Ashtu siç pati lajmëruar edhe në një konferencë shtypi të mëparshme, drejtori i QKK-së, Artan Minarolli, në Berlinale do të ketë një stendë promocionale për kinematografinë shqiptare. Kjo stendë me prodhimet më të fundit të kinematografisë sonë do të qëndrojë nga data 10-18 shkurt. Festivale të tilla janë një mundësi e mirë për të vendosur kontakte bashkëpunimi, e këtë do të përpiqen ta bëjnë si regjisorët në konkurrim, ashtu edhe përfaqësuesit e stendës shqiptare.
Filmi “Amnistia” i regjisorit Bujar Alimanit, bashkëprodhim i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, “Eurimages”, dhe Qendrës së Filmit Grek, zgjedhur në seksionin “Forum International”, do të shfaqet në datën 12 shkurt, ora 19.15. Filmi, i cilësuar nga regjisori si erotiko-social, trajton historinë e një gruaje dhe një burri që takohen në dyert e burgut, dashurohen dhe tentojnë t’u dalin kundër rregullave të shoqërisë. Po në këtë datë, regjisori i ri shqiptar, Gentian Koçi, merr pjesë në seksionin “Berlinale Talent Campus”. Një ditë më pas, në orën 20.15 shfaqet filmi “Shqiptari”, një bashkëprodhim i Qendrës Kombëtare, Qendra e Filmit në Berlin, i cili është përzgjedhur në seksionin “Perspektivë e filmit gjerman”, për shkak të kombësisë gjermane të regjisorit.
Filmi sjell historinë e një emigranti shqiptar në Gjermani, i cili kërkon të fitojë me çdo kusht dashurinë e penguar në zakonet e Veriut të Shqipërisë. Një histori gjakmarrje dhe dashurie sjell edhe filmi “Falja e gjakut”, i regjisorit Joshua Martson që çon në Berlinale shumë aktorë kosovarë. Shqipëria përfaqësohet edhe në programin “Shooting Stars”, ku aktori Nik Xhelilaj është një ndër 10 aktorët e rinj të suksesshëm. Sipas njoftimit të QKK-së, Xhelilaj, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Shooting Stars” në datën 14 shkurt, do nderohet me çmim. Në përfundim, Qendra Kombëtare Kinematografike do të organizojë një pritje me rastin e pjesëmarrjes në këtë festival.