Shqiperia ne ngjyra ne kohen e kaosit

Shqiperia ne ngjyra ne kohen e kaosit
Projeksioni i fotografive me ngjyra “Shqipëria 1912” nga fondi i Muzeut “Albert Kahn” shfaqet në Kinema Millenium nesër, ora 19.30. Ky filmim me 97 fotografi shfaqet në 12 qytete kryesore të vendit, në bashkëpunim me bashkitë përkatëse si në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Pogradec, Vlorë, Sarandë etj. Ekspozita është fryt i nismës së Ambasadës së Francës dhe Qendrës Shqiptare të Studimeve Albanologjike me mbështetjen e Fondacionit “Albert Kahn” dhe vjen si prodhim i Akademisë së Filmit “Marubi” në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Është realizuar nga Eol Çashku, me tekst të Ardian Marashit, rrëfyer nga Edmond Tupja, me kolonë zanore zërin e Inva Mulës që shoqërohet nga Kuarteti Gaudi.

Bëhen pak vjet qyshkur albanologu Robert Elsie njoftonte dhe shpjegonte ç’ishte ky koleksion në librin e tij “Shqipëria dhe Kosova në ngjyra 1913. Autokromat e koleksionit Alber Kan”. Elsie shkruan për projektin ambicioz “Arkivat e Planetit” të Kahn-it, projekt që synonte të dokumentonte me fotografi bardhezi dhe me ngjyra kulturat njerëzore kudo në botë.

Për këtë qëllim, Kahn një bankier dhe filantrop francez, dërgoi kameramanë dhe fotografë në rreth pesëdhjetë vende të botës në vitet 1909-1931. Ata realizuan rreth 72.000 autokroma dhe 170.000 metra film. Për këtë arsye koleksioni i Albert Kahn-it është një nga qendrat më të rëndësishme të fotografisë me ngjyrë. Robert Elsie shkruan se misioni i parë i “Arkivave të Planetit” iu dedikua Ballkanit dhe u planifikua nga profesori Jean Brunhes (1869-1930). Gjeografi Brunhes dhe fotografi Auguste Leon ndodheshin në Bosnje para shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike (tetor 1912). Në maj të vitit 1913 ata vazhduan udhëtimin për në Kosovë, ku realizuan autokroma përkatësisht në Prishtinë, Graçanicë, Lipjan dhe Prizren. “Në Shqipëri ky udhëtim u realizua në vjeshtën e vitit 1913”, shkruan Elsie. “Brunhes dhe Leon kaluan nga Mali i Zi në Durrës. Më 16 tetor nga Durrësi kaluan lumin Erzen, të mbrojtur nga Esad Pashë Toptani (1864-1920) dhe arritën në Tiranë ku qëndruan dy ditë. Nga Tirana, u kthyen përsëri në Durrës dhe me një anije vazhduan rrugën për në Tivar të Malit të Zi për të përfunduar në Shkodër më 21 tetor 1913. Shkodra, fortesa e fundit e osmanllinjve në Ballkan, kishte rënë në duart e forcave malazeze më 22 prill 1913 dhe gjatë luftimeve një pjesë e madhe e qytetit të vjetër u shkatërrua.”

Ardian Marashi, drejtor i Qendrës së Studimeve Albanolgjike, bashkëpunëtore në këtë projekt, shënon që “Arkivat e Planetit” u krijuan nisur nga një bindje e Kahn-it se njohja e tjetrit është rruga më e sigurt që çon në respektimin mes tyre të individëve dhe popujve. “Ambicia e tij ishte të dokumentojë historinë dhe të fiksojë në kujtesën filmike mënyrën e jetesës dhe zakonet e shoqërive më të fraxhilizuara përpara se e gjitha kjo të zhduket përballë globalizmit që po shfaqet.”

Vetë Albert Kahn në një aspekt të ngushtë të fotografisë si art i ri, e komenton kësisoj misionin e tij: “Për fotografinë stereoskopike, për projeksionet, veçanërisht  kinematografinë, do të doja të bëja që të funksiononin mirë, me qëllim që të fiksoja një herë e mirë të gjitha aspektet, praktikat dhe mënyrat e aktivitetit njerëzor, zhdukja fatale e të cilit është vetëm çështje kohe.”

Çfarë do të shohim nga koleksionet e Shqipërisë në ngjyra? Portrete fëmijësh, burrash e grash, kostume e tradita, objekti kulti, monumente e rrënoja, tregje e dyqane, manifaktura e vepra, nga Tiranë në Shkodër, që identifikojnë kulturën e një kombi të ri në Ballkan. Sipas Marashit, projeksionit të afro 100 imazheve nga Shqipëria, i shtohen po kaq fotografi me ngjyra nga bota shqiptare në Kosovë e Maqedoni.

Albert Kahn (1830-1940) lindi në Bas-Rhin të Francës në një familje hebreje me pesë fëmijë. Njihet si bankier dhe filantrop. Në vitin 1881 diplomohet dhe punon si nëpunës banke në Paris. Shefi i tij ka qenë Henri Bergson, me të cilin mbeti shok për tërë jetën. Më pas u përzje nëpër qarqet intelektuale, duke u miqësuar me skulptorin Auguste Rodin, poetin dhe eseistin francez Paul Valéry etj. Ka qenë një nga bashkëpunëtorët kryesorë të bankës Goudchaux, që konsiderohej si një prej shtëpive më të rëndësishme financiare në Evropë. Në vitin 1893 siguroi një pronë në Boulogne-Billancourt dhe krijoi një kopsht të veçantë me një ndërthurje stilesh midis kopshteve angleze, japoneze. Ky kopsht u bë një vend takimi për inteligjencën franceze dhe evropiane për vitet 1929, derisa falimentoi. Kopshti shëtitet ende dhe sot.

Arkivat e Planetit

Projekti “Arkivat e Planetit” (Les Archives de la Planète) synonte të dokumentonte në fotografi bardhezi dhe me ngjyra. Midis viteve 1909 dhe 1931, fotografët dhe kameramanët që dërgoi Kahn në gati pesëdhjetë vende të botës bënë 72.000 autokroma dhe 170.000 metra film. Misioni i parë i “Arkivave të Planetit” i planifikuar nga profesori Jean Brunhes, (1869-1930) ishte në Ballkan. Jean Brunhes dhe Auguste Leon para shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike në fillim të tetorit 1912 ndodheshin në Bosnje dhe fotografuan Banja Llukën, Jajcën, Mostarin dhe Sarajevën. Udhëtimi i tyre në Kosovë u krye në maj të vitit 1913 ku u bënë autokroma në Prishtinë, Graçanicë, Lipjan dhe Prizren. Prej Kosovës ekipi vazhdoi rrugën nga Shkupi për në Selanik, dhe prej andej ata udhëtuan për në Bursë në Azinë e Vogël. Misioni në Shqipëri u zhvillua në vjeshtë të vitit 1913.

Në fillim të vitit 1929 Kahn ishte ende një nga njerëzit më të pasur të Evropës, por në fund të këtij viti, me rënien e Wall Street do të vinte dhe rënia e perandorisë Kahn. Në vitin 1931, për shkak të krizës financiare, ai u detyrua të hiqte dorë nga projekti “Arkivat e Planetit”, një projekt që zgjati nga viti 1909-1931. Arkivi i tij që është një pasuri për gjithë popujt e botës, ruhet në bodrumet e një prej pronave të tij, që ndodhet në afërsi të Parisit. Sot konsiderohet si koleksioni më i rëndësishëm i fotografive të vjetra me ngjyra.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama