Shqiperia lengon nen militantizem politik

'Shqiperia lengon nen militantizem politik

Eksperti i të drejtës ndërkombëtare, prof. Ksenofon Krisafi komenton hapat e para të qeverisjes së re. Ai thotë se jo çdo gjë duhet mohuar dhe hedhur mënjanë. Ndërsa në lidhje me kishën e Përmetit, zoti Krisafi shprehet se Hirësia e tij, Janullatos ka të drejtë dhe detyrë të shohë kanonet e kishës, por edhe Kushtetutën dhe ligjet e shtetit shqiptar

Profesor Krisafi, së fundi qeveria shqiptare paraqiti një strukturë të re të saj, me shtim të numrit të ministrive, spostim të kompetencave të dikastereve dhe krijim të disa agjencive të reja të pritshme në fushën e menaxhimit të territorit, pronave etj. Si e shihni nga pikëpamja juridike, faktin që kjo situatë krijon rrethana potencial për mbivendosje e perplasje kompetencash, apo edhe konfuzion në procesin qeverisës?

Kushtetuta dhe legjislacioni kushtetues në përgjithësi përmbajnë hapësirat e duhura legale për ndërmarrjen dhe realizimin e ndryshimeve si në strukturën e organizimit shtetëror, nëpërmjet krijimit të organeve të reja, përshtatjes së atyre ekzistuese apo edhe eliminimit të atyre që kanë rezultuar inefikase. Në se legjislacionit, jo vetëm në Shqipëri, do t’i mungonte kjo frymë rinovuese, transformuese, ripërtëritëse ai do të shndërrohej në një koracë asfiksuese, që do të kompromentonte një ndër misionet e tij, nxitjen e progresit politik, social, ekonomik etj. Kurkush nuk mund të mohojë progresin e realizuar në këto 23 vjet tranzicion në Shqipëri në shumë aspekte të jetës, të politikës, të ekonomisë, jetës sociale etj. Mangësitë, gabimet, devijimet, padrejtësitë, traumat e përshkuara nuk mund ta zhbëjnë dhe as ta zhdukin këtë realitet, i cili mund dhe duhet të ishte shumë më i bukur dhe shumë më i mirë se sa ai që kemi sot përpara syve. Ky progres, i penguar dhe i vonuar, madje edhe i traumatizuar hera herës nga paudhësi të politikës shqiptare, ka nevojë të nxitet, të përshpejtohet dhe të ecë në rrugën e natyrshme drejt standarteve evropiane. Në këtë kuadër dhe me këtë sy e shoh unë programin e qeverisë së re për reforma institucionale në strukturën shtetërore. E shoh si materializim dhe mbajtje fjale ndaj shqiptarëve që i dhanë votën dhe që ishin lodhur,  lënduar, dekurajuar dhe një pjesë e të cilëve ishte lënë në mjerim mesjetar nga disa prej strukturave të mëparshme. Nuk kam iluzion se gjithçka që është thënë e premtuar do të gjejë zbatim, sepse Shqipëria e këtyre ditëve lëngon në çdo qelizë, vuan nga mungesa e fondeve, nga paaftësia e një administrate të mbushur në një pjesë jo të vogël me militantë analfabetë,  nga dhuna permanente e një policie dhe gjyqësori të pamëshirshëm.

 

Por, sidoqoftë, e  Ekipi i ri i mazhorancës që ka ardhur në krye të vendit, ka përkëdhelur dhe ngazëllyer dëshirat dhe shpresat e qindra mijëra shqiptarëve që e endërrojnë jetën ndryshe, më njerëzore. Qeveritarët e rinj e kanë nisur këtë sipërmarrje, pse të mos inkurajohen dhe pse të mos besohen?! Le të priten frutat e para të kësaj pune. Përsa i përket aspektit juridik, nuk mendoj se ai përbën problem, nuk mendoj se shkelet ndonjë akt legjislativ. Kushtetuta shqiptare, e cila pas gati dy muajve mbush 15 vjet të ekzistencës së vet dhe legjislacioni i prodhuar në bazë dhe për zbatim të saj, në përgjithësi, përshkohen nga kjo frymë vizionare, mishërojnë edhe këtë mision. Për ta mbyllur përgjigjen e kësaj pyetjeje të parë mendoj se ato çka janë deklaruar deri tani janë në pajtim të plotë edhe me përmbajtjen e paragrafit 1 të nenit 95 të Kushtetutës, ku përcaktohet shprehimisht se “Këshilli i Ministrave përbëhet nga Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat.” Detyrimi kryesor sipas kësaj dispozite është që nuk mund të tejkalohet numri i zëvendëskryeministrave. Ai nuk mund të jetë më shumë se një, kurse numri i ministrave mund të ndryshohet, në varësi të programit, strategjisë dhe angazhimeve konkrete që qeveria përkatëse ka marrë përsipër të përmbushë gjatë mandatit të saj. Parë në këtë këndvështrim nuk më duket se jemi përpara rrethanave potenciale për të menduar se do të ketë mbivendosje dhe përplasje kompetencash, apo edhe konfuzion në procesin qeverisës. Dua të besoj fuqimisht se ka për të qënë shumë më mirë.     
 
Në planet e qeverisë ka gjithashtu një numër jo të vogël reformash, disa prej të cilave të përmasave të mëdha, sic është rasti i reformës administrative, asaj të pronësisë dhe apo edhe në fushën e menaxhimit të territorit. Sa të mundshme janë këto sfida, në kushtet e një mandati të kufizuar, të një situate ekonomike jo të shëndetshme dhe të një tensioni politik gjithsesi prezent në jetën tonë politike?


Realizimi i qeverisjes së një vendi ka të bëjë me ushtrimin e pushtetit politik, në veçanti të pushtetit ekzekutiv, me drejtimin e punëve politike dhe të jetës politike të një shteti. Ajo perceptohet si një tërësi strategjish, programesh, projektesh, masash konkrete që vihen në jetë nëpërmjet një procesi transformimesh që synon drejt përmirësimit dhe ngritjes së nivelit të jetesës, mirëqënies së njerëzve, perfeksionimit të funksionimit të shtetit dhe të drejtës etj. Kur flitet se në programin e qeverisë së re janë parashikuar një numër jo i vogël reformash nuk duhet menduar se gjithëçka do të fillojë nga e para, ose ca më keq se gjithëçka do të nisë pasi të jetë shkatërruar gjithëçka që ka ekzistuar deri tani, nga një situatë tabula rasa. Pavarësisht nga mangësitë e shumta dhe të padiskutueshme që janë vërejtur në veprimtarinë e përditshme të mjaft organeve shtetërore, të cilat janë shfaqur sidomos në mentalitetin arkaik, feudal të konsiderimit të shtetit si ekskluzivitet të një grupi të ngushtë njerëzish dhe rrethit të tyre, siç e përmenda pak më sipër, nuk mund të mohohen arritjet. Fjala vjen është fakt i pamohueshëm se janë investuar shuma të konsiderueshme parash nga buxheti vendas dhe faktori ndërkombëtar për të perfeksionuar hallka të ndryshme të pushtetit në Shqipëri, janë përgatitur jo pak specialistë për drejtimin e strukturave të ndryshme të shtetit, për përqasjen e legjislacionit shqiptar me atë europian etj. Në se qëndrojmë te specialistët s’ka dyshim se një pjesë e tyre nuk kanë mundur dot që ta tregojnë veten dhe vlerat për shkak të trysnive, ndërhyrjeve nga politika apo nga një lloj delinkuence e organizuar, që i ka shtrirë metastazat e veta edhe në hallka të ndryshme të shtetit. Këta nuk duhen hedhur poshtë sepse janë një aset i vyer i vendit. Përkundrazi duhen vënë në punë në kushte dhe në rrethana të tjera. Unë mendoj se gjithëçka do të kryhet me kujdes dhe përgjegjshmëri, duke ndryshuar, përshtatur e përmirësuar hallka apo akte juridike që nuk kanë dëshmuar efikasitet ose që kanë penguar ecjen përpara dhe, në këtë kuadër edhe duke eliminuar ato që nuk kanë qënë të nevojshme dhe kanë dubluar apo kanë penguar punën dhe veprimtarinë e njera tjetrës, ose që nuk kanë dëshmuar rentabilitet, që kanë favorizuar apo toleruar shkelje, abuzime etj.
 
Si diplomat me përvojë dhe studiues i hershëm i marrëdhënieve me fqinjet, si e konsideroni qasjen e vendit tonë ndaj fqinjeve kryesorë, Greqisë, Turqisë e vendeve sllave apo edhe Italisë?


Në strategjinë e politikës së jashtme të një vendi marrëdhëniet me fqinjët, si rregull,  kanë rëndësi prioritare. Shqipëria, që nga koha e themelimit të shtetit të vet modern, ka treguar se ka dëshiruar të kishte marrëdhënie shembullore me fqinjët e vet. Një ndër thirrjet e para të strukturave shtetërore të krijuara nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit 135 vjet më parë, e përsëritur me forcë edhe nga themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, Ismail Qemali, ishte ndërtimi i marrëdhënieve miqësore me fqinjët. Rezulton se këtë angazhim në përgjithësi Shqipëria e ka përmbushur me korrektesë, duke  dëshmuar kulturë të konsoliduar në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Kjo ka ndodhur edhe në ato kohëra kur gjëndja dhe zhvillimet brenda vendit kanë qënë problematike, kur në Shqipëri mungonte pothuajse krejtësisht demokracia dhe zbatimi i parimeve të shtetit të së drejtës. Fqinjëve të saj nuk iu ka ardhur asnjëherë ndonjë e keqe nga Shqipëria. Nuk vërtetohet që ajo t’iu jetë përgjigjur me të njëjtën mënyrë ngacmimeve, padrejtësive, sulmeve që mund t’iu jenë bërë prej tyre. Pavarësisht se në jo pak raste një gjë e tillë është konsideruar si dobësi dhe është shfrytëzuar prej tyre, ajo mbetet gjithësesi një vlerë e veçantë e formimit etno-psikologjik të shqiptarëve, që i është imponuar  edhe kulturës politike të shtetarëve të tyre. Parë në këtë kënvështrim dhe duke patur parasysh edhe frymën novatore dhe moderne që në përgjithësi karakterizon programin e qeverisë së re shqiptare, e konsideroj të lavdërueshëm kujdesin me të cilin është menduar të trajtohen marrdhëniet me fqinjët kryesorë  Greqisë, Turqisë e vendeve sllave apo edhe Italisë, duke vënë në rradhë të parë e mbi të gjitha marrëdhëniet me Kosovën, që përfaqëson pothuajse gjysmën tjetër të kombit shqiptar.
 
Së fundi ka një debat që vijon, në lidhje me rastin e kishës së Përmetit. Sa e keni ndjekur këtë debat dhe cili është mendimi juaj për zgjidhjen e kësaj nyjeje që po krijon tensione ndërfetare në një ambjent të qetë e të civilizuar si Përmeti?


E kam ndjekur nëpërmjet informacioneve nga shtypi, por dua të them se nuk impresionohem, nuk ndikohem dhe nuk udhëhiqem në bindjet e mia vetëm prej tyre. Duke qënë shtetas i një vendi, i cili prej më shumë se dy dekadash ka përmbysur një regjim monist dhe ka ndërtuar e vazhdon të ndërtojë  përmes vështirësish të shumta një sistem demokratik, ngritur mbi parimet e shtetit të së drejtës, etj dua të them se cilidoqoftë, duke nisur që nga individi që mban postin e lartë të kryetarit të shtetit e deri te qytetari më i thjeshtë, duke nisur që nga institucionet më të larta shtetërore e deri te institucionet klerikale, janë të detyruara të zbatojnë me rigorozitet vendimet e gjykatave, që janë shfaqja institucionale e ligjore me të cilën pushteti gjyqësor, hallka e tretë tepër e rëndësishme e strkturës shtetërore, artikulon qëndrimin e vet. Me këtë dua të them se hirësia e tij, Janullatos, që qëndron në krye të Kishës Shqiptare, e theksoj të kishës shqiptare, e ka për detyrë të parë respektimin e Kushtetutës, legjislacionit dhe kompetencave përkatëse të shtetit shqiptar, shtetasit e të cilit ai ka marrë përsipër t’i udhëheqë në rrugën e Zotit, në rrugën e respektimit jo vetëm të kanoneneve të Kishës por edhe të ligjeve të shtetit dhe vendimeve të formës së prerë të organeve të tij gjyqësore.


Kërkesa për zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe veprimet ligjore të ndërmarra për përmbushjen e vullnetit të organeve kompetente shtetërore, nuk duhet të komentohen me një gjuhë që mbjell urrejtje, sikurse lexova me shumë keqardhje dy ditë më pare, në një të përditshme shqiptare, shkrimin e një pedagogu grek në një universitet shqiptar. Duke iu referuar veprimeve për zbatimin e vendimeve të të gjitha shkallëve të gjyqësorit shqiptar për pallatin e kulturës në Përmet, ai thoshte shprehimisht se përbindësha dhe hije nga e kaluara, shfaqen dhe rishfaqen në skenën e shoqërisë shqiptare në formë sjelljesh, retorikash, zakonesh të pandërgjegjësuara, por që shkaktojnë tensione të shumta, ndezje gjakrash, aforizma të padebatuara, botëkuptime monolitike dhe shumë, shumë stres. Me të drejtë lind pyetja: Pse kaq trishtim, preokupim dhe njëkohësisht mallkim, gati shkishërim ndaj asaj që bëjnë shqiptarët në vendin e vet me objektet e tyre?

 

Pse aspak reagim për ulërimet e “Agimit të Arte” (në fakt “Natës së zezë”) për pushtimin dhe çlirimin e të ashtuquajturit Vorio-Epir? Pse nuk keni reaguar, zoti pedagog, për ushtarët grekë që në paradat shtetërore zyrtare në mes të Athinës guxuan të këndonin në kor para drejtuesve të shtetit grek këngë për shndërrimin e zorrëve të shqiptarëve në lidhësa këpucësh? A nuk janë pikërisht ata dhe komandantët e tyre “përbindësha dhe hije nga e kaluara, që fatkeqësisht shfaqen dhe rishfaqen në skenën e shoqërisë greke në formë sjelljesh, retorikash, zakonesh të pandërgjegjësuara, por që shkaktojnë tensione të shumta, ndezje gjakrash, aforizma të padebatuara, botëkuptime monolitike dhe shumë, shumë stres.” Zoti pedagog, lerini shqiptarët, evropianët autentikë, qytetarët fisnikë e të emancipuar, që t’i trajtojnë dhe t’i zgjidhin vetë punët e tyre, merruni me hallet e vendit tuaj, që këto kohë nuk janë të pakta dhe as të lehta për t’u zgjidhur.
         


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama