Kasem Hoxha ishte vetëm 22 vjeç kur u largua për herë të parë nga Shqipëria. Asokohe hapja e Ambasadës Gjermane bëri që të largohej si shumë shqiptarë të tjerë larg vendlindjes ku kishte kaluar një pjesë të rinisë së tij. Ai tregon për gazetën “Shekulli” se, në Shqipëri formoi shpirtin e sakrificës, të humanizmit, por edhe të njeriut social, por mbi të gjitha në Shqipëri u “pasurua” me vullnetin edhe durimin për të mbijetuar. Në Shqipëri ishte një punëtor i thjeshtë që punonte për të mbajtur familjen, por brenda vetes kishte ushqyer ëndrra të mëdha, ëndrra që as mund t’i shprehte në një vend ish-komunist, sikurse ishte Shqipëria. Fillimisht fati bëri që të vazhdonte shkollën për aktrim dhe më pas t’i besoheshin rolet e parë në kinema dhe teatër. Më pas u ra në sy producentëve të serialit të famshëm gjerman “Alarm für Cobra 11” (Alarm për Kobrën 11), angazhim ky që Kasem Hoxha (1968) e rendit si rolin tij të parë me format profesional në kinematografi.
Kasem në moshën 22 vjeçe, viti 1990, ju u larguat nga Shqipëria...
Për koincidencë, në datë 3 tetor festuam bashkimin e dy Gjermanive. Ku unë shikoj disa paralele me ngjarjen tonë të vitit 1990. Është shumë e vështirë të shprehem me pak fjalë për ditën që ne do të largoheshim përgjithmonë nga Shqipëria. Ndjenja e plogështisë, ankthi se po largohesha nga Shqipëria, vendlindja ku unë kalova fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë sime ishte e madhe. Në Shqipëri formova shpirtin e sakrificës, të humanizmit, të njeriut social dhe u pasurova me vullnetin dhe durimin për të mbijetuar. Karakteristika këto, që do të më nevojiteshin më vonë për të hapur rrugë të reja në jetën perëndimore. Por nga ana tjetër, entuziazmi i brendshëm, shpresa për një botë të lirë, për një riformim të ri të botës sime në Perëndim, ku ëndërroja të hapja dritare të reja për jetën time.
Çfarë ju kujtohet nga ai moment. Si ishte kontakti i parë me Gjermanin?
Kontakti i parë me Gjermanin apo vendasit e saj ishte shumë i veçantë. Të mendosh se, ne nuk po shkonim në Gjermani si: turistë, vizitorë apo biznesmenë, por ne po shkonim për t’u bërë pjesë e këtij populli, me të gjitha çfarë e karakterizojnë atë. Menjëherë u ndeshëm me disiplinën e rreptë, rregullat dhe me sjelljen e tyre korrekte. U ndeshëm me një popull fisnik dhe humanitar, por të distancuar. Me njerëz tepër të saktë në organizim dhe zbatim, që nuk përdorin lajka, por që të thonë gjithçka që mendojnë apo ndiejnë. Nuk të fusin me lehtësi apo vetëm sa për sy e faqe në rrethet e tyre, por të japin mundësitë ta meritosh dhe ta arrish gjithçka vetë.
Pas latë Shqipërinë një vend ish komunist, por a u kujtohet si e gjetët pas rikthimit tuaj në Tiranë?
Pas disa vitesh largimi kthimi im për herë të parë në Tiranë ishte i mbushur me emocione dhe nostalgji të papërshkrueshme. Për familjen time, të njohurit e mi, shoqërinë time, për rrugët dhe lagjet e Tiranës, për gjithçka që unë kisha lënë pas atë natë korriku të vitit ‘90. Për mua “akrepat e orës shpirtërore” kishin mbetur në vend, nuk e merrja dot me mend, që gjithçka kishte ndryshuar me një shpejtësi shumë të madhe, jo vetëm ambientet, por gjithçka që më lidhte me Tiranën time, madje edhe njerëzit. Kjo më futi pak a shumë fatkeqësisht një melankoli jo të këndshme, por që është më se normale, sepse gjërat ndryshojnë si në drejtim pozitiv edhe në negativ. Tirana po kalonte një periudhë shumë të fortë transitore, me një shformim të tërësishëm. U ktheva në Gjermani përsëri dhe fillova të shfletoj albumin me fotografitë e Tiranës sime të vjetër. U binda që nga ai moment e mbrapa, vetëm në fotografi do të gjej Tiranën time të vjetër.
Me kinemanë dhe teatrin ju afroi shkolla që përfunduat për aktrim. Ju kujtohet roli i parë?
Është e vërtetë që gjatë kohës së shkollës për aktrim, pata fatin të më ofrohen role në teatër. Mbasi mbarova shkollën isha i bindur, që më duhej të shpërngulesha me banim në një nga qytetet e mëdha mediatike të Gjermanisë, për të rritur kështu shansin e angazhimeve në film & teatër. Ky vendim bëri që të angazhohesha në disa role të ndryshëm në filma të shkurtër. Nga aty u rashë në sy edhe producentëve të serialit të famshëm gjerman “Alarm für Cobra 11” (Alarm për Kobrën 11), këtë do ta rendisja si rolin tim të parë me format profesional në kinematografi, pavarësisht se më parë kisha luajtur në filma të shkurtër, që inicioheshin nga shkollat e larta të artit, apo edhe në filma me projekte pilote.
Si vazhdoi krijimtaria juaj artistike? Bashkëpunimet me regjisorë të huaj, sa të vështira kanë qenë?
Krijimtaria ime artistike ka qenë shumë graduale, për fat të mirë kam qenë dhe jam vazhdimisht i angazhuar. Nuk është se kam patur fatin të luaj gjithmonë role absolute dhe me peshë, por edhe nuk dua të ankohem. Mendoj se duke punuar, duke mos u shkëputur asnjëherë nga literatura për zhvillimin dhe formimin e mëtejshëm artistik, ku këtu nuk përjashtohen seminaret e ndryshëm për aktrim dhe puna para kamerës. Metodat e reja që dalin vazhdimisht për ta çuar mënyrën e aktrimit edhe më përpara, për ta bërë edhe më autentike, si edhe teknikat e aktrimit janë pjesë të rëndësishme në artin tonë. Puna për zhvillimin e roleve të shumtë, për të mos rënë në gjumë me mendimin se: “Ja tani je aktor dhe nuk ke më nevojë”, nuk mjaftojnë, sepse unë mendoj se zhvillimi i një artisti është i pakufishëm deri në moshat më të larta, derisa të vijnë edhe rolet e preferuar.
Nëse do të veçoje një nga arritjet më të mëdha profesionale, cili do të ishte?
Mendoj që, akoma nuk dua të bëj përcaktime për arritje të mëdha profesionale, akoma nuk e ndiej atë, apo ato role për t’i përcaktuar si të veçanta, edhe pse këtu apo aty, mund të bëja ndonjë ndalesë.
Përveç bashkëpunimit te “ Alive” i Artan Minarollit , a keni tentuar që të jeni pjesë e prodhimeve të tjera shqiptare?
I jam shumë mirënjohës Artan Minarollit, që më ofroi miqësisht atë rol në filmin e tij “Alive”. Ishte roli i im i parë në një film shqiptar, ku emocionet, nostalgjia apo ndjenjat reagojnë komplet ndryshe në krahasim me filmat që luaj në perëndim, këtu bëhej fjalë për të luajtur në vendin tim, për popullin tim. Është shumë e vështirë të tentosh nga këtu ku unë jetoj dhe punoj, për të qenë pjesë e prodhimit të filmave në Shqipëri dhe kjo ka disa arsye të natyrave të ndryshme. Unë vetë personalisht jam gjithmonë i gatshëm të jem pjesë e kinematografisë shqiptare, kjo më bën edhe shumë krenar, por nuk mundem. Mendoj që shumë aktorë-kolegë do të më kuptojnë, kur them që nuk dua të bëhem objekt i rëndomtë për t’u tërhequr vëmendjen regjisorëve shqiptarë, këtë nuk mund t’ia lejoja vetes. Gjithçka do t’ia lija kohës dhe momentit të duhur, siç ndodhi edhe me regjisorin Bujar Alimani, i cili më ka ofruar një rol kryesor në projektin e tij të ardhshëm “Gold”. Me Alimanin jam takuar disa herë për të biseduar dhe për të zhvilluar rolin tim në filmin e tij. Këto takime e kanë përforcuar dhe harmonizuar edhe më shumë jo vetëm bindjen, që së bashku do të përpiqemi të realizojmë padyshim një film të shkëlqyeshëm, por edhe shoqërinë dhe miqësinë tonë. Shpresojmë të nisim shumë shpejt xhirimet.
Meqenëse jemi te kinematografia shqiptare, si e shikoni zhvillimin e saj?
Edhe këtu, e kam shumë të vështirë të diskutoj apo të jap një mendim të kompletuar apo të saktë rreth kinematografisë së sotme në Shqipëri, pasi jam shumë larg saj. Shqipëria ka një traditë të mrekullueshme kinematografike, me aktorë dhe regjisorë të pasionuar dhe mendoj që duhet patjetër ta zhvillojmë këtë traditë dhe ta çojmë edhe më përpara në të ardhmen. Jam shumë i bindur, që padiskutim shumë regjisorë në Shqipëri janë edhe të nivelit ndërkombëtarë. Shqipëria ka shumë për t’i treguar botës, duke transmetuar dhe depërtuar gjithashtu edhe nëpërmjet artit. Do të dëshiroja thellë nga zemra, përveç producentëve ndërkombëtarë me interesa të përbashkëta për të krijuar filma në Shqipëri, të ketë edhe më shumë forcë financiare nga institucionet kulturore brenda në vend. Kur dëgjoj se, çfarë buxheti ka në dispozicion Qendra Kombëtare e Kinemasë Shqiptare është me të vërtetë për të ardhur shumë keq, gjendja është alarmante. Por nga ana tjetër, duke i besuar forcës shpirtërore të artit shqiptar, jam shumë optimist dhe mëse i bindur, që në të ardhmen, do të kemi më shumë prezencë të artit shqiptar në pistën ndërkombëtare kinematografike.
Shqipëria është pjesë e Evropës dhe për këtë duhet të jemi të dyja palët krenare...
Keni shumë të drejtë! Edhe pse këtu duhen rishikuar shumë pika të ndryshme kriteresh. Pikënisja këtu nis me kulturën, religjionet, traditat tona të lashta të vlerësuara dhe çmuara këto anekënd nga Europa jonë e mrekullueshme, me traditat e saj shumë të larmishme, por që politika e hidhur e së kaluarës në Shqipëri u bëri një pushim shumëvjeçarë të gjitha këtyre institucioneve kulturore-ekonomike, duke zgjedhur kështu një lloj politike izoluese për vendin tonë dhe tjetërsimin nga Europa. Vetëkuptohet që edhe kinematografia shqiptare nuk kishte se si mos të prekej, duke e shndërruar atë në një one-way-street për t’i shërbyer propagandës së atëhershme komuniste. Ndonjëherë mendoj sikur mos të kishte qenë ai izolim total, por të kishin mundësi regjisorët tanë së bashku me aktorët e mrekullueshëm që të tregonin dhe prezantonin veprat e tyre lirshëm në fushën ndërkombëtare, ndoshta sot do të ishim edhe ne mbartës të çmimeve të larta ndërkombëtare. Shqipërisë i duhet sot tmerrësisht shumë punë në çdo aspekt, jo vetëm për të riparuar dëmet e së kaluarës në çdo drejtim kulturor-ekonomik-politik, por edhe për t’ju afruar sado pak Evropës që e larguam ne vetë, duke humbur kështu prezencën tonë në Europë. Këtu të shpresojmë edhe te roli shumë domethënës që luajnë dhe do të luajnë politikanët tanë të sotëm dhe në të ardhmen.
Sot pas 24 vjetësh që jetoni jashtë shtetit, si e gjeni Shqipërinë kur ktheheni?
Gjej një Shqipëri në zhvillim e sipër, edhe pse ka akoma shumë ndërtime të hapura kudo, gjithçka po ndryshon me ritme dhe forma të ndryshme, diku për pozitivisht, diku për negativisht. Duhet edhe më shumë punë dhe zell për t’u pozicionuar në vendin që meritojmë në gjirin e Europës, tashmë të rrënuar ekonomikisht, gjë që e vështirëson edhe më shumë zhvillimin dhe ecjen përpara të Shqipërisë me hapat e dëshiruar. Kjo vlen edhe për fushat e artit dhe të gjitha llojeve sportive në përgjithësi.