Shqiperia jetohet vetem ne gjysmen e saj

Shqiperia jetohet vetem ne gjysmen e saj

Në kujtimet e shumë shqiptarëve nuk kanë mbetur pa lënë gjurmë vitet e para ’90-ës, për faktin  pse ishte sistemi një partiak (parti-shtet) dhe nuk ishte bërë liberalizimi i ekonomisë së orientuar drejt ekonomisë së tregut. Pas këtij viti filloi lëvizja e lirë e popullsisë drejt zonave urbane dhe emigrimi masiv në mënyrë të pakontrolluar.

Nuk jam aspak që të instalohet përsëri ajo formë regjimi, por jam për këtë që shumë gjëra që kanë të bëjnë me rregullin, shërbimin, sigurinë, apo edhe ekonominë apo industrinë e më gjerë, për kohën që po kalojmë, lënë shumë për të dëshiruar, pse jo, edhe ndoshta për t’i patur zili asaj kohe.

Nuk mund të rri pa e ndarë këtë gjë që e kam bërë me familjen dhe fëmijët e mi, edhe me të gjithë ata persona që nuk e kanë jetur atë kohë, duke kujtuar shumë gjëra, pavarësisht vështirësive të mëdha që kemi patur.

Kam punuar si financier në sektorin e financës, revizor në sektorin e furnizim-shpërndarjes në një zonë të thellë malore dhe me një popullsi prej rreth 7000 banorë atëherë, kurse sot mund të shkojë tek 2000-2500 banorë. Pra pothuajse rreth dy të tretat janë larguar nga kjo zonë, dikush për shkaqe ekonomike apo faktorë objektivë dhe subjektivë, duke lënë ndoshta fshatra të ndryshme pa asnjë banor, vetëm e vetëm për mosorientim të duhur në lidhje me të ardhmen. Në lidhje me këtë po sjell në kujtesë disa gjëra që nuk rri dot pa i përmendur.

Në çdo fshat, sado i thellë apo i largët të ishte, kishte shkollën, ambulancën, dyqanin me artikuj ushqimorë dhe veshmbathje, furrën e bukës, postë-telegrafin, kabinën elektrike, shtëpinë e kulturës, biblotekën pranë çdo shkolle, mensën, mullirin e blojës, magazinën, tufat e bagëtive me të imta dhe të trasha, kafshët e transportit, në shumë raste edhe baxhot e përpunimit të qumështit etj., etj..

Mbi të gjitha këto, kishte një rregull dhe edukatë që kishte të bënte me ofrimin e shërbimeve me një korrektësi të madhe për ato që ishin në atë kohë, pa marrë parasysh vështirësitë e motit apo infrastrukturën e dobët. Dua të them se në atë kohë ishte shumë problem furnizimi me bukë për shkak se nuk sigurohej dot në vend për të gjithë periudhën dhe se mjetet në dispozicion ishin të kufizuara.

Por ama edhe pse nuk sigurohej dot, çmimi sado kosto të kishte, ishte i njëjtë në të gjithë Shqipërinë, jo vetëm për bukën, por për të gjitha produktet bujqësore, blegtorale, industriale.

A e dini një gjë se nëpër zona të ndryshme dërgoheshin kuadro të specializuar me arsimin përkatës sipas fushave, nga njëri cep në cepin tjetër të Shqipërisë, pavarësisht distancave. Po sot? Nuk është fare normale që sot me qindra ha tokë, të mos punohen nëpër këto fshatra, ku dikur punohej me qe e parmendë.

A e dinë të rinjtë se lidhja me telefon e çdo fshati bëhej me dy tela nëpër shtylla, ku distanca shkonte me km të tëra dhe se nuk e vidhte kush telin, edhe pse në mes të malit?

Po sot cili objekt rri pa roje, se me roje dhe po grabiten? Si është niveli i përgatitjes së të rinjve nëpër shkolla krahasuar me vitet e shkuara, pavarësisht teknologjive bashkëkohore?

Pra, mos vallë ka ardhur koha që shteti të vërë dorë edhe mbi fshatin e braktisur prej shumë vitesh, duke subvencionuar në fillimet e para edhe me humbje, në mënyrë që jeta të jetohet kudo dhe me parametra të kohës? Përqendrimi është i mirë, por edhe shpërndarja në territor ndikon edhe më mirë në të gjitha aspektet.

Gjithë kjo elitë e papunë dhe e arsimuar besoj se të ardhmen duhet ta shikojë jo vetëm në zona urbane, por gjithandej, pasi edhe jeta ka qenë e organizuar dikur si në fshat, ashtu edhe në qytet. Teknologjia ka avancuar shumë përpara, kurse njerëzit në përgjithësi janë dembelosur duke kërkuar gjithçka pa shumë sforcime e lodhje fizike, lënë shumë gjëra në mëshirë të fatit


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama