Shqiperia mund te pastrohet por do pune

Shqiperia mund te pastrohet, por do pune
Një grup qytetarësh gërvishtën mbretërinë e plehrave te Kepi i Rodonit përreth kalasë së Skënderbeut

Kepi i Rodonit, një vijë disa kilometra e gjatë toke që futet në det duke krijuar një panoramë shumë të këndshme, ka mbetur pak a shumë siç qe 500 vjet më parë, kur Skënderbeu vendosi të bëjë një eksperiment politik duke krijuar një port për të hapur tregti me jashtë. Ka mbetur njësoj, me përjashtim të disa bunkerëve të ndërtuar gjatë kohës së komunizmit, si dhe plazheve të pafundme të mbuluara me plastikë që është hedhur nga banorët e Tiranës, Krujës, Fushë-Krujës, Mirditës e Matit. Një shishe e hedhur në Tiranë një dekadë më parë, mund të gjendet atje sot, dhe besohet se ka për të mbetur atje edhe për 4 mijë vitet e ardhshme nëse askush nuk shkon ta heqë.

Një resort i shkëlqyer turistik me kodra të buta e plazhe intime të zbrazura nga popullsia, mbetet i pashfrytëzueshëm dhe i neveritshëm për shkak të sasisë së stërmadhe të plastikës lundruese. Objektet e tjera ndotëse, si shishet e qelqit apo kanoçet e metalit janë më të rralla për shkak se ato nuk lundrojnë. Vendësit raportojnë se herë pas here, i gjithë bregu i detit krijon një brez vajrash të zinj, të cilët dyshohet se derdhen prej vitesh në mënyrë të paligjshme nga anijet që rrahin bregdetin shqiptar gjatë udhëtimeve të tyre nëpër Adriatik.

Një grup prej rreth 50 qytetarësh u grumbulluan në Tiranë të premten e shkuar dhe arritën të pastrojnë një brez prej rreth 1 kilometri plazh përreth kalasë së Skënderbeut, në një ekspeditë që zgjati dy ditë e gjysmë. Gjithsej dy kamionë me shishe plastike u grumbulluan pranë kalasë së Skënderbeut, u transportuan me dy varka të vogla deri te plazhi pranë kishës së Shna Ndoit dhe u nisën për te një kompani riciklimi.

Ekspedita u financua nga 12 qytetarë, të cilët dhuruan gjithsej 58 mijë lekë dhe 220 euro. Vullnetarët paguan nga ana e tyre një pjesë të shpenzimeve të qëndrimit për dy ditë e gjysmë në zonë dhe fjetën në çadra ushtrie.

“E zgjodhëm këtë zonë për shkak të simbolikës që ka”, thotë Aranita Brahaj, një nga organizatorët. “Është një zonë për të cilën thuhet se vetë Mamica Kastrioti vdiq dhe u varros”, shton ajo.

Edhe Oliver J. Schmitt, historiani i debatuar i periudhës së Skënderbeut, beson gjithashtu se Kepi i Rodonit duhet të ketë një rol më të rëndësishëm në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve.

Por sot për sot, Kepi i Rodonit është asgjë më shumë se një fushë e hapur e mbuluar nga plehrat. Plazhet gjenden larg rrugëve dhe shumica janë të arritshme vetëm më këmbë ose me varka. Grumbullimi i plehrave qe një pjesë e punës. Transportimi i tyre te pika ku kamioni mund të mbërrinte qe një gjë tjetër. Një djalë nga Tropoja, i cili jeton prej vitesh në Belgjikë dhe gjendej aty rastësisht për plazh, e la plazhin dhe u bashkua me vullnetarët për të mbledhur plehrat. Të premten pasdreke, kur dy varka të ngarkuara me thasët e zinj u afruan te plazhi pranë kishës, një grumbull turistësh u bënë kureshtarë për të parë se çfarë kishte brenda. Thasët e zinj që shpesh duken në televizor të përdorura për të paketuar kanabisin, qenë bërë pirg mbi varka. Turistët u zhgënjyen kur ndien erën e plehrave, por fakti që dikush po i mblidhte, duket se nuk i bëri mjaftueshëm përshtypje pasi plehrat që ata vetë kishin krijuar, ndërsa shulloheshin në diell, i lanë po aty pasi e mbaruan ditën e plazhit. Zona përreth kishës po përdoret së fundmi nga grupe turistësh me kampingje dhe me zgara. Pirgjet me shishe birre të zbrazura sakaq kanë filluar të mbulojnë një luginë piktoreske.

“Me këtë që bëmë, së paku pamë se Shqipëria mund të pastrohet”, thotë Klajdi Kruja një nga organizatorët. “Nëse me 50 vetë mund të pastrohet një copë e mirë, me më shumë mund të pastrohet i gjithë vendi”, shton ai.

Grupi i vullnetarëve që tashmë quhen “Rojat e Kepit”, e njohën njëri-tjetrin në Facebook, ku u hodh edhe njoftimi për organizim. Ata qenë një grup miks profesionistësh qyteti të moshave 25-40 vjeç. Dikush qe menaxher arti, dikush inxhinier kompjuterësh dhe një tjetër punonte menaxhere marketingu në një kompani private. Ata premtuan se vitin e ardhshëm do të ktheheshin në Kepin e Rodonit me shpresë se një ekspeditë tjetër do të pastrojë një pjesë tjetër të plazhit, si dhe me shpresë se deri atëherë, qytetarët do të jenë ndërgjegjësuar mjaftueshëm dhe qeveria do të kenë ndërtuar strukturat e nevojshme për të mos lejuar më shishe plastike të rrjedhin nëpër lumenjtë e vendit drejt e në det.

“Mundet që një zgarë të vendoset në grykëderdhjet e lumenjve apo në këmbët e urave për të mbledhur plastikën lundruese”, thotë Aranita. Nuk kushton asgjë dhe shqiptarët që nxjerrin jetesën duke mbledhur plastikë për riciklim do ta kenë më të lehtë.

Plehrat kanë mbuluar praktikisht të gjithë Shqipërinë dhe janë kthyer në një krizë permanente. Qeverisë nuk i kanë munguar nismat, por duket se i mungojnë aftësitë organizative. Disa muaj më parë, Kryeministri Sali Berisha njoftoi se do të angazhonte të gjithë qeverinë, si dhe shqiptarët jashtë qeverisë për pastrimin e Shqipërisë në një ditë. Dita kaloi dhe përveç daljes në televizor të Kryeministrit, asgjë tjetër nuk ndodhi. Asnjë zgjidhje sistemike për pastrimin dhe më pas, për parandalimin e bërjes pis, nuk u shtrua.

Dhe derisa shqiptarët të fitojnë një qeveri mjaftueshmërisht të aftë për të zgjidhur një problem kaq banal sa grumbullimi i plehrave, nisma qytetarësh për pastrim do të jenë gjithmonë të vlefshme.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama