Tirana filloi transferimin e një sasie të konsiderueshme armësh dhe municionesh për forcat ushtarake të kurdëve të Irakut për t’i ndihmuar për ndalimin e përparimit të militantëve suni të Shtetit Islamik Një burim nga Ministria e Mbrojtjes, i cili foli në kushtet e anonimatit për shkak se operacioni ushtarak është formalisht sekret shtetëror, i tha BIRN se transferimi i armëve ka filluar pas një vendimi qeverie më herët këtë muaj.
Së paku një avion C-17 i forcave ajrore, zakonisht i përdorur për transportimin e armëve dhe municioneve, u pa duke u nisur nga Aeroporti Nënë Tereza i Tiranës të dielën.
Sipas një vendimi të marrë më 15 gusht dhe të publikuar në fletoren zyrtare të martën, Tirana do të transferojë 22 milionë fishekë të kalibrit 7.62 milimetra dhe që përdoren nga automatikët AK-47 të njohur si kallashniovë, 15 mijë granata dore defensive dhe 32 mijë predha artilerie të kalibreve të ndryshme.
Tirana njoftoi gjithashtu se do t’i dhurojë 10 mijë automatikë model-56 Afganistanit.
Dhuratat janë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për të ndihmuar trupat kurde të Irakut të luftojnë me militantët e Shtetit Islamik, një organizatë e njohur më herët edhe si ISIS apo ISIL, e cila ka pushtuar pjesë të mëdha territori në Irak e Siri dhe ka kryer krime të shumta – i fundit prej të cilave qe prerja e kokës së gazetarit amerikan James Foley, i cili qe rrëmbyer shumë kohë më parë.
Në një deklaratë të dhënë të martën, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Chuck Hagel, tha se shtatë qeveri perëndimore përveç Shteteve të Bashkuara kanë premtuar të japin armë dhe municione për forcat kurde.
Përveç mbështetjes nga SHBA dhe qeveria qendrore e Irakut në Bagdat, shtatë kombe të tjera – Shqipëria, Kanadaja, Kroacia, Danimarka, Italia, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar – janë angazhuar të ndihmojnë duke ofruar armë dhe pajisje për forcat kurde me urgjencë,” tha Hagel.
“Operacionet sakaq kanë filluar dhe do të përshpejtohen gjatë ditëve të ardhshme kur më shumë kombe pritet të kontribuojnë,” shtoi ai.
Shteti Islamik, i njohur më herët si ISIS apo ISIL, u themelua në vitet e para të Luftës së Irakut dhe u bë e njohur si Al Kaeda në Irak.
Organizata militantiste islamike po lufton për krijimin e një Kalifati Islamik në Lindje të Mesme. Shtetet e Bashkuara së fundmi kanë nisur sulme ajrore për të ndalur përparimin e Shtetit Islamik në rajonet kurde të veri-perëndimit të Irakut.