Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, shpreh bindjen se pavioni i Shqipërisë në Panairin Expo Milano 2015 do të ketë shumë sukses, pasi ai afron për vizitorët një Shqipëri që ofron turizmin si destinacion dhe, në të njëjtën kohë, një destinacion për investime të huaja.
Ministrit Ahmetaj ka dhënë një intervistë për mediat mbi pavionin e Shqipërisë në Expo Milano 2015 ku thekson se “ia kemi dalë të sjellim një pavion ndryshe, një Shqipëri moderne dhe një Shqipëri tradicionale në të njëjtën kohë”.
Cili është komenti juaj për pavionin e Shqipërisë në Expo Milano 2015 ?
Pikë së pari, mua më pëlqeu pavioni ynë. Është një koncept shumë interesant që e takon Shqipërinë në një dimension tjetër, dimensioni harmonisë fetare, i harmonisë së njeriut më natyrën, i një Shqipërie në fakt që ka një tranzicion nga tradita tek modernia dhe të dy elementët, dhe tradita, dhe modernia, janë të harmonizuar në një mënyrë gati perfekte. Në të njëjtën kohë, koncepti i harmonisë fetare është aty, është unik në fakt dhe ia vlente që të ishte në fokus sepse është një gjë e veçantë, një gjë që në atë dimension harmonik është sot vetëm në Shqipëri, është një shembull i drejtpërdrejtë edhe për shumë e shumë territore dhe vende të tjera, dhe në të njëjtën kohë aty vjen një Shqipëri shumë e gjallë, shumë e rë, që afron ngjyra, që afro mundësi, që afron destinacion spektakolar turizmi dhe në të njëjtën kohë një destinacion për investime të huaja. Unë jam i bindur që pavioni do të ketë shumë sukses. Na takon ne detyra që ta mbushim me aktivitete gjatë gjithë periudhës dhe të jemi në harmoni dhe me gjithë klasterin bio mediterran, i cili është shumë interesant. Unë pata mundësi të vizitoj edhe dy-tre pavione të tjera, San Marino, Siçilinë. Koncepti është harmonik. Ndjehem shumë krenar që kemi mundur, ia kemi dalë të sjellim një pavion ndryshe, një Shqipëri moderne dhe një Shqipëri tradicionale në të njëjtën kohë.
Shqipëria ka një historik që nga vitet 1937 për pjesëmarrje të tilla në Expo të ngjashme. Cila është pritshmëria e qeverisë shqiptare deri në fund të tetorit, kur të jetë përmbyllur Expo Milano 2015?
Është interesante historia e Expo Milano-s dhe historia e Shqipërisë me Expo-n. Viti i parë që ne kemi marrë pjesë, për shqiptarët besoj është e panjohur, është viti 1937 dhe vetëm pas viteve ’90 kemi mundur të marrim përsëri pjesë. Ky është një rast ku ne kemi mundësi të promovojmë Shqipërinë si një vend evropian i paeksploruar, një vend normal, një vend që afron shumë kënaqësi të ndryshme, që nga qetësia, që nga natyra, që nga kuzhina, që nga njerëzit, turizmi, apo bioturizmi, dhe prishmëria sigurisht që është e vështirë ta masësh, t’i vendosësh masa apo numra, por po j’ua lidh me një statistikë shumë interesante. Sivjet pritshmëria e rritjes së turizmit, për shkak të atyre që janë bërë ndër vite, për shkak të EXPO-ve të ndryshme, për shkak të aktiviteteve nëpër panaire të ndryshme apo ekspozimit të Shqipërisë në shumë vende të ndryshme, numri i turistëve pritet të rritet 25 për qind. Pra, për herë të parë Shqipëria ka mungesë shtretërish për të pritur turistët. Gjithë këto aktivitete në atë drejtim shkojnë, promovojnë Shqipërinë si një vend evropian i pa eksploruar akoma, një vend normal dhe një destionacion shumë interesant për turizmin dhe për investimet.