Shqiperia ne Eurimages

Shqipëria në Eurimages
Është lajmi i fundit që vjen nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, nga kryetari i saj, Xhevdet Feri, i sapokthyer nga qendra e kulturës evropiane për vitin 2009, Vilnius i Lituanisë ku, më 31 maj-2 qershor u mblodh Asambleja e Përgjithshme e Eurimages. Feri e ka bërë zyrtar lajmin në mbledhjen e bordit të projekteve të filmit të gjatë artistik, i cili po dje ka miratuar një projekt të rëndësishëm: mbështetjen financiare të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë, i cili do t\'i prezantohet publikut në edicionin e këtij dimri me tjetër strukturë.

Kryetari Feri, nëpërmjet një deklarate, ka përcjellë me entuziazëm fundin pozitiv që patën përpjekjet burokratike 18-mujore për anëtarësimin në këtë strukturë pranë Këshillit të Evropës, ku, deri më sot, aderojnë 33 vende.

Delegacioni shqiptar, i përbërë nga Feri vetë, Ferit Hoxha, sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së dhe Roland Sejko, ekspert ndërkombëtar i fushës, "shkëmbeu pikëpamjet, shpjegimet përfundimtare të zhvillimeve dhe ofertës së kinematografisë shqiptare në tregun dhe kulturën europiane, debatoi problematikën e perspektivës së këtyre çështjeve me Asamblenë e Përgjithshme të Eurimages, në prani të presidentit, sekretariatit ekzekutiv dhe bordit të menaxhimit të Eurimages".

Në përfundim të këtij takimi, i cili shënon edhe hallkën e fundit të procedurave të aplikimit dhe miratimit të anëtarësimit, asambleja vendosi pranimin e Shqipërisë në Eurimages dhe konfirmoi angazhimin e delegacionit shqiptar për mbylljen e akteve formale brenda qershorit. Sipas Ferit, kjo do të thotë që "kineastët e interesuar shqiptarë kanë mundësinë e aplikimit dhe gjykimit të projekteve të tyre në mbledhjen e muajit dhjetor 2009. Ndërsa kontributi shqiptar në fond është në nivelin e dyshemesë së detyrueshme, (105 mijë euro në vit, për vitin 2009 vetëm 50.000 euro) ndërsa maksimumi i përfitimit nga fondi për një projekt është 700 mijë euro".

Feri ia lejon vetes entuziazmin për këtë lajm, sepse procedurat e anëtarësimit janë realizuar në kohë rekord. Kujtojmë se kjo histori ka filluar qysh në vitin 2000.

Atributet për këtë arritje Feri ua vesh autoriteteve si, Lulzim Basha, ministër i MPJ-së, për "reagimin e menjëhershëm ndaj rëndësisë së çështjes dhe vënien në dispozicion të këtij procesi të rëndësishëm, të kualiteteve më të spikatura të administratës së MPJ-së" dhe në mënyrë të posaçme ambasadores së Shqipërisë pranë Këshillit të Europës, Margarita Gega, "e autorizuar zyrtarisht nga autoriteti i shtetit shqiptar, për cilësinë e angazhimit dhe insistimit në operativitetin e procesit".

Feri ua vesh meritat e këtij anëtarësimi edhe kineastëve shqiptarë, të cilët në këtë dhjetëvjetësh, në sajë të bashkëprodhimeve ndërkombëtare kanë krijuar me konseguencë një partneritet evropian, duke "promovuar kinematografinë shqiptare në këtë treg, duke çelur shtigjet, dhe paraprirë e lehtësuar anëtarësimin e Shqipërisë në Eurimages", sado që rezultati dhe suksesi i këtij produkti nuk është akoma ai që mund të ishte.

Po t\'i ishin nënshtruar këta kineastë konkurrencës brenda sistemit të këtushëm të kinematografisë - i cili nuk ka rrëzuar ndonjëherë ndonjë nga "etërit" e vjetër dhe të rinj - me siguri punët do të ishin ndryshe. Anëtarësimi në fjalë, mbase do të ndikojë në edukatën e bordeve tona për t\'i vlerësuar projektet filmike në bazë të cilësisë dhe jo nisur nga parimet e tarafeve apo qëllimeve personale që ngaherë ngelen jetëshkurtra.

Një projekt filmik nga Shqipëria mund të hyjë dhe të përfitojë nga programet e Euroimages vetëm me standardin e cilësisë.
"Eurimages", e themeluar më 1988-ën nga Këshilli Europian për financimin e kooproduksioneve evropiane, distribucionit të tyre, për ngritjen e kinemave të reja me repertor filmik evropian, kërkon kinema, buxhet, prodhim, ratifikim të konventave me transmetimet e televizioneve, të drejtat e autorit, luftë piraterisë etj. Feri është shprehur se janë pika që Shqipëria i plotëson, por "në diskutim mbeten numri kinemasë dhe ratifikimi konventës europiane për koproduksionin". 

Po dje, bordi i QKK-së mori vendim për mbështetjen financiare që do t\'i jepet një aktiviteti ndërkombëtar.

Feri pohoi se bordi i përbërë nga Kiço Blushi, Todi Bozo, Ndriçim Xhepa, Elvira Diamanti, Fatos Baxhaku, Ylli Pepo dhe Kristaq Skrami, ka miratuar mbështetjen për të tretin vit radhazi të TIFF- it, Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë, i cili nga ky edicion i dimrit nuk i kushtohet më vetëm filmit të shkurtër, po edhe filmit të gjatë artistik. Ilir Butka ka konfirmuar ndërrimin e strukturës që ka pësuar TIFF-i. Festivali po merr në vete edhe festivalin e filmit shqiptar e duke e futur në një seksion më vete. Ndoshta kjo është mënyra më e mirë dhe vendi më i përshtatshëm për festivalin e filmit shqiptar. Tradita e edicioneve të festivalit kombëtar të filmit shqiptar vjen nga vitet shtatëdhjetë. Janë realizuar deri më sot 13 edicione. Dhjetë vitet e fundit është endur sa në Tiranë e sa në Durrës.

TIFF-i mbledh në një atë çka donte të merrte mbi vete projekti pilot i Festivalit Veror të Durrësit, i mbështetur nga QKK-ja. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë mbase me këtë strukturë të re do t\'i japë fund edhe lëngatës së tij.



Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama