Shqiperia ka shume per te ndertuar

'Shqiperia ka shume per te ndertuar'
Milena Harito mund të konsiderohet ndër shqiptaret e para që nisi punë në profesionin e saj, pas largimit nga Shqipëria, fill pas rënies së regjimit komunist. Studente me medalje ari në informatikë, ajo zgjodhi Francën, ku në prill të vitit 1991, nisi punën si inxhiniere informatike. Vetëm një vit më pas, vendosi të heqë dorë nga puna dhe fitimin ta investojë në studime më të larta master, e pastaj doktoraturë në shkencat informatike. Rezultatet e shkëlqyera në këto studime i dhanë mundësinë të pranohet në qendrën më të madhe të inovacionit për telekomunikacionet në Europë. Më pas u promovua si anëtare e drejtorisë së strategjisë së kolosit “France Telecom”, një strukturë e ngushtë mendjesh të përzgjedhura përmes një procesi të thellë analitik, që drejton të gjitha rrjetet e telekomunikacioneve franceze, me një xhiro vjetore 50 miliardë euro

 
Pas një largimi të gjatë ju jeni rishfaqur në Shqipëri me një libër për politikën. Çfarë ju shtyu të shkruani librin “Pesha e pushtetit” ndërkohë që politika nuk duket të ketë lidhje me profesionin tuaj?

Arsyeja e thellë dhe e përhershme është padyshim së pari interesi për vendlindjen,  “thirrja e të parëve” e përforcuar nga vetëdija e një përkatësie të pashlyeshme shoqërore, që më shtyn herë pas here drejt pjesëmarrjes në debatet publike me një kontribut modest shkrimesh në shtyp. Por edhe më konkretisht sëkëlldia nga dasia deri në urrejtje e ushqyer midis palëve në arenën politike. Kisha dëshirë të bëja diçka, sado të vogël,  për të demistifikuar rolet e luajtura deri tani nga krerët ë shtetit, rolet e « zotave shpëtimtarë» që  kanë qënë miti ynë i madh. Dëshiroja të konfrontoja me realitetin idenë që ky apo ai « e shpëton » Shqipërinë, « e rregullon » situatën. Ndërkohë që në demokraci askush nuk mund e nuk duhet të jetë i plotfuqishëm, as kreu i shtetit apo qeverisë.  Secilit i duhet të ndërtojë diçka duke dhënë e duke marrë në raporte forcash me shumë të tjerë. Megjithatë më ngjan se ekuilibri,  i  cili është vendimtar në këto raporte forcash, shpesh ka munguar sidomos vitet e fundit.
 
Karriera juaj në Francë është një rrugëtim i admirueshëm jo vetëm për një shqiptare që u nis drejt Francës si emigrante, por edhe për këdoqoftë në profesionin tuaj. Sa i ngjan ajo që ju jeni sot, asaj që ju nxiti të largoheshit nga Shqipëria kohë më parë?

Jo dhe aq do të thosha, por besoj se kjo është ë vërtetë për shumëkënd që jetoi jashtë Shqipërisë dhe u përball me realitete të tjera, të vërteta të tjera e pse jo edhe me dogma të tjera se çdo vend ka dogmat e veta. Sa për karrierën time përsëri nuk jam e vetmja që sot mund të thotë se ja doli. I shoh si të realizuar shumë shqiptarë që njësoj si unë u larguan për të ndjekur ëndrrat e tyre. Këtu fus edhe ata qindramijëra që s’kishin asgjë veç krahut të tyre të punës dhe dëshirës për një jetë të ndryshme dhe sot janë integruar në realitete të shumëllojshme, punojnë në mënyrë të ndershme dhe  rrisin falë punës së tyre fëmijë që edukohen,  shpesh me  rezultate të mira,  në shkollat e perëndimit. Përballja me një shoqëri ku kodet e sjelljes, raportet me tjetrin, institucionet, hapësirat gjeografikë dhe anonimiteti absolut brenda tyre, çdo gjë pa përjashtim ishte krejt e ndryshme nga Shqipëria e viteve ’90, të detyron të ridimensionosh, nganjëherë rrënjësisht, gjithë bagazhin e sistemuar qysh në fëmijëri. Sigurisht ka njëlloj brutaliteti të dhimbshëm në këtë fenomen sepse sado i rritur të jesh,  gjendesh mu si ai fëmija që e hedhin në det pa kamardare. Do të notosh s’ke ç’bën, derisa të mësosh mirë notin dhe atëhere fiton një ndjesi të mrekullueshme sigurie dhe lirie njëkohësisht. Atë moment s’ka më asgjë të pamundur, s’është më bregu po horizonti që të tërheq papushim për të shkuar sa më larg. Mbase kjo ndjenjë sigurie brenda lirisë përbën dallimin më të madh midis asaj që isha dhe asaj që jam sot.

Çfarë kërkon të mbërrijë më tutje një grua shqiptare, nënë e dy fëmijëve që rriten në kushte besoj të mira, në një nga qytetet më të bukur të botës, profesioniste e realizuar tanimë në karrierën e saj, ndërkohë që mbeten ende shumë vite aktive përpara jush?

Çuditërisht ose aspak çuditërisht, kur mbërrin aty ku dikur mendoje se po të mbërrije s’do kërkoje më asgjë nga jeta jote, nis një pështjellim i ri dhe horizonti largohet përsëri. Nuk e di, po mua më duket se realizimi në karrierë është veç të tjerash edhe njëlloj përmbushje e detyrimit ndaj vetes, mënyra për t’i provuar vetëvetes që je në gjendje të mbërrish aty ku do, je i zoti t’ia dalësh. Por kur kjo në njëfarë mënyre ndodh, kur ja ke dalë dhe siç thoni ju ke arritur të realizohesh aq sa profesionialisht të ndjehesh mirë dhe po ashtu familjarisht, si prind, të jesh në lartësinë e angazhimit të gjithanshëm ndaj fëmijëve, atëhere nganjëherë ke fatin t’i shtrosh vetes jo më pyetjen “Ç’duhet të bëj akoma?”, por “Po tani, çfarë dëshiroj të bëj?”. Dhe dëshira më  rikthen vazhdimisht në Shqipëri, tek burimi, origjina, rrënjët e mia...
 
S’ka dyshim se vetë angazhimi për të shkruar një libër si ai që ju shkruat tregon në njëfarë mënyre se megjithë rrugën që i keni hapur vetes përpara përmes arritjeve në profesion, në njëfarë mënyre ju e ktheni kokën edhe pas. Pse, sepse po të nisemi në mënyrë pak provokative nga përgjigja juaj “s’dini ç’të bëni akoma në Francë” apo ju tundon rruga nga dikur u nisët për të ikur, Shqipëria me një fjalë?

 Eh, këtë s’di ta them ende me plot gojën por di me siguri që dëshira për të kontribuar në mënyrë të prekshme në një vënd që është në vlim të vazhdueshëm dhe për më tepër është vendi im, është vërtet tunduese. Do citoj një mik që më ka “ngacmuar” vazhdimisht në këtë pikë sa herë merrte vesh se ngjisja një shkallë në rrugën e karrierës sime profesionale në Francë dhe më përsëriste: Ja e more edhe këtë provim, ja e more edhe këtë promocion, po prapëseprapë këtu do të kthehesh se në Francë janë bërë të gjitha, kurse në Shqipëri ka kaq shumë gjëra për të ndërtuar, për ty që nuk jeton dot pa sfida. Nuk është krejtësisht e vërtetë sigurisht, edhe në Francë ka gjithnjë gjëra të reja për të bërë sidomos në fushën e teknologjive,  ku e reja s’ka të sosour. Por ështe gjithashtu e vërtetë që sfidat të duken më të rëndësishme kur kanë lidhje me vendin tënd dhe që transformimet e nevojshme në Shqipëri në vitet që vijnë lipset të jenë të jashtëzakonshme.
 
Po Shqipëria e sotme sa ngjan me Shqipërinë që ju keni parafytyruar për vitet 2000 në kohën kur u shëmb regjimi komunist?

Pyetje e vështirë... besoj se në atë kohë kisha një vështrim naiv mbi të ardhmen e pasur, dhe të lumtur të Shqipërisë që dilte nga errësira e diktaturës. Por e mësuam shpejt që ndryshimi i sistemit që ndodhi brenda një jave fantastike, ishte vetëm fillimi i një rruge të thepisur shumëvjeçare. Të tjerë u ngjitën relativisht shpejt në të përpjetën e demokracisë drejt Bashkimit Europian si  Polonia, Çekia, Sllovakia. Ndërsa Shqipëria vazhdon të përpjetën përmes një mjegulle që duket sikur e dendëson propaganda e shfrenuar e sukseseve imagjinare : « vendi i parë në botë për këtë e për atë… » a thua se kemi ende nevojë për propagandën komuniste. Ajo që më duket vërtet e rëndë është përçarja, konfliktualiteti, agresiviteti dhe gjithë energjitë që konsumohen me sherre, për të denigruar njërin apo tjetrin. Në fund të fundit votuesit e gjykojnë qeverinë mbi punën e bërë për të përmirësuar jeten e tyre dhe opozitën mbi programin dhe besueshmërinë e tij. S’ka përse qeveria të merret me propagandë për të shpjeguar ç’është e ç’nuk është opozita,  nëse i mjafton bilanci i vet i qeverisjes. Në Shqipërinë e sotme kemi ardhur në pikën paradoksale ku qeveria duket sikur thotë «po nuk hoqëm opozitën nga pushteti nuk futemi dot në BE! »

Më duket shumë e rëndë mënyra se si qeveria shqiptare lan duart si Pilati nga përgjegjësia e saj në lidhje me çështjen e integrimit. Është detyrë e saj të bëjë gjithshka për të gjetur konsensusin apo rrugët për përmbushjen e 12 përparësive të identifikuara nga Komisioni Europian. Loja e fajësimit të opozitës shton përçarjen dhe konfliktualitetin në terrin e mungesës së informimit të publikut, po jo perspektivën dhe prosperitetin e tij. 
 
Çfarë përjetoni ju vetë kur vini në Tiranë?

Diçka të çuditshme,  por nuk di nëse është e vërtetë për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë.  Unë nëse vij tre ditë, dy javë apo një muaj, për qejf a për punë, që kur shkel në Rinas më duket sikur s’kam ikur kurrë. Pa folur për kuriozitetin e pafund për të deshifruar çdo gjë që ndodh këtu, kuriozitet më të cilin padyshim i lodh ndonjëherë miqtë e mi. Ndryshimi i jashtëzakonshëm i Tiranës pavarësisht se mund të ketë akoma për të bërë dhe sigurisht ka, është një shembull i qartë që  vullneti i mirë mund të bëjë çudira edhe në situata kur duket sikur s’ka asnjë shpresë. A nuk thoshim të gjithë në fund të viteve ‘90 se Tirana s’ka asnjë shpresë? E pra, shpresë ka gjithmonë, por duhet të ketë edhe njerëz të duhur në vendin e duhur për t’i dhënë shpresës mundësi reale jëtësimi...

...Përgjithësisht pyetja për bindjet politike nuk hyn në pyetjet politikisht korrekte për njerëz që nuk merren drejtpërdrejt me politikë, por unë dua t’jua bëj gjithësesi duke nisur nga Franca ku po zhvillohen zgjedhjet presidenciale. Zemra juaj rreh majtas apo djathtas?

Qartësisht majtas, por ndihem e detyruar të shpjegoj përse, nëpërmjet jetës sime deri këtu. Ndonëse linda në diktaturë, pata fatin të rritem në një familje shumë të hapur, me dy prindër jo vetëm të shkolluar, por edhe tejet tolerantë. Ishte jo vetëm e natyrshme por edhe e lehtë për mua të bëja shkollat më të vështira, të synoja gjithnjë maksimumin nën shembullin nxitës të prindërve e gjyshërve të mi që edhe ata ishin të mirëshkolluar. Në Francë, ku erdha si njeri pa asnjë mbështetje, ishte e domosdoshme përpjekja personale, por jeta m’i kishte dhënë të gjitha armët për t’ia dalë në krye, falë vlerave të mjedisit ku u rrita dhe studimeve serioze të kryera në Shqipëri. Mirëpo këto armë jeta nuk i ndan njëlloj për të gjithë njerëzit. 

Në botkuptimin tim, është detyra e shtetit që pjesën më të privilegjuar të shoqërisë ta vendosë në pozitën që të ndihmojë ata që kanë më pak mundësira, ose më pak fat. Këtu besoj dallon e djathta me të majtën. Unë mendoj se shteti duhet t’u sigurojë të gjithëve barazi mundësish dhe t’u vijë në ndihmë fëmijëve e të rinjve me prindër të varfër, apo me familje që nuk i zhvillojnë dot talentet e tyre për arsye ekonomike e sociale, si edhe në përgjithësi pjesës më të defavorizuar së shoqërisë. Për arsye morale,  por edhe për arsye efikasiteti ekonomik. Sepse një shoqëri që i ndihmon të gjithë të përparojnë, ka më tepër shanse të ketë stabilitet ekonomik e social afatmesëm e afatgjatë. Një shoqëri ku përfitojnë kryesisht ca klane e klika të caktuara, përfundon në konflikte sociale, siç po e shohim edhe në një pjesë të madhe të botës arabe. Ose ndryshe, siç thoshte Fordi, industrialist vizionar për kohën e tij “Një punëtor  i paguar mirë është klienti i parë për veturat që prodhojnë uzinat e mia”.

Angazhimi majtas sot nuk ka asnjë lidhje me trashëgiminë e diktaturës komuniste. Familja ime për fat,  me shumë kurajo,  m’i hapi sytë mbi tmerrin e diktaturës që në moshë fare të vogël, ndaj distancimi prej saj është i qartë dhe i thjeshtë  për mua.
 
 Po në Shqipëri çfarë dallimesh shihni mes të majtës e së djathtës dhe sa pranë ndjeheni me ndonjë forcë politike?

Më ka mbresuar fort programi i ri i PS që socialistët kanë vëndosur ta quajnë me guxim “Për një rilindje shqiptare”. Është e para herë që një program politik në Shqipëri më tingëllon fort në veshë. Fundi i taksës së sheshtë do të jetë padyshim fillimi i një taksimi të ndershëm, nëse socialistët do të fitojnë zgjedhjet dhe kjo do të ndryshojë thelbësisht raportet në rradhë të parë morale në Shqipëri. Ideja e një ndarjeje të drejtë të kontributeve fiskale dhe e një rishpërndarjeje të parasë në funksion të disa politikave të domosdoshme për ripërtëritjen e shoqërisë është një ide ku duhet të kapemi fort për të dalë nga humnera e polarizimit të papranueshëm social. Qasja e PS ndaj arsimit e shëndetësisë po ashtu është e guximshme edhe pse është legjitime të pyeten socialistët si do t’i financojnë politikat e reja që propozojnë. Ndërkohë që punësimi si në qytet ashtu edhe në fshat mbetet një sfidë kolosale për ta, pavarësisht premtimeve që po bëjnë. Jam kundra në parim ndaj doktrinës ultraliberale dhe autoritare të së djathtës në fazën e zhvillimit ku është sot Shqipëria, aq më tepër kur në praktikë parimet liberalë  të së djathtës kanë ngecur në llumin e monopoleve, klaneve  dhe konkurrencës së pandershme.
 
Duke ju dëgjuar të krijohet përshtypja se politika merr kohë në mendimet tuaja. Ja pse dua t’ju pyes nëse ju tundon ndonjëherë ideja për ta kthyer përfundimisht kokën pas dhe për t’u futur në betejën e politikës?

Nëse gjykoj që mund të kontribuoj vërtet në diçka, pse jo – është një tundim i vërtetë. Edhe sepse pas bisedës sonë të gjatë ndjehem si fajtore, sepse më duket sikur fola për gjërat që nuk shkojnë mirë,  po teksa ju bëtë punën tuaj unë vetë nuk bëra ndonjë punë konkrete që gjërat të shkojnë pakëz më mirë. Shpeshherë mendoj sa ndryshe do të ishte sikur të gjithë ne që themi çfarë nuk shkon në biseda,  të angazhoheshim në pjesëmarrje nëse duam që Shqipëria të ndryshojë, që  të dalim nga llumi i konfliktualitetit  dhe i spektaklit vulgar të gladiatorëve në arenën politike. Nëse duam të shohim fundin e shumëpritur të  tranzicionit dhe fillimin e një faze të re për Shqipërinë. Unë besoj se kjo ditë po vjen

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama