Shqipëria duhet të vazhdojë luftë kundër korrupsionit dhe duhet të forcojë edhe më tej hetimit financiar. Pohimi u bë dje nga Presidenti i Senatit të Republikës së Italisë, Pietro Grasso, i cili ndodhet në një vizitë 2-ditore në Tiranë. Gjatë fjalës së tij në çeljen e edicionit të parë të “Javës Italiane”, Presidenti i Senatit italian vuri theksin mbi mundësitë dhe potencialet e investimit të kompanive italiane në Shqipëri në disa sektorë prioritarë. Ndërsa Kryeministri Edi Rama, duke e vlerësuar Italinë si një partnere të rëndësishme strategjike për vendin tonë, tha se rritja e investimeve italiane në Shqipëri, do të jetë në interes të dy vendeve.
Java italiane
“Jam i lumtur që ndodhem këtu në Shqipëri, edhe në kuadër të “Javës Italiane” në Tiranë. Dua të them se Italia është një partner i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë. Por vlen të theksohet se duhet të forcohet bashkëpunimi mes dy vendeve në sektorët strategjikë. Sipërmarrësit italianë janë të pranishëm në shumë sektorë në Shqipëri, por ka ende vend për investime. Në Shqipëri ka një klimë të favorshme për investime. Por e rëndësishme është që Shqipëria të vijojë më realizmin e reformave dhe me luftën ndaj korrupsion. Korrupsioni është pengesë për zhvillimin e vendit, ndaj duhet të forcohen hapat në këtë drejtim. Gjithashtu duhet të forcohet hetimit financiar, duke rritur kështu edhe interesin e sipërmarrësve të huaj për investime në Shqipëri. Ne mbështesim integrimin e Shqipërisë në Bashkimi Evropian, dhe vlerësojmë arritjet e bëra deri më tani”,- tha Grasso. Ndërsa ambasadori i Italisë në vendin tonë, Massimo Gaiani, në fjalën e tij të hapjes së aktiviteteve, shprehu dëshirën që ky event të zhvillohet çdo vit, duke ndërthurur sektorë të ndryshëm. “Prania e sipërmarrësve italianë në Shqipëri është e madhe, ndërkohë që klima e investimeve në Shqipëri, krijon mundësi të reja. Në kuadër të kësaj jave në Shqipëri do të vijnë sipërmarrës italianë që shfaqin interes për të investuar në sektorë të ndryshëm. Shpresojmë që edhe në vitet e ardhshme këto aktivitet të kenë shtrirje më të gjerë”, - tha ambasadori Gaiani. E ndërkohë Rama theksoi se Shqipëria ka vullnet për të nxitur edhe më tej marrëdhëniet mes dy vendeve, duke renditur dhe lehtësirat për biznesin. “Jemi të parët për dashurinë për Italinë, por të fundit për shkëmbimet tregtare për këtë vend. Kemi vullnet për të nxitur marrëdhëniet mes dy vendeve duhet krijuar një faqe e re në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, sipërmarrësit italianë mund të migrojnë në Shqipëri, marrëdhëniet mes dy vendeve janë intensifikuar. Prania e 170 ndërmarrjeve italiane këtu gjatë kësaj jave, është një gur themeli për të rritur në një rrugë të re këtë bashkëpunim. Një fluks i ri investimesh italiane do të derdhen në interesin reciprok. Në Shqipëri, mund të fitohet më shumë se në Itali, e paguhen më pak taksa, ka më pak burokraci se në Itali, dhe ka më shumë nevojë për punë dhe shumë më pak kosto të punës”, - tha kryeministri. Rama shtoi se qeveria shqiptarë po punon për përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit në vend, dhe krijimin e kushteve të favorshme për operimin e sipërmarrësve të huaj në tregun shqiptar. “Ajo që pengon në investime është taksa e mbartur prej vitesh, e cila rëndon mbi sipërmarrësit. Vetëm ne, Irani dhe Gambia, kemi këtë. Ndërkohë që tashmë po diskutojmë çdo ditë për të ndryshuar këtë situatë, dhe për të përmirësuar klimën e biznesit në vend. Po reformojmë agjencinë tonë të investimeve të huaja e cila do të jetë shumë shpejt dera e hapur, që do presë, dhe shoqërojë me procedura të shpejta dhe të lehtësuara gjithë investitorët e huaj, në çdo derë të administratës, për të bërë të mundur që përgjigjet të vijnë sa më shpejt”, - shtoi ai. Kreu i qeverisë tha se pavarësisht problemeve që ka, Shqipëria është një vend tërheqës për të huajt. Në ditën e dytë të vizitës së tij, më 6 maj, kreu i Senatit italian do të mbajë pranë Universitetit të Tiranës, në orën 10:30 tek salla “Liria” në Qytetin Studenti, një leksion me temë “Italia dhe Shqipëria së bashku për Evropën e së ardhmes”. Në një ceremoni të veçantë pranë këtij fakulteti pritet t’i jepet dhe titulli “Honoris Causa”.
Prezantohen dy librat e Grassos
Presidenti i Senatit italian, Pietro Grasso, në vizitën dy ditore në Shqipëri rezervoi një pjesë të kohës së tij dhe për të diskutuar për dy librat e tij që flasin për luftën kundër Mafias. Librat “Per non morire di Mafia” (Për të mos vdekur nga Mafia) dhe “Lezioni di Mafia” (Leksione Mafie) u prezantuan dje, nga gazetari Carlo Bollino, para një publiku të gjerë ku nuk mungonin dhe deputetë të opozitës si Majlinda Bregu dhe Edi Paloka, deputeti socialist Fatmir Xhafaj, por dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë Artan Didi, ish-Kryeprokurorja Ina Rama dhe të rinj e përfaqësues të medias. “Mafia nuk mund të luftohet vetëm me prokurorë e gjykatës antimafia, por kërkon gjithë impenjimin e shoqërisë, sidomos të të rinjve”,- tha Grasso i cili ka qenë ish Prokuror i Përgjithshëm i Antimafias italiane. Deputeti Edi Paloka, pasi bleu librat e ish-kryeprokurorit , ishte i pari që shkoi dhe i kërkoi autograf.
Grasso-Nishanit: Italia mbështetëse e integrimit të Shqipërisë në BE
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta pritën në takime të veçanta Presidentin e Senatit të Republikës italiane, Pietro Grasso. Në takimin me Kreu e Shtetit, Grasso tha se prania e tij në Tiranë pas vizitës së Presidentit Napolitano është shprehje e qartë e vijueshmërisë së vëmendjes së Italisë ndaj Shqipërisë dhe e mbështetjes së integrimit të saj evropian, që është pjesë e strategjisë italiane, e cila lidhet me nevojën e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkan. Ai shtoi se kjo përbën një interes të përbashkët dhe se Italia mbetet realisht një mbështetëse e bindur e këtij misioni. “Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe politik ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë dhe shprehën bindjen se ka ende mundësi për zgjerimin e bashkëpunimit në kuadër të Projektit TAP, të projekteve infrastrukturore dhe investimeve, veçanërisht në fusha si energjetika dhe bujqësia,”- theksohet nga Presidenca. Presidenti Nishani dhe Kryesenatori Grasso vunë në dukje rezultatet e arritura falë bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare dhe italiane në luftën kundër krimit të organizuar dhe shprehën bindjen në fitimin e kësaj lufte. Ai vlerësoi eksperiencën, përkushtimin dhe profesionalizmin e Presidentit Grasso në këtë fushë. Ndërsa në takimin me Metën ai ka rikonfirmuar edhe njëherë mbështetjen për Shqipërinë në rrugën e saj në BE. Ndërsa kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, vlerësoi marrëdhëniet e bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe mbështetjen që Italia i ka dhënë vendit tonë në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Presidenti i Senatit italian Pietro Grasso është takuar edhe me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.