Shqiperia ne rrezik nga kthimi i emigranteve

Shqiperia ne rrezik nga kthimi i emigranteve

Shqipëria po përgatitet për rrezikun, se trazirat e fqinjit të saj jugor, Greqisë, do të detyrojnë qindra-mijëra punëtorë shqiptarë emigrantë të kthehen në shtëpitë e tyre, duke ndërprerë dërgimin e të ardhurave për familjet, të cilat jetojnë në kushte mjaft të vështira. Ministrat e qeverisë në Tiranë shprehin besimin se sistemi financiar në Shqipëri mund t’i shpëtojë stuhisë, edhe pse tri banka në Shqipëri janë me pronësi greke dhe kontrollojnë pothuajse 16 për qind të gjithë aseteve në sektorin bankar shqiptar.

 

Por, shqetësimi për kthimin e mundshëm të emigrantëve tregon se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit, e jo partnerët e Greqisë në eurozonë, mund të jenë të parat që do të përjetojnë efektet ekonomike dhe sociale të njëpasnjëshme të krizës në Athinë.

Rreth 12 për qind e 3.2 milionë njerëzve në Shqipëri jetojnë nën kufirin e varfërisë prej 2 dollarësh në ditë, përcaktuar nga Banka Botërore. “Punëtorët shqiptarë emigrantë kanë shkuar në Greqi që në fillim të viteve ‘90,” u shpreh Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm, gjatë një vizite me një grup gazetarësh të BE-së në Tiranë, të mërkurën. “Kontributi i shqiptarëve jashtë Shqipërisë, në Greqi dhe në Itali, ka qenë mjaft i rëndësishëm në mbështetjen e ekonomisë shqiptare.

 

Nëse flasim në terma ekonomikë, ne i kemi ndjerë efektet e krizës greke”. Remitancat nga shqiptarët që punojnë jashtë vendit kanë rënë nga 952 milionë euro në vitin 2007 në 544 milionë euro vitin e kaluar, por edhe kjo shifër më e ulët përfaqëson rreth 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë.

Rreth 180 mijë emigrantë shqiptarë janë kthyer në shtëpi gjatë pesë viteve të fundit, si pasojë e intensifikimit të krizës së Greqisë, por disa qindramijëra të tjerë, pjesa më e madhe e të cilëve mendohet të jenë atje në mënyrë të paligjshme, llogaritet të jenë ende atje kryesisht në zonën e Athinës dhe qytetin verior të Selanikut. Rreziku tani është se një numër i madh emigrantësh, në qoftë se humbasin punën dhe kursimet e tyre në Greqi, do të kthehen në Shqipëri.

Kjo do të ndikonte në rritjen e papunësisë, që aktualisht shënon 14 për qind të fuqisë punëtore, në një afat të shkurtër, tendosjen e sistemit të sigurimeve shoqërore dhe njëkohësisht do të paraqiste një sfidë të re: integrimin e fëmijëve të emigrantëve të arsimuar në gjuhën greke, në shkollat dhe shoqërinë shqiptare. Këto probleme janë cilësuar potencialisht më serioze për Shqipërinë se çdo rrezik tjetër i “infektimit” financiar nga Greqia. Zyrtarët shqiptarë të bankës qendrore thonë se tri bankat greke në Shqipëri kanë raporte të mjaftueshmërisë së kapitalit prej më shumë se 17 për qind, mbi minimumin prej 14 për qind të caktuar për ta.

Megjithatë, sipas Bushatit, kriza greke mund të ketë fatkeqësisht pasoja negative që do të pengonin përpjekjet e fundit shqiptaro-greke për të lehtësuar tensionet e tyre në një marrëdhënie të mbajtur peng nga mosmarrëveshjet territoriale, të pakicave etnike dhe çështje të tjera, disa prej të cilave e kanë fillesën në luftën e dytë botërore. “Në kohë krize të thellë ekonomike dhe financiare, këto probleme janë shumë më të vështira për t’u trajtuar. Retorika nacionaliste hyn në lojë, dhe kjo nuk i shërben krijimit të një mjedisi të favorshëm për të trajtuar çështjet dypalëshe. Nikos Kotzias, ministri i jashtëm i Greqisë, pritet të vizitojë Tiranën më 15 korrik, por mbetet për t’u parë nëse ai do të mbërrijë me ide të reja për tejkalimin e një mosmarrëveshjeje lidhur me përvijimin e shelfit kontinental midis dy vendeve në Detin Jon.

Marrë nga “Financial Times”

Qytetarët të dyzuar për votën e së dielës

Kur mbeten edhe dy ditë nga votimi në referendum, grekët janë konfuzë e të dyzuar, pasi kryeministri Aleksis Cipras, i ka kërkuar sërish popullit të tij të refuzojnë paketën e ndihmës nga ndërkombëtarët. Por, a do të rregullohen marrëdhëniet e Athinës me partnerët e Bashkimit Europian? Kjo do të jetë e vështirë për t’u përcaktuar, të paktën jo përpara referendumit, ku grekët me votën e tyre do të vendosin për të ardhmen e vendit.

Më pak se 24 orë, pasi Cipras shkroi një letër këshilluese për kreditorët, duke kërkuar një marrëveshje të re që mund të përfshinte disa kërkesa dhe sugjerime të Athinës zyrtare, Cipras krejt papritur e hodhi poshtë këtë tentativë paqeje, në një dalje televizive. “Greqia është shantazhuar”, tha shefi i qeverisë, ndërsa i kërkoi popullit të tij të votojë “Jo” të dielën. Kjo javë ka qenë e vështirë për shtetin tonë fqinj, teksa atmosfera nuk është aspak e mirë me ofertat e orëve të natës e mesazhet e përcjella nga qeveria e majtë. “Njerëzit e kanë humbur fare dhe ky është i gjithë faji i qeverisë. 100 për qind, faji i të gjithë politikanëve dhe politikës greke.

Ata janë të vetmit që duhen fajësuar për këtë situatë”, tha një pensionist. “Jemi shumë të shqetësuar sepse mendoj se është shumë e vështirë situata, në kohën kur njerëzit po presin në radhë për të marrë vetëm 60 euro dhe ne shohim tani qeverinë që po rri kot, po përpiqet kot, nuk po bëjnë asgjë. Ata dërguan disa propozime dhe në të njëjtën kohë po i kërkojnë qytetarëve të japin opinionin e tyre për një gjë që tashmë s’duhet të vihet më në diskutim. Është çmenduri. Ne s’dimë çfarë të bëjmë”, tha një avokate 47-vjeçare. “Nuk duam asnjë marrëveshje të re, asnjë propozim të ri nga kryeministri ynë, sepse ai është bërë i pabesueshëm. Thotë një gjë dhe një orë më pas një gjë tjetër, duke na humbur besimin. ”, u shpreh një tjetër qytetar.

Ministri i Financave flet për dorëheqjen

Tre ditë para referendumit të së dielës, ministri i Financave, Janis Varufakis, deklaron se nëse qytetarët votojnë pro reformave të kreditorëve, ai do të japë dorëheqjen. Në një intervistë për “Bloomberg”, Varufakis është shprehur se, nëse kjo do të ndodhë, të hënën në mbrëmje nuk do të jetë ministër i Financave, duke nënvizuar se do të vijojë të japë kontributin e tij për të ndihmuar vendin në krizën e borxhit.

Pritshmëritë e ministrit janë që grekët të refuzojnë propozimet e Komisionit Europian, Bankës Qendrore Europiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, të cilat kërkojnë rritje të taksave dhe shkurtime të shpenzimeve të mëtejshme në këmbim të ndihmës së vazhdueshme. “Preferoj të pres njërin krah se të firmos një marrëveshje, e cila nuk merr përsipër ristrukturimin e borxhit të Greqisë”, tha Varufakis. Papa Françesko i gjendet pranë popullit grek e shumë familjeve greke në vështirësi nga kriza e rëndë që ka goditur vendin. Në një komunikatë publike, zyra e shtypit të Vatikanit ka përcjellë lutjen speciale të Papa Françeskos për popullin grek.

“Le të lutemi të gjithë për ta”, thuhet në të. Lajmet që vijnë nga Greqia preokupojnë mbi situatën ekonomike e sociale të këtij vendi, është shprehur zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, At Federico Lombardi, e Ati i Shenjtë dëshiron t’i gjendet pranë popullit grek, me një mendim e lutje speciale për shumë familje greke që vuajnë një krizë humane e sociale kaq komplekse. “Dinjiteti njerëzor duhet të jenë në qendër të çdo debati politik e teknik, ashtu sikurse dhe në përgjegjësitë e zgjedhjeve dhe vendimeve”, ka thënë ai. “Papa Françesko fton të gjithë besimtarët të bashkohen në një lutje speciale për popullin grek e momentin e vështirë në të cilën gjendet.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama