Rumania është një nga kundërshtarët më të sikletshëm për Shqipërinë. Në përballjen e nesërme, kuqezinjtë nuk kanë përballë vetëm një skuadër të fortë, por edhe historikun. Megjithatë, kjo Kombëtare ka forcë dhe mund të gjejë shumë arsye të ndryshme për të besuar se mund të fitojë. Fitorja e fundit ndaj Rumanisë daton në vitin e largët 1948, por Xhani De Biazi dhe Shqipëria në këto vitet e fundit është shndërruar në një skuadër që mund të thyejë tabu dhe të ëndërrojë. Mjafton të kujtojmë se kuqezinjtë për herë të parë po luajnë në një kompeticion të rëndësishëm si Europiani dhe janë gati të bëjnë gjithçka për të vazhduar sa më gjatë këtë ëndërr të bukur.
Tronditëm Norvegjinë
Nën drejtimin e Xhani De Biazit, për herë të parë në histori kuqezinjtë arritën një fitore të madhe pak vite më parë. Në Oslo të Norvegjisë, "shqiponjat" triumfuan me golin e Hamdi Salihit falë skemës perfekte të përgatitur nga trajneri italian. Triumfi në Norvegji mund të konsiderohet si një nga fitoret më historike të kuqezinjve.
"Predha" e Balajt
Një tjetër triumf historik është fitorja me Portugalinë. Goli i Bekim Balajt i dha hovin skuadrës së De Biazit drejt një kualifikimi të mundshëm në Europian. Kështu rezultoi. Fitorja në tokën luzitane ishte e bekuar dhe i dha forcë Shqipërisë për të shkuar në Francë. Më parë, nuk e kishim mundur asnjëherë tjetër Portugalinë.
Franca dhe Danimarka
Për herë të parë në histori, kjo Shqipëri arriti të merrte rezultat pozitiv edhe ndaj një skuadre të fortë dhe të madhe si Franca. Pavarë- sisht se ishin thjesht ndeshje miqësore, De Biazi mori barazimin në transfertë dhe triumf në "Elbasan Arena". Gjithashtu, kuqezinjtë gjatë këtyre eliminatore morën për herë të parë një barazim në transfertën daneze përballë një rivali që gjithmonë na kishte mundur në shtëpinë e tij. Për herë të parë Shqipëria fitoi edhe me Slloveninë.
Armenia
Shqipëria arriti të fitonte atëherë kur duhej për të marrë 3 pikët që e dërguan në Francë. Triumfi 0-3 ndaj Armenisë ishte një tjetër rezultat pozitiv për Shqipërinë, por nesër do të luajmë kundër Rumanisë. Një skuadër e fortë dhe cilësore, por ne kemi arsye pse mund të besojmë te fitorja.
STATISTIKAT
13.10.1946 Shqipëri-Rumani 1-0
25.05.1947 Shqipëri-Rumani 0-4
02.05.1948 Rumani-Shqipëri 0-1
23.10.1949 Rumani-Shqipëri 1-1
29.11.1949 Shqipëri-Rumani 1-4
08.10.1950 Rumani-Shqipëri 6-0
18.04.1971 Rumani-Shqipëri 2-1
29.10.1972 Rumani-Shqipëri 2-0
06.05.1973 Shqipëri-Rumani 1-4
25.03.1987 Rumani-Shqipëri 5-1
28.10.1987 Shqipëri-Rumani 0-1
20.09.1988 Rumani-Shqipëri 3-0
06.09.2006 Shqipëri-Rumani 0-2
21.11.2007 Rumani-Shqipëri 6-1
03.09.2010 Rumani-Shqipëri 1-1
11.10.2011 Shqipëri-Rumani 1-1
31.05.2014 Shqipëri-Rumani 0-1
Bilanci: 2 fitore Shqipëria; 3 barazime; 12 fitore Rumania