtimit të ndonjë modeli specifik. Skeptikë janë edhe ekonomistë të tjerë të njohur në vend, të cilët kanë ndjekur me vëmendje punimet dyditore të konferencës së PS-së. Adrian Civici, president i UET-së, ishte një ndër ata që ndoqi me interes mendimet e ekspertëve të huaj, të thirrur nga Rama në Tiranë. Në një intervistë për “ABC News”, ai u shpreh se eventi ishte i rëndësishëm, po do të duhej të ishte trajtuar më konkretisht ideja e modelit ekonomik. Sa për shembuj konkretë, konferenca e ekspertëve i dha nja dy a tri opsione sa për fillim qeverisë së ardhshme.  Ish-ministri suedez rekomandoi se qeveria e re duhet të shfrytëzojë potencialin e madh ekonomik të Turqisë, ndërsa modeli i Izraelit, një vend në përmasat gjeografike të Shqipërisë, ishte një rast interesant për t’u studiuar.

Pikëpyetje mbi planin “Rama”

Në termat ekonomikë, Shqipëria “e vjetër” nuk duket dhe aq zi sa ç’u pikturua në muajt e ethshëm të fushatës elektorale. Drejtoresha e Bankës Botërore, Ellen Goldstein, një prej të ftuarave speciale të Ramës në konferencë, rrëfeu një eksperiencë të sajën në Pogradec, për të treguar se sa shumë kishte ndryshuar Shqipëria. I frymëzuar edhe nga kjo, kryeministri në largim, Berisha, ironizoi konferencën e PS-së dhe vuri bast se “shanset e ekipit të Piktorit për të dështuar janë 95%”. Ndërsa vlerësoi ekspertët e huaj, Berisha e cilësoi kabinetin e ri si më të papërgjegjshmin, më injorantin dhe më të paskrupulltin që kanë parë ndonjëherë në rruzullin tokësor. Minoranca e re dyshon se kabineti i ri ka ndonjë plan të qartë për ekonominë e në këtë drejtim, duket se nuk është e vetme.  Ekonomistët mendojnë se ndryshimet strukturore duan vite e dekada të japin fryte në praktikë. Aq më tepër, kur ato burojnë më shumë prej forcave të brendshme të tregut, sesa nga veprimi i politikave qeveritare. Selami Xhepa rekomandon që është më e drejtë të pritet që ndryshimet politike dhe reformat e munguara të viteve të fundit të riinxhinierojnë dinamizëm ekonomik. “Nga programi politik i PS-së kam dyshimin se disa reforma të propozuara mund të kenë ndikime jopozitive, veçanërisht ndryshimet e propozuara në politikat fiskale. Prandaj dhe do të dëshiroja ta shihja këtë grup të reformave që të zbatohen si të fundit në radhë, në mënyrë që të mos rrezikohet vjelja e përfitimeve pozitive që pritet të çlirojnë reformat strukturore”, – sugjeron Xhepa.

Sfida nr. 2: Stop rrënimit!

Operacioni “Rama” për bregdetin u ideua pak ditë pas zgjedhjeve të 23 qershorit dhe në letër duket si ideja më konkrete e artikuluar deri më tash. Paralelisht me premtimin se do të përsëriste me bregdetin suksesin e arritur me Lanën në Tiranë, Rama lançoi në faqen e tij në “Facebook” një hapësirë virtuale denoncimi ndaj ndërtimeve pa leje, nën logon “Stop rrënimit”.  Megjithatë, 607 fotot e postuara deri më dje nga qytetarët e nervozuar nga kaosi dhe shëmtia e territorit tregojnë njëherazi “krimin dhe autorët”. Poshtë përbindëshave të betonit, shpërndarë anekënd vendit gjen denoncime direkte ndaj përfaqësuesve të PS-së në pushtetin lokal, të cilët në rastin më të mirë kanë mbyllur njërin sy e në rastin më të keq, kanë firmosur leje të paligjshme. Ndaj edhe operacioni “Rama” në bregdet do të duhet të kalojë, më së pari, nga beteja me të vetët. Në konferencën me arkitektët e huaj, Rama e përforcoi projektin e vënies nën kontroll të territorit. “Jemi në kushtet e një emergjence kombëtare dhe ne jemi të vendosur që gjendjen jashtë kontrollit në territorin e vendit ta trajtojmë si gjendje të jashtëzakonshme dhe ta përballim me të gjitha mjetet e gjendjes së jashtëzakonshme”, – tha ai, në dukje i qartë për komplikacionet e këtij operacioni të kushtueshëm. I sprovuar në këtë fushë, Rama nuk duhet të jetë impresionuar shumë me idetë e arkitektëve dhe urbanistëve të huaj, të cilat u kufizuan te metropoli Tiranë-Durrës, i pagëzuar prej tyre me emrin Durana apo te rikonstruksioni i Piramidës e vilës së Enver Hoxhës. Urbanisti Dritan Shutina tha pak ditë më parë, se konferenca nuk solli ndonjë ide të re dhe evidentoi të njëjtat sfida të vjetra. Sipas tij, Rama do të duhej të përfshinte në proces ekspertët vendas për projektin e tij për territorin. E ndërsa Rama ka siguruar mbështetje popullore në rrjetet sociale, rivali i tij i ri politik, Lulzim Basha, nxitoi ta quante turin me ekspertët e huaj si “ndarje të tortës në mënyrë okulte. “Në rend të ditës, grabitja e pronave të bregut dhe stimulimi i bizneseve të fshehta që financuan në fushatë”, – paralajmëroi Basha përmes një statusi në “Facebook” për projektin që pritet të startojë në shtator.

Projekte të reja vs. premtime

E ndërsa po projekton rrugën e tij në qeverisje, Ramës do t’i duhet të përballet me listën e gjatë të premtimeve në fushatë, disa të pavolitshme, sipas ekspertëve të huaj. Programi qeverisës, një hallkë lidhëse mes draftit elektoral dhe të mundurës, ende nuk është publikuar. Por në këto ditë rrahjesh të ideve, pak për të mos thënë hiç, u dëgjua të flitej për sistemin fiskal, legalizimet falas, borxhin publik apo reformën në shëndetësi. Përkundër tyre, kryeministrin e ri do ta presë mbi tavolinë një faturë prej 400 milionë eurosh borxh ndaj biznesit dhe një krizë e mundshme energjetike për ta nisur me këmbë të mbarë mandatin e tij 4-vjeçar. Por për ekonomistin Selami Xhepa, prioritetet afatgjata janë të përcaktuara mjaft saktë. Stabiliteti financiar, reformat strukturore dhe administrimi publik, së bashku edhe me prioritetet e momentit, siç është shëndoshja e gjendjes në sektorin e energjisë, cilësohen prej tij si hapat e duhur në çdo kohë dhe qeveri. Në të vërtetë, Xhepa rikthehet tek ideja fillestare e Ramës, kapja e shtetit, për të treguar se çfarë nuk shkon realisht në Shqipëri. “Neve nuk na mungojnë “doktorët dhe ilaçet” për të shëruar problemet tona politike, ekonomike e sociale. Pengohemi nga rezistenca ndaj reformave që bëhet nga grupe të caktuara interesash, lodhja e “doktorëve” nga reformat dhe që në një afat më të gjatë, përfundojnë në kapjen e vetë shtetit”, – e mbyll ai.

Shkreli: Paketë ligjore për kontrollin mbi territorin 

Artan Shkreli, kryetar i Shoqatës Kombëtare të Arkitektëve të Shqipërisë, një nga moderatorët e konferencës kombëtare” Shqipëria e gjeneratës tjetër”, thotë për “DË”, se vënia në kontroll e territorit dhe rivitalizimi i potencialeve të tij ekonomike kalon në disa faza. “Në krye të tyre qëndron evidentimi i situatës, në të cilën ndodhet territori i Shqipërisë, pra “skaneri” i tij për të bllokuar dëmtimin e mëtejshëm. Juristë dhe ekspertë të fushave të tjera, që lidhen me territorin dhe ekonominë, janë ngarkuar të hartojnë akte ligjore për të ndaluar katastrofën ndërtimore, në prag të së cilës ndodhet Shqipëria. Jemi në një gjendje të jashtëzakonshme dhe po përgatitet një paketë ligjore për t’iu përgjigjur kësaj emergjence kombëtare. Krahas paketave dhe nismave ligjore do të realizohet planifikimi në bazë të analizave dhe studimeve të territorit. Do të ketë një plan strategjik të asistuar nga ekspertët ndërkombëtarë. Do të realizohet një “open system”, ku krahas ekspertëve ndërkombëtarë, do të përfshihet edhe komuniteti”, – thekson z. Shkreli. Ekspertët ndërkombëtarë, që erdhën këtë javë në Shqipëri, propozuan që vendosja e kontrollit mbi territorin do të paraprihet me fazën e shkatërrimit të ndërtesave të jashtëligjshme në bregdet dhe miratimit nga Parlamenti të një moratoriumi 6-mujor për të ndaluar ndërtimet dhe zhvillimet industriale. Kjo do të mundësojë që ekspertët të realizojnë studime për ndërtime të planifikuara dhe të integruara në bregdet.

 

Shembja e Piramidës në qendër të Tiranës u kundërshtua edhe nga ekspertët e huaj. Në çështjet dhe sfidat e shumta, që territori për një “Shqipëri të gjeneratës tjetër” paraqet, bën pjesë edhe qëndrimi ndaj ndërtimeve dhe simboleve të periudhës së komunizmit. A duhet të fshihen, apo të mbeten? Ideja zotëruese e ekspertëve vendas dhe atyre ndërkombëtarë, pjesëmarrës në konferencën ”Shqipëria e gjeneratës tjetër” ishte që të mos fshihen, por të mbeten duke rinovuar vlerat e tyre historike dhe kulturore. Ata sugjeruan që Piramida të mbetet si dëshmi e historisë dhe të shërbejë për performanca arti apo leksione. Në këtë nismë shumëdimensionale për të vendosur kontroll mbi territorin dhe për të zbatuar një model të ri të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, qeverisë së re “Rama” do t’i duhet të përvijojë politikat përkatëse. Liberale apo konservatore? “Nëse bëhet fjalë për shkatërrim të rregullave të lojës, për moszbatim të tyre, politikat do të jenë konservatore, jo liberale. Nëse ato i shërbejnë zhvillimit, meritës, do të jenë liberale”, – thotë arkitekti Artan Shkreli.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama