Shqiperia ne dhjete vitet e ardhshme

Shqiperia ne dhjete vitet e ardhshme
Vazhdon pjesa e dytë e artikullit studimor të Albert Rakipit për zhvillimet demokratike në vendin tonë në dy dekadat e fundit. Në këtë pjesë trajtohen probleme që lidhen me demokracinë e brendshme të partive politike, politika e jashtme, ajo arsimore dhe gjendja ekonomike. Autori mendon se duhet një pakt i madh për shtetin dhe për konsolidimin e institucioneve...

Demokratizimi  i partive politike

Partitë politike mbeten aktorët kryesorë politikë dhe  njëherazi  institucionet më jodemokratike në vend.  Kur partia  është në pushtet ajo identifikohet me shtetin, ndërsa  qoftë në shtet, qoftë në opozitë, partia identifikohet me udhëheqësin.

Duke përjashtuar ish-udhëheqësin socialist Fatos Nano, që dha dorëheqjen pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2005, partitë vijojnë të kenë në krye të njëjtën udhëheqje që nga  përmbysja e komunizmit. Në përgjithësi është e vërtetë të thuhet se jeta politike e Shqipërisë në dy dekadat e fundit, dhe jo vetëm jeta politike, është dominuar nga dy apo  tre individë. Z. Berisha është në krye të Partisë Demokratike që nga  krijimi i saj, më 1990, ndërsa për një mandat e gjysmë ka qenë President i Republikës dhe në dy mandate të tjera, duke filluar nga 2005, kryeministër. Nga ana tjetër, Edi Rama po mbush një dekadë në krye të Partisë Socialiste, ndërsa ka drejtuar Bashkinë e Tiranës për tre mandate (njëmbëdhjetë vjet) duke pretenduar një mandat të katërt(!) Në të dy partitë, ndonëse ekzistojnë dokumente statutore e procedura, kryetarët vijojnë të mbeten të njëjtë  dhe  pavarësisht  se ekzistojnë  institucione  të tjera brenda partisë, pushteti real gjendet në duart e  kryetarëve. Një sistem bipolar partiak me dy parti të mëdha në një konflikt permanent  ka ngushtuar dhe vijon të ngushtojë hapësirën për një shoqëri civile në Shqipëri.

Në dhjetë vitet e ardhshme  priten të ndodhin ndryshime  në udhëheqjet respektive të dy partive të mëdha. Mënyra se si do të ndodhin ndryshimet brenda lidershipeve të dy  partive do të  jenë përcaktuese për të ardhmen e funksionimit demokratik të vetë partive dhe  për rrjedhojë edhe për të ardhmen demokratike  të Shqipërisë.

Shqipëria është i vetmi vend ballkanik ku elitat drejtuese  mbeten të njëjta qysh nga koha e ndryshimit të regjimit më 1990. Nëse në partitë politike shqiptare në dhjetë vjetët e ardhshëm nuk ndodh natyrshëm zëvendësimi i lidershipeve atëherë të paktën në këtë pikë është e sigurt se  Shqipëria  do t’u ngjajë regjimeve autokratike te  Lindjes se Mesme  që u rrëzuan apo vijojnë të rrëzohen me dhunë.
 
NJË PAKT PËR SHTETIN

Nëse ka një problem madhor me të cilën ballafaqohet Shqipëria në fund të një tranzicioni prej dy dekadash, ai është shteti i dobët, mungesa e prezencës së shtetit, të ligjit, shkalla shumë e ulët e zbatimit të ligjit. Që kur ka hyrë demokracia  në Shqipëri nuk ka ligj, nuk ka shtet Është paradoksale ta mendosh, por qytetarët e lidhin shtetin e dobët me proceset demokratizuese që filluan pas viteve nëntëdhjetë. Ndonëse nuk mund të flitet për nostalgji për shtetin nën komunizëm, gjithsesi qytetarët i njohin shtetit  të mëparshëm një sërë cilësish që kanë të bëjnë me rregullin dhe shkallën e zbatimit të ligjit. Në fakt, ka një paradoks që duhet shpjeguar: teorikisht dhe praktikisht shteti është i dobët në komunizëm dhe i fortë në një sistem demokratik funksionues, nëse nuk e definojmë shtetin nga  pikëpamja e kapaciteteve shtrënguese, por në kapacitete për të prodhuar cilësi të lartë në të mirat publike bazë, sigurinë, rendin dhe ligjin, drejtësinë, shëndetësinë, arsimin, etj. Mendoni sa keq kanë shkuar punët me performancën e shtetit në postkomunizëm  sa   aktualisht qytetarët shqiptarë, ndonëse nuk kanë asnjë  nostalgji për  shtetin në komunizëm, mendojnë se aktualisht në Shqipëri nuk ka shtet, nuk ka ligj,  thjesht për të treguar funksionimin e dobët të shtetit.

Me rrëzimin e  komunizmit në Shqipëri u rrëzua njëherazi edhe shteti i cili u njehsua me regjimin shtypës komunist. Me rënien e shtetit në fillim të viteve nëntëdhjetë pati të paktën dy implikime serioze: Shqipëria humbi kontrollin mbi kufijtë dhe  kontrollin mbi territorin, dy kritere të paneglizhueshme që e klasifikojnë si shtet një territor te caktuar. Identifikimi i shtetit me regjimin ishte faktori i parë që çoi fillimisht në dobësimin dhe më pas në dështimin e shtetit. Por s’ka dyshim se duhen mbajtur parasysh edhe tradita shtetërore relativisht e re, shkalla shumë e ulët e industrializimit dhe një ekonomi përgjithësisht agrare,që kushtëzuan përgjithësisht një kohë të gjatë të procesit të ndërtimit të shtetit. Gjithë historia e shtetit modern shqiptar është e lidhur me zhvillimet e njëqind vjetëve të fundit, ku eksperiencat kapitaliste, liberale dhe aq më pak demokratike, ishin episodike dhe mbetën embrionale deri në rënien nën dominimin komunist.

Një faktor tjetër “i jashtëm” për dobësimin e kapaciteteve të funksionimit të shtetit ka të bëjë më triumfin e ideve neoliberale dhe entuziazmin që shoqëroi  fundin e Luftës së Ftohtë. Mbështetja tërësisht te tregu dhe magjia e tij, zvogëlimi i përmasës së shtetit, kompetencave dhe rolit të tij tani është provuar se ka qenë e gabuar edhe për ekonomitë më të konsoliduara kapitaliste. Zvogëlimi i shtetit bazuar në idetë neoliberale në  një vend  thuajse feudal si Shqipëria, ku kapitalizmi në rastin më të mirë nuk ishte më shumë se sa një fasadë, vetëm sa çoi në dobësimin e mëtejshëm të shtetit.

Gjithsesi faktori  themelor i dobësimit të shtetit në Shqipëri ka të bëjë me deformimin e sistemit politik. Ka të bëjë me një demokraci të dobët, fasadë dhe jo funksionuese. Duket qartë se kemi hyrë në një rreth vicioz, ku demokracia e dobët ushqen shtetin e dobët dhe ku shteti i dobët riciklon një demokraci të dobët. Cila është rrugëdalja?

Dhjetë vitet e ardhshme  do të jenë përcaktuese për t’u larguar nga kjo trashëgimi e këtyre dy dekadave që kërcënon të shndërrohet në një “normalitet”.

Departizimi i shtetit është hapi i parë që partitë politike shqiptarë duhet të ndërmarrin bazuar në një konsensus politik të gjerë.

Një ‘Pakt për shtetin” duhet të garantojë ndarjen e shtetit nga partia, për t’i hapur rrugë ndërtimit të një burokracie shtetërore, e cila nuk bazohet te fryma dhe struktura klienteliste, klanore, fisnore, por te kushtetuta, ligji, procedurat, dokumentet, kontratat, konkurrenca. Një studiues  grek duket se e vë gishtin në plagë kur thotë se Greqia është një vend i botës së parë për sa u takon standardeve të jetesës dhe një vend i botës së tretë  nëse flasim për institucionet dhe infrastrukturën e tyre. Provojeni t’i krahasoni institucionet greke që qenkan të botës së tretë me infrastrukturën e institucioneve në Shqipëri për  të kuptuar  situatën reale ku ndodhemi.

Humbja e kontrollit të shtetit mbi territorin është në një shkallë dëshpëruese: në një popullsi prej milionë banorë ekzistojnë gjysmë milioni ndërtesa të paligjshme që praktikisht do të thotë se pothuajse çdo shqiptar është angazhuar në një veprimtari të paligjshme. Mungesa e ligjit dhe rregullit sidomos në dekadën e fundit në Tiranë ka çuar në shpërfytyrimin e kryeqytetit. Provoni të vendosni ligjin qoftë edhe brenda për brenda unazës së Tiranës, ku pothuajse në çdo pallat të ndërtuar përpara viteve nëntëdhjetë është vënë dorë me shtesa dhe gjymtime, pa folur për anarkinë dhe ndërtimet e reja. Anarkia e ndërtimeve, kaosi, gllabërimi i hapësirave publike po i bën qytetet shqiptare gjithmonë e më të pabanueshme, ndërsa po rrudhen gjithmonë e më shumë potencialet e zhvillimit  ekonomik përmes turizmit nga vala e shkatërrimit përmes ndërtimeve pa asnjë plan, shkatërrimit të ambientit, ndotjes së deteve liqeneve/ lumenjve.

Rivendosja e kontrollit të shtetit mbi territorin kërkon gjithashtu konsensus të partive kryesore dhe udhëheqësve të tyre: për shembull, gjatë dhjetë viteve të fundit vijon procesi i legalizimeve të ndërtimeve të paligjshme. A është i mundshëm një konsensus midis partive për të mos e përdorur këtë proces për të fituar zgjedhjet. A është e mundshme të ndalet furia e ndërtimeve të paligjshme që duket se inkurajohet nga politikat e legalizimit?

Aktualisht korrupsioni ka dobësuar/minuar funksionimin e institucioneve bazë të shtetit,  agjencive të zbatimit të ligjit, përfshirë sistemin e drejtësisë dhe në pesë gjashtë vitet e fundit praktikat korruptuese po shndërrohen në një sistem funksionimi, për sa i takon  arsimit në Shqipëri.
 
KOHA PER NJE EKONOMI  KAPITALISTE DHE PERPARESITE

Në vitin 1994 në Shqipëri nuk ekzistonte asnjë bankë private, ndërsa aktualisht ka një zinxhir bankash perëndimore, por ndonëse numri i bankave për frymë është më i lartë se  gati në çdo vend anëtar të BE -së, produktet dhe shërbimet ofrohen me tarifat më të larta në të gjithë rajonin. Kjo duket krejt e pakuptueshme përderisa duhet të ekzistojë konkurrenca midis tyre. Më 1992, pajisja me telefon fiks ishte e mundur vetëm përmes autorizimit të qeverisë, ndërsa tani ka katër kompani të telefonisë celulare, por çmimet  janë ndër më ta lartat në botë. Përse nuk duket të ketë konkurrencë midis katër kompanive të telefonisë celulare kur ekonomia shqiptare pretendon të jetë një ekonomi kapitaliste? Këto janë vetëm dy shembuj masivë, por pothuajse e njëjta situatë vërehet në mallrat dhe  shërbimet e konsumit të gjerë. Përse nuk duket të ketë konkurrencë në ekonominë shqiptare? Në çfarë shkalle ekonomia në Shqipëri funksionon si ekonomi kapitaliste?Çështja e dytë që duhet të shqyrtohet në mënyrë kritike lidhet me hierarkinë e përparësive të zhvillimit ekonomik të vendit. Ku i ka avantazhet ekonomia shqiptare, cilët sektorë duhet të kenë prioritet? Në njëzet vitet e fundit zhvillimi ekonomik ka qenë thuajse kaotik dhe me një listë të gjatë prioritetesh cka e bën çdo sektor jo prioritar.Ndonëse  duhet të shqyrtohen në mënyrë kritike, gjithsesi ekspertë lokalë dhe jo vetëm këta mendojnë se dy duhet të jenë sektorët prioriotarë të zhvillimit ekonomik të vendit:1) Zhvillimi i Turizmit 2) Energjia Nëse këto janë prioritetet e zhvillimit ekonomik si janë të lidhura dhe bashkëveprojnë këta sektorë me ambientin, infrastrukturën dhe cilësinë e arsimit profesional në Shqipëri?
 
DEGRADIMI I SISTEMIT ARSIMOR

Dhjete vjetet e ardhshme do të jenë përcaktuese për cilësinë dhe të ardhmen e sistemit të arsimit në Shqipëri. Shqipëria trashëgoi nga sistemi komunist një traditë të fortë të shkollës. Ndonëse e organizuar mbi shkollën ruse, sistemi arsimor në Shqipëri në të gjitha ciklet  ruajti një  cilësi përgjithësisht të lartë , seriozitet dhe përkushtim të madh . Universiteti  dhe akademia shqiptare, ndonëse në kushtet e një izolimi ekstrem, arritën    të krijojnë një elitë, duke përjashtuar shkencat sociale. Po  kështu edhe në ciklet e shkollës elementare apo të mesme, regjimi përkujdesej në mënyrë të posaçme. Antropologia Clarisa De Ëaal thotë se përfytyrimi i Perëndimit për shqiptarët ishte sikur ata ishin thjesht njerëz që jetonin nëpër pemë, por unë mund t’u dëshmoj se mësuesit  shqiptarë ishim shumë më të mirë se mësuesit e Greqisë. Diplomimi si mësues dhe sigurisht si profesor universiteti ishte status në  shoqërinë shqiptarë nën komunizëm,  status në fakt si posedim i çfarëdo  diplome universitare, që siguronte edhe statusin  social edhe punën, por  në rastin e sistemit të edukimit regjimi ishte shumë i kujdesshëm në kandidatët që shkolloheshin për arsimtarë.

Është paradoksale ta mendosh, por cilësia e arsimit në kushtet e lirisë ka rënë mjaft  krahasuar me regjimin  komunist. Goditja e parë ndaj arsimit në Shqipëri dhe shkollës universitare në veçanti ndodhi në vitet e para të tranzicioni, kur një numër i madh   profesorësh, kërkuesish shkencorë deri edhe mësues të talentuar zgjodhën të largoheshin nga Shqipëria, shpesh herë për të siguruar mbijetesën duke kryer punë të rëndomta. Por degradimi i sistemit të arsimit në Shqipëri u thellua në vitet që pasuan dhe aktualisht  edhe ekspertë lokalë edhe të huaj nuk e mohojnë  gjendjen thuajse të pashpresë të arsimit. Korrupsioni  është  padyshim  shkaku themelor për këtë degradim spektakular që fillon nga cikli i ulët deri në nivelin universitar. Mësues dhe pedagogë të paguar keq dhe  madje shumë keq, duket se zgjodhën një rrugë të gabuar për të siguruar mbijetesën, atë të korrupsionit. Tani, për të kaluar klasën dhe deri për të marrë diplomën thjesht duhet të paguash.

 Ekspertët lokale dhe të huaj pohojnë pa hezitim degradimin e sistemit arsimor në Shqipëri. Është jashtë çdo dyshimi që hapja e Shqipërisë në njëzet vjetët e fundit ka krijuar mundësi të shkëlqyera, që dhjetëra mijëra studentë shqiptarë të studiojnë çdo vit në universitet perëndimore. Aktualisht, sistemi arsimor në Shqipëri, sidomos në nivelin universitar, përballet me një situatë kaotike, gati të pashpresë. Si është bërë e mundur të lejohet që gati tridhjetë për qind e shkollave parauniversitare private funksionojnë të palicencuara nga qeveria? Por varrmihësi i arsimit në Shqipëri është padyshim universiteti privat. Dhjetëra universitete private kanë dalë si kërpudhat pas shiut. Ato shërbejnë kryesisht si burime fitimi për pronarët dhe po minojnë idenë e një arsimi cilësor nëpërmjet sipërmarrjes private. Universitetet private janë skemat e reja piramidale të shqiptareve. Ndërsa më 1997 skemat piramidale shkatërruan shtetin, sot skemat e reja piramidale po shkatërrojnë të ardhmen e vendit.
 
POLITIKA E JASHTME E SHQIPËRISË – KOHA PËR NDRYSHIM

Transformimi politik, ekonomik dhe social i Shqipërisë gjatë njëzet vjetëve të fundit është mbështetur mjaft në politikën e jashtme dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.. Përparimi i mëtejshëm i Shqipërisë s’ka se si të ndodhë pa kontributin e politikës së jashtme dhe përgjithësisht të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ndonëse   përparimi dhe suksesi në punët e jashtme të Shqipërisë do të varet nga suksesi në punët e brendshme, është e nevojshme rishqyrtimi i marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë duke filluar me vendet ballkanike, por jo vetëm rishqyrtimi i marrëdhënieve dypalëshe të Shqipërisë me Kosovën, Serbinë, Maqedoninë. Në mënyrë të veçantë është i nevojshëm rishqyrtimi i marrëdhënieve me dy fqinjët – shtete kufitare të BE-së, Italinë dhe Greqinë, në mënyrë të veçantë me këtë të fundit.

Shqipëria nuk duket të ketë një politikë ballkanike dhe duket se ka ndrojtje, në mos frikë, ta ketë një politikë të jashtme në Ballkan. Bashkëpunimi rajonal në Ballkan është i dështuar ose së paku nuk mund të jetë i suksesshëm nëse më së pari nuk ka marrëdhënieve të shëndosha midis shteteve (ne nivelin bilateral). Shqipëria gjithmonë ka pretenduar një rol konstruktiv në Ballkan, çka ka nënkuptuar një mbështetje aktive të politikave perëndimore në Ballkan. Ndjekja e një kursi të kundërt me këtë më së shumti ka qenë një shqetësim i hamendësuar i Perëndimit se sa  një gjasë reale për të ndodhur.

 Dhjetë vjetët e ardhshëm do të jenë jashtëzakonisht të rëndësishme për të  ardhmen e   marrëdhënieve të Shqipërisë me vendet ballkanike duke filluar pikësëpari me Kosovën. Nëse pretendohet te ketë një rol të Shqipërisë në Ballkan,  a do të vijojë të jetë ky roli më së shumti i shpikur nga Perëndimi, një rol që  supozon një Ballkan nën frikën e destabilizimeve dhe konflikteve apo do të jetë një rol që do të mbështesë interesat e Shqipërisë, pa hequr dorë nga angazhimet si anëtare e komunitetit ndërkombëtar (NATO) dhe  një vend aspirant për në BE?

 Midis Shqipërisë dhe Greqisë ekzistojnë probleme që duhen zgjidhur bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe sigurisht në vlerat europiane. Nëse marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-në janë marrëdhënie në tranzicioni, se cila do të jetë e ardhmja e këtyre marrëdhënieve duhet të jetë çështje jo vetëm e shqyrtimeve akademike, por edhe e konsideratave të politikëbërësve dhe vendimmarrësve. Marrëdhëniet e Shqipërisë me rajone të tjera në Lindjen e Mesme dhe përgjithësisht me botën islame thuajse kanë ngrirë. A është e gatshme Shqipëria dhe sidomos përse duhet të jetë e gatshme  për një politikë të jashtme 360 gradë?

Zhvillimi i mendimit kritik në  debatin dhe vendimmarrjen për çështje të politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare do të sjellë  demokratizimin e politikes së jashtme, të procesit vendimmarrës dhe për rrjedhojë edhe ndryshime  pozitive.

Së fundi, por jo e  fundit për nga rëndësia, një politikë e jashtme  serioze, realiste, duhet të mbështetet nga një shërbim cilësor dhe kompetent. Shërbimi diplomatik i Shqipërisë, në fakt, si gjithë administrata publike - aparati shtetëror,- është ndërtuar dhe funksionon  bazuar në nepotizmin politik, klanor e deri dhe familjar dhe jo në dokumente, kushtetutën, ligjet dhe procedurat.
         

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama