Sot, rikthehet pas një pune të realizuar në bashkëpunim me dy kuratorët dhe kritikët italianë, profesorët Vanja Strukelj dhe Arturo Calzona. Dy kuratorët e ekspozitës janë përqendruar në vitet 1968-1973, vite të hershme të punës së piktorit, vite të një rëndësie të dyfishtë. Së pari,sepse asokohe kultura shqiptare kaloi një periudhë të shkurtër “lirie”dhe së dyti sepse janë vitet e formimit artistik të Shimës.
Janë rreth 72 piktura të përzgjedhura mes qindrave punimeve që Shima ruan nga koha e regjimit socialist. Punë, në të cilat ndihet influenca dhe dialogu i artistit me pikturën moderniste perëndimore dhe me autorët kryesorë të saj.
Sipas kritikëve, Strukelj e Calzona, të cilët fillimisht analizojnë formimin e shëndoshë dhe akademik të artistit, mënyrën sesi Shima e ndërton identitetin e tij në përballje me mjeshtrit e mëdhenj të artit të së shkuarës dhe sidomos në një marrëdhënie të ngushtë me pikturën e Braque-ut dhe të Mattisse-it, vepra bëhet për piktorin shqiptar një terren për t’u eksploruar.
Piktori Alush Shima shpjegon se si lindi ideja për hapjen e kësaj ekspozite. Dhe ndalet në mënyrë të hollësishme për periudhën kur ka realizuar pjesën më të madhe të punëve.
“Ideja e kësaj ekspozite lindi si mendim dhe bashkëpunim ndërmjet meje dhe dy miqve të mi kritikëve italianë, të cilët pasi panë punimet e kësaj periudhe dhe menduan të organizonim ekspozitën “Territore të vogla ilire”(1968-1973). Vite këto kur shpresat e artistëve shqiptarë, për një hapje në fushën e artit u shuan përfundimisht me plenumin e kohës që u bë në vitin ‘93. Ishte një zhgënjim i madh për të gjithë artistët e sidomos për ata që e mendonin artin ndryshe, jo në atë formë siç e paraqiste regjimi në pushtet.
Në këtë sens ekspozita u vendos të ndërtohej pikërisht me këto punime që janë bërë gjatë këtyre viteve. Por, në të njëjtën kohë, u pa si njëlloj kërkese tepër personale e imja për të kuptuar tentativat e mia në fushën e artit, për parë punën time jo mbi metodën e realizmit socialist që ishte metoda sunduese në atë kohë, për ta parë në një sens tjetër artin, ashtu siç shihej në botën e qytetëruar.
Janë pikërisht këto përpjekje që kam bërë, me mundim, me sforco, me një presion të jashtëzakonshëm të kohës për të ri gjet vetën në një formë tjetër, e cila nuk ngjante me atë metodë që përdornin përgjithësisht piktorët shqiptarë. Sigurisht që, nuk kam qenë i vetëm sepse ka pasur dhe artist të tjerë shqiptarë që u përpoqën ta shikonin artin ose t’i krijonin një hapësirë të re në një formë ndryshe.
Shumë nga këta artistë e pësuan, një pjesë më shumë dhe një pjesë më pak, por gjithsesi ishte një periudhë e vështirë për ata që jetuan atë kohë”, thotë piktori. Por përse Alush Shima ka qëndruar për kaq shumë kohë larg publikut shqiptar? “Ka disa arsye. Njëra prej tyre është sepse kam qenë drejtues i kësaj galerie dhe nuk mund të hapja një ekspozitë, pasi gjërat mund të keqkuptoheshin. Arsye tjetër është që për disa vite kam qenë jashtë vendit dhe nuk kisha kohë për realizimin e një ekspozite pasi kërkonte një impenjim të madh.
E për këto dhe të tjera arsye kam qenë i rezervuar për të hapur një ekspozitë, jo se nuk kam dashur”. Njëri nga kuratorët e ekspozitës, Arturo Calzona shpjegoi se si i lindi interesi ndaj pikturave të artistit. “Para dy vitesh erdha për herë të parë në Shqipëri. Nëpërmjet një miku të përbashkët vajta në Petrelë për të takuar Alushin sepse kisha interes për pikturat shqiptare të krijuara përgjatë gjithë kohërave. Duke parë punët e Alushit më lindi ideja që të organizonim fillimisht një ekspozitë në Itali, por gjërat vajtën ndryshe. Ne e organizuam fillimisht këtu në GKA”, thotë Calzona.
Sipas tij, Shima është nga ata piktorët që punon dhe dialogon me veten e tij. Ai na propozon një mënyrë interpretimi dhe leximi për Shqipërinë, krejtësisht ndryshe nga ajo që regjimi donte t’i tregonte botës. Por këtë, ama, nuk e bën me përmbajtjen e punëve, por e bën nëpërmjet gjuhës piktoreske. Kuratori mendon se kjo mënyrë e të lexuarit të Shqipërisë së atyre viteve është aktuale edhe sot.
“Pikturat e Alushit janë realizuar në kohën kur modeli i artit në Shqipëri ishte ai i realizmit socialist, tejet i rreptë. Ky ka qenë qëllimi ynë se përse kjo ekspozitë duhet të përqendrohej në vitet 1968-1973, për të demontuar se kanë qenë vite të rrepta të periudhës komuniste. Por parë me syrin e muratorit Calzona, Shima ka pikturuar ëndrrën e një Shqipërie, e cila ishte ndryshe nga ajo që shfaqej në ato vite. Ai ka ndërtuar situata të ndryshme në punët e tij.
Titulli i ekspozitës është një citim nga shkrimi që kuratori ka bërë për piktorin, duke e quajtur “Piktura e rizgjimit”. “Rizgjimi nuk është gjë tjetër veçse një imazh që ne na shfaqet midis gjumit dhe momentit të zgjimit. E kam shkruar në ese se Alushi luan me pikturën perëndimore ashtu siç fëmijët luajnë me lodrat e tyre. E zbërthejnë lodrën, e thyejnë dhe e rikrijojnë si një lloj kaleidoskopi ku imazhi shpërbëhet nga në një mënyrë në një tjetër”.
Pikturat e Shimës krijojnë një botëkuptim modernist me botën individuale dhe familjare. I ekspozuar fare pak gjatë viteve të regjimit socialist, Shima punoi në fshehtësi duke e zhvilluar veprën e tij larg syve të të tjerëve. Duke i ruajtur këto punë në një nga tavanet e shtëpisë. Aty ku midis të tjerave, iu shkatërruan dhe 1500 akuarele, të cilat kishin si tematikë “Pazarin e Vjetër”. Veprat në këtë ekspozitë tregojnë “mikrobotën e ngurtë” që ka ekzistuar asokohe në mjediset kulturore.
Bio
Alush Shima (1942) është ka ekspozuar në disa nga galeritë e Londrës (Catto Gallery), Washingtonit, Neë Jersey, Chicagos (Hilligoss Gallery) etj. Emri i piktorit Shima është i njohur për artdashësit shqiptarë, së pari si autor i filmave artistikë (piktor filmi dhe kostumesh) të realizuar nga ish-Kinostudioja “Shqipëria e Re” gjatë viteve 1967– ‘90. Filma si,“Gjeneral gramafoni”, “Kohë e largët”, “Në shtëpinë tonë” etj. Shima ka krijuar mbi 5000 vepra në grafikë; të realizuara me penë (bardh e zi) e në teknikën miks (të prekura ngjyra pasteli).
Ky koleksion, përveç një sasie të vogël (rreth 150 copë) që u shit pas viteve ’90-të, ruhet në studion e piktorit si dëshmi unikale e një arti ndryshe, antikonformist dhe të një krijimtarie disidence artistike “sekrete politike”, që piktorit Shima mund t’i kishte kushtuar shumë shtrenjtë nëse zbulohej në ato vite, kur Shqipëria ishte nën një diktaturë nga më të egrat komuniste të kohës.