TIRANË, 5 Nëntor/ATSH-Gjergji Mima/ -Konferenca "Shqipëria në Procesin e Berlinit: Vlerësime dhe Rekomandime - Vjeshtë 2015", e organizuar nga ShtetiWeb, mblodhi sot në Hotel "Tirana international" ambasadorët e disa prej vendeve të BE që diskutuan mbi procesin e Berlinit dhe rrugën e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor drejt BE.
Gjatë këtij aktiviteti, ambasadori gjerman, Helmut Hoffmann, në fjalën e tij kërkoi përfshirjen e shoqërisë civile dhe medias në projekte. Hoffmann deklaroi gjithashtu se procesi i zgjerimit kërkon kohë dhe se nuk dihet kur do të hapen negociatat për anëtarësimin.
"Duhet me shumë për shkëmbimet rinore. Është e shkëlqyer që ju të përfshini shoqërinë civile dhe që mediat të jenë të përfshira në këto projekte. Pocesi i zgjerimit kërkon kohë, nuk e dimë kur do të hapen negociatat për anëtarësimin, po presim progres-raportin që do të dalë në ditët në vijim", tha ambasadori Hoffmann.
Ndërsa ambasadori i Francës, Bernard Fitoussi, u shpreh gjatë fjalës ë tij se se, "nën Presidencën franceze, BE nisi procesin që synonte të bashkonte vendet e Ballkanit në bashkëpunim rajonal. Lufta në Kosovë e ndali këtë proces, por BE nxori mësime dhe vijoi politikën e bashkëpunimit rajonal në Ballkan".
Sipas tij, "Bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë do të mbeten elementet thelbësorë të BE. Për këtë arsy BE i kushtoi bashkpunimit rajonal 10% të fondeve të Para-Aderimit".
"Franca është lidhur me këtë rajon nëpërmjet lidhjeve historike, politike, kulturore ku Frankofonia zë një vend të veçantë", tha amasadori Fitoussi.
Kjo konferencë është kontributi i rradhës i organizatës Shtetiweb në proceset e integrimit rajonal dhe evropian. Analizat e folësve dhe debatet ofruan një vlerësim të pavarur të progresit të vendit tonë në Procesin e Berlinit: një prej iniciativave më të rëndësishme dhe sfiduese në të cilën Shqipëria është përfshirë aktualisht.
Konferenca shpalos kontekstin e Procesit të Berlinit dhe impaktin e tij në Shqipëri; ndërveprimin me procesin e asociimit në BE; rolin e aktorëve kryesorë shqiptarë dhe ndërkombëtarë; mekanizmat e financimit të projekteve të konektivitetit dhe aktorët institucionale (si Komitetin e Investimeve Kombëtare, Grupet Sektoriale të Punës, tipologjinë e projekteve të financueshme, mekanizmat e financimit, Listën Unike të Projekteve Prioritare, etj.), dhe analizoi progresin e arritur që nga konferenca e Berlinit në Gusht 2014.
Pjesëmarrësit u njohën me stadin e avancimit të përgatitjes së projekteve për financim, sektorët prioritarë dhe problemet që u trajtuan për një aplikim të suksesshëm.
Po ashtu, pjesemarrësit diskutuan mbi mënyrat se si qeveria, parlamenti, shoqëria civile, dhe biznesi duhet të bashkëpunojnë për një paraqitje efikase dhe dinjitoze në Samitin e Parisit në 2016.
Konferenca mblodhi bashkë politikbërësit, komunitetet e biznesit, akademikët, inteligjencën, shoqërinë civile, median, etj. nga Shqipëria si dhe nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. /a.ke/