Numri i kishave dhe xhamive
Sot numërohen 1668 kulte fetare të pesë komuniteteve fetare, tashmë të njohura nga shteti shqiptar. Shifrat e objekteve fetare kanë ndryshuar shumë vitet e e fundit, për shkak të ndërtimeve të reja ose të mosfunksionimit më të disave prej tyre. Sipas një raporti të saktë të bërë nga gazeta “Tirana Observer”, në Shqipëri ekzistojnë 873 xhami dhe 794 kisha. Zëdhënësi për median i Komunitetit Ortodoks, Thoma Dhima, u shpreh se në të gjithë vendin numërohen 450 kisha, ndër të cilat 70 prej tyre funksionojnë edhe si qendra rinore, shëndetësore, mensa për të varfrit etj. Drejtuesit e besimit katolik deklaruan se në vend numërohen 196 objekte fetare të këtij besimi, prej të cilave 67 funksionojnë si qendra baritore nëpër fshatrat e thella të Shqipërisë, kjo edhe sipas famulltarit Sh.T.Mons.George Frendo O.P. Komuniteti protestant (ungjëllor) numërohen 148 kisha, ku 48 prej tyre gjenden në Tiranë. Ndërsa përsa i përket komunitetit myslyman, sipas zëdhënësit të medias llogariten rreth 700 xhami, por sipas tij mund të ekzistojnë edhe më shumë. Në komunitetin bektashinjë janë 173 teqe, në gjashtë gjyshata të vendit.
Kultet fetare
Duke u nisur nga besimi i shqiptarëve, që i takon më shumë atij mysliman, nga ky raport del se edhe numri më i madh i kulteve fetare i takon këtij besimi. Kjo lidhet me besimin e popullit, edhe pse vitet e fundit kemi një rritje të besimeve katolike, ortodokse e protestante. Sipas të Dhënave Botërore, 38,8% e popullsisë së vendit është myslimane (30 % mysliman suni, bektashiane 8 %), 25 % ortodokse shqiptare dhe 13 % katolike, ndërsa për protestantët ende nuk ka një përqindje të saktë. Shumë nga objektet fetare të besimeve të ndryshme shërbejnë jo vetëm për të kryer ritualet fetare, por edhe si ambiente edukimi dhe argëtimi për brezat e rinj, ku në thelb kanë praktikimin e fesë. në qytete e fshatra janë ngritur qendra rinore, ku çdo vit organizojnë veprimtari si: kampingje verore dhe dimërore, konferenca, veprimtari sportive etj. Rëndësia më e veçantë e kulteve ka të bëjë me vlerat kulturore dhe arkitekturore. Pjesa më e madhe e objekte kanë rëndësi historike dhe shërbejnë për të identifikuar periudha të veçanta të historisë së vendit. Shumë prej tyre janë shpallur monumente kulture, si Xhamia e Et’hem Beut, Kisha e Shën Mërisë, Kisha e Shën Nikollës, Teqeja e Frashërit etj. Sipas Komunitetit Shtetëror për Kultet, janë shpallur monumente kulture 201 kulte fetare, nga të cilat 33 objekte i përkasin fesë islame (Myslimane dhe bektashinjtë) dhe 168 fesë së krishterë (katolike dhe ortodokse).
700
Është numri i xhamive në të gjithë vendin. Të dhënat janë marrë nga komuniteti mysliman.
133
Është numri i tyrbeve në vendit tonë. Të dhënat janë marrë nga Kryegjyshata Botërore në Tiranë. Bektashizmi është një sekt i fesë islame.
794
Është numri i kishave katolike, ortodokse dhe prostate në Tiranë. Nga këto 196 kisha janë katolike, 148 kisha i përkasin fesë protestante dhe 450 i përkasin fesë ortodokse.
Kishat ortodokse
Në Shqipëri numri më i madh i kishave është i fesë ortodokse, dhe në jugun e vendin është shtrirja më e madhe e kishave.
Rritja e protestantizmit
Në Shqipëri vitet e fundit një pjesë e madhe besimtares katolikë, ortodoksë, por edhe myslimanë po kthehen në masë në protestantë.
1
Është numri i sinagogave në Shqipëri. Hebrenjtë para disa ditësh u zyrtarizuan si feja e pestë në Shqipëri, dhe aktualisht kanë vetëm një sinagogë.
Historia e feve në Shqipëri, nga krishterimi tek islamizmi
Shqipëria veç harmonisë fetare duket se është dhe pasqyra më e mirë e të gjitha besimeve kryesore sot në botë. Duke iu referuar studimeve të shumta të historianëve, rezulton se fillimet e besimit fetar në Shqipëri nuk janë të shkëputura nga pjesa tjetër e botës.
Islamizmi
Kontaktet e shqiptarëve me botën islame, janë relativisht më të vona se ato të pjesës më të madhe të popujve evropianë. Islami u shfaq për herë të parë në kontinentin e vjetër në fund të mijëvjeçarit të parë (shek. 9-10-të). Depërtimi i Islamit në Evropë dhe në trojet shqiptare para paraqitjes së Perandorisë Osmane u bë përmes Spanjës. Pas zgjerimit të Perandorisë Osmane nga të gjithë popujt e Evropës Osmane pjesa dërmuese e popullit shqiptarë dhe atij boshnjak pranuan Islamin si fe të tyre. Nga shekullit të 15-16-të e në vijim në qytetet kryesore të Shqipërisë u ngritën institucione të rëndësishme të kultit islami (xhami). Islami u përhap më shumë në Shqipërinë e Mesme si dhe në territoret shqiptare që tashmë ishin nën pjesën sllave. Në shekullin e 18-19-të islami pati një lulëzim fetar dhe kulturor në Shqipëri. Pranimi i islamit nga shqiptaret shpjegohet edhe me rolin që do të luante kjo fe për diferencimin e shqiptareve prej sllavëve (zona e Kosovës) dhe grekëve (zona Çamërisë) të cilët sidomos pas shekullit XVIII kishin filluar një politike asimiluese ndaj shqiptarëve. Feja Islame në Shqipëri është karakterizuar kryesisht nga prezenca e shumicës së myslimanëve sunitë dhe pakicës së urdhrit bektashi.
Bektashizmi
Bektashizmi është dogmë mistike islame që merret me përsosmërinë shpirtërore të njeriut. Ai i ka rrënjët në Kuran dhe në mësimet e Profetit Muhamed e të imamëve të shenjtë, i cili respekton të gjitha fetë monoteiste.Bektashizmi e mori këtë emër pse, si institucion fetar, u organizua nga i shënjti Hunqar Haxhi Bektash Veliu, i cili është nga Persia dhe lindi në qytetin Nishapur në vitin 1248 pas Krishtit. Në Shqipëri bektashizmi është shfaqur në fund të shekullit të 12-të dhe në fillim të shekullit të 13-të. Në 1925 , kur Ataturku ndërmori reformat e ashpra laicizuese të shtetit për krijimin e Turqisë moderne, Shqipëria u bë vendi i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve duke mbetur edhe sot e tille Pakkush e di se Shqipëria, ky vend i vogël, është seli e një kryeqendre botërore të besimeve. Është interesant të vihet re se edhe gjatë periudhës së ateizmit nuk pati pretendime nga shtete të tjera ku ka bashkësi besimtarësh bektashinj për të marrë rolin e kryeqendrës. Bashkësia bektashije e Shqipërisë u shpall e pavarur në vitin 1921. Shume teqe bektashinj u bënë qendra rezistence kundër italianeve dhe kundër gjermaneve si baba Fejozo dhe baba Faja duke llogaritur gjate luftës rreth 6000 bektashianë të organizuar.
Protestanizmi
Gjurmët e para të Krishterëve Ungjillorë i gjejmë në vitin 1819 kur Shoqëria “Biblike Britanike dhe për të Huaj” ngarkoi Vangjel Meksin të përkthejë Dhjatën e Re në shqip, e cila u botua në vitin 1827. Në vitin 1864 Konstandin Kristoforidhin ripërktheu Dhjatën e Re në dialektet Gegë dhe Tosk, e cila përfundoi në vitin 1884. Ungjillorët shkonin qytet më qytet për të përhapur Bibla,k por edhe abetare dhe gramatika të gjuhës shqipe. Në 14 Nëntor 1892, Gjerasim Qiriazi me një grup atdhetarësh Ungjillorë themelojnë “VELLAZËRINË UNGJILLORE”. Më 1908 Ungjillorët morën pjesë aktivisht në organizimin dhe punimet e Kongresit të Manastirit. Gjatë regjimit Komunist ungjillorët pësuan persekutime dhe më ardhjen e demokracisë kishin mbetur rreth pesë burra besimtarë nga Kisha e Korçës e kohës së paraluftës. Me ardhjen e demokracisë në vitin 1992, VUSH –i rinis veprimtarinë e saj, në vazhdim të punës dhe veprës së të krishterëve shqiptarë të shekujve të parë dhe të atdhetarëve Ungjillorë si: Gjerasim Qiriazi, Grigor Cilka, Kristo Dako etj. Ndryshimi i statusit nga ai i shoqatave fetare në Bashkësi fetare (komunitet), i ungjillorëve u bë më 22 nëntor të vitit 2010, i miratuar nga Këshilli i Ministrave te Republikës se Shqipërisë, 118 vjet nga themelimi i VUSH –it.
Katolicizmi
Shqipëria ka qenë, në fakt, një nga vendet e Evropës që u has më hershëm me krishterimin dhe ka një histori të gjatë me këtë besim fetar. Rreth 10-15 % e popullsisë fetare shqiptare është katolike, komuniteti i tretë më i madh fetarë pas Islamit dhe Ortodoksisë. Kisha katolike në Shqipëri është pjesë e Kishës në mbarë botën katolike, nën udhëheqjen shpirtërore të Papës në Romë. Ka gjashtë dioqeza në vend, duke përfshirë dy arkidioqeza plus një Administratë Apostolike, që mbulon Shqipërinë jugore. Ajo lindi në vitin 1054 pas skizmës së madhe që ndau bashkësinë e krishterë në dy pjesë kryesore, në kishën lindore dhe atë perëndimore. Ajo pretendon se në të qëndron trashëgimia e kishës universale të themeluar nga Jezu Krishti, fjala katholikos do të thotë pikërisht universale.
Ortodoksizmi
Krishtërimi Ortodoks ka ekzistuar në Shqipëri që nga shekulli 2 pas Krishtit dhe ortodoksët historikisht përbënin 25 % të popullsisë së Shqipërisë. Komuniteti i parë ortodoks që përdori gjuhën shqipe në liturgjinë ishte në Boston, Massachusetts, SHBA, në vitin 1908 në mesin e një grupi të emigrantëve shqiptar i kryesuar nga Fan Noli. Kishat ortodokse të kombeve të ndryshme janë autoqefale të pavarura. Auto-vetë dhe kefalo-kokë, çka do të thotë se drejtohen vetë, por pranojnë një kryetar nderi të Patriarkanës se Konstandinopolit; kishat ortodokse me të rëndësishme janë ato greke, ruse, serbe dhe ajo rumune. Në vitin 1937 Komuniteti Ortodoks i Shqipërisë është autoqefal, nga Patriarkana Ekumenike, që e futi atë si të barabartë në familjen e Kishave.
Arkitektura e kulteve fetare
Objektet fetare në vetvete mbajnë një mister për nga ana e ndërtimit të tyre. Në momentin e parë që i shikon e përballesh me to, të ngjajnë të paarritshme nga ana e arkitekturës. Arkitektura Islame është pjesa më e përhapur dhe më e zhvilluar e artit islam që edhe sot e kësaj dite zhvillohet edhe më tej. Me arkitekturën Islame nënkuptojmë zhvillimin e arkitekturës, stileve dizajnëve dhe veprave të ndryshme arkitekturale nga ana e arkitektëve myslimanë dhe jo myslimanë në vendet islame dhe për myslimanët. Në këtë arkitekturë përfshihen edhe stilet sekulare edhe ato fetare, por më të shprehura janë ato fetare. Ndër ndërtimet arkitekturale më të përhapura dhe më të përpunuara e dizajnuara artistikisht janë xhamitë. Përveç ndërtimit të xhamive në arkitekturën islame përfshihen edhe pallatet edhe kalatë, banjot publike, fontanat, urat si dhe ndërtime tjera arkitekturave që kanë vlera të larta artistik. Ndërsa karakteristikat e kishave janë format planimetrike njënefshe, teknika e ndërtimit të mureve me gurë të skuadruar, fillimisht më të gjatë se të lartë, por që gjatë shek. XV priren drejt formave katrore, muret me pilastra që lidhen me harqe të verbër, harqet dhe qemerët me profil të mprehtë, ngritja vertikale e godinës dhe mungesa e kupolave. Me futjen në vendin tonë të urdhrave kishtare domenikane dhe françeskane, ndërtohen disa godina kulti që kanë të mbuluar me qemer vetëm mjedisin e altarit. Të tilla janë katedralja e Shën Stefanit në kalanë e Shkodrës dhe kisha e Shën e Premtes në Çetë të Kavajës. Këto objekte vijnë nga një pjesë e historisë sonë dhe zhvillimit të artit ikonografik deri te bota e mistershme e kultit në fshehtësi dhe nga ana tjetër e zbulimit të këtyre perlave nga çdo shikim i mprehtë vendas e i huaj.
Objektet e kultit mes shërbesave dhe artit
Objektet e kultit në Shqipëri nuk kanë shërbyer gjithmonë në shërbim të fesë që përfaqësojnë. Në shumë raste fati i tyre ka qenë edhe më i keq, së pari, janë përdorur për t’iu ardhur në ndihmë besimtarëve dhe fesë së tyre. Por jo vetëm kaq, viti 1967 e ktheu Shqipërinë në të vetmin vend ateist në botë. Diktatura e atëhershme i prishi kishat, xhamitë dhe teqetë. Pra, në Shqipëri që nga viti 1967 e tutje nuk kishte njeri që ndiqte zakonet fetare hapur. Kështu shumë nga këto objekte kulti u shkatërruan dhe u përdorën tërësisht për tjetër funksion. Shumë xhami përdoreshin si magazina të grurit apo të duhanit e kështu me radhë, ku nuk mungon dhe rasti i Shkodrës, që një xhami u bë sallë kinemaje. Këto vepra arti të ndërtuara me aq mjeshtëri nga arkitektët më të mirë shqiptarë dhe të huaj arritën të katandiseshin në atë mënyrë.