Shqiperia otomane ne syte e nje jezuiti polak

Shqiperia otomane ne syte e nje jezuiti polak

Vepra e At Marçin Çerminjskit, “Shqipëria- Përshkrime etnografike, kulturore dhe fetare” është pak e njohur nga studiuesit. Misionari polak e vizitoi Shqipërinë dy herë; në vitin 1878 dhe më 1892. Nga ky udhëtim ai solli një përshkrim të jetës, kryesisht të katolikëve (por dhe myslimanëve) në Shqipërinë e Veriut, nën sundimin otoman 

 

Në një ditë të bukur gushti të vitit 1892, kur sapo kish filluar të zbardhej, një prift jezuit polak nisi udhëtimin e tij drejt Shqipërisë. Ai quhej At Marçin Çerminjski (1860-1931).

 

“Një nga misionet e para fetare të Çerminjskit ishte edhe misioni që ai ndërmori në Shqipëri në vitin 1892, kohë në të cilën vendi ndodhej nën Perandorinë Osmane. Nga materialet e para të grumbulluara në vend, si dhe ato të shfrytëzuara nga arkivat shkencorë, në vitin 1893 Çerminjski botoi librin e parë nga historia e popujve të tjerë me titull: “Shqipëria- Përshkrime etnografike, kulturore dhe fetare”, i cili konsiderohet si një nga veprat më të rëndësishme të tij,- thotë përkthyesi Roland Zissi, i cili e ka sjellë në shqip këtë vepër nën logon e Shtëpisë botuese “Onufri”. Libri së shpejti do të jetë në qarkullim në të gjitha libraritë. Sipas Zissit, pas librit për Shqipërinë, At Çerminjski shkroi edhe libra të tjerë me përmbajtje historike, ndërmjet të cilëve, nga më kryesorët ai përmend: “Në Dalmaci dhe Malin e Zi” (1896), “Nga Udhëtimet në Bosnjë Hercegovinë” (1899), “Nga Greqia dhe Kreta” (1902), “Në malin e Athosit”(1908) etj.

 

Vizita e parë e Marçin Çerminjskit në territoret e banuara nga shqiptarët ka ndodhur në vitin 1878. Udhëtimin e dytë, rezultat i të cilit është dhe libri “Shqipëria- Përshkrime etnografike, kulturore dhe fetare”, At Marçin Çerminjski e bëri në verën e vitit 1892. Përshtypjet e para nga ky udhëtim ai i përshkroi në një cikël artikujsh në faqet e revistës “Misione Katolike” që botohej në Poloni, dhe një vit më vonë ky cikël shkrimesh u përmblodh në librin që së shpejti do të jetë edhe në duart e lexuesve shqiptarë.

 

“Deri tani, në Europë – shkruante jezuiti polak në vitin 1892- nuk ka asnjë vend që të jetë kaq pak i njohur për një rreth të gjerë të shoqërisë sonë, siç është Shqipëria, një nga provincat e Turqisë Europiane. Në historinë e përgjithshme përmendet paksa Skënderbeu dhe luftërat e tij shumëvjeçare kundër osmanëve në mbrojtje të atdheut të vet. Me mbarimin e shekullit XV shuhet në harresë historia e këtij populli, apo më saktë, historia flet pak për të, se si është gjendja e tanishme e tij, për sa i përket civilizimit, ashtu edhe fatit të kishës atje dhe do të ishte e kotë të kërkohej në literaturën tonë. Duke njohur disa shqiptarë, edhe nga ata që kanë punuar si misionarë në këtë vend, duke dëgjuar tregimet e tyre tepër interesante për gjendjen atje dhe duke u nxitur shumë prej tyre, fillova të lexoj shkrimet e të huajve dhe të mendoja për botimin e disa artikujve në revistën “Misione Katolike”. Duke iu referuar materialeve, gjeta gjëra shumë më interesante nga sa parashikoja, prandaj vendosa të hartoj një përshkrim të gjerë për Shqipërinë. Për këtë shkak ndërmora një udhëtim në Turqinë Europiane, me qëllim që të mbledh në vend të dhëna të shumta e të sakta. Si kapelan i ngjarjeve të Kishës Katolike, mbi të gjitha pata parasysh dhe u angazhova për të paraqitur përhapjen dhe shkaqet e rënies së saj që nga kohët e mëparshme e deri në ditët tona. Kjo temëështë shtjelluar aq gjerësisht, saqë nuk gjendet në asnjë botim tjetër”.

 

Për ndriçimin sa më të mirë të temës së shtjelluar prej tij, në libër janë trajtuar edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me Shqipërinë.

 

“Në fillim është hedhur një vështrim i gjeografisë së këtij vendi dhe historisë së tij, për aq sa më kanë lejuar burimet e pakta, që lexuesi të formojë një njohuri të përgjithshme për ngjarjet që kanë ndodhur në këtë vend, i cili është shkretuar nga vërshimet osmane. Pas kësaj bëhet fjalë për doket dhe traditat shqiptare, për organizimin shoqëror të tyre, për të drejtën e hakmarrjes, pra të marrjes së gjakut. Në vijim kam paraqitur historinë e Kishës në përgjithësi dhe të çdo dioqeze në veçanti. Në mbyllje kam përshkruar veprimtarinë apostolike të misionarëve të atyshëm dhe të trevave malore. Lexuesi do të gjejë edhe njohuri të shumta për etnografinë dhe kulturën që i përket popullsisë më pak të njohur nga të tjerat dhe qëështë shkruar për Shqipërinë”, – shkruan misionari jezuit, At Marçin Çerminjski.

 

Shqiptarët e Veriut

 

 Shqiptarët, siç quajnë ata veten nëpërmjet kontakteve me sllavët dhe grekët, paraqesin një popullsi jo shumë homogjene. Madje edhe në malet që ndodhen pranë njëri-tjetrit, ata formojnë bashkësi të ndryshme që dallojnë shumë njëra nga tjetra. Ndërmjet të tjerave dallojmë dy më kryesorët: Gegët në veri dhe Toskët në jug të Shqipërisë që, madje kanë edhe dallime gjuhësore, saqë Toska me Gegën merren vesh me vështirësi. Gjithashtu ata kanë dhe dy kryeqytete: Shkodrën në veri dhe Janinën në jug, në të cilën është përqendruar popullsia, kanë dy tregje shitblerjeje të mallrave të ndryshme, kanë portet e tyre detare, të parët Budva, Tivarin dhe Ulqinin, ndërsa të dytët Durrësin, Vlorën dhe Prevezën gjysmë greke. Geget që ndryshe quhen malësorë, ndahen gjithashtu në bashkësi të ndryshme, prej të cilave më të shquara janë ato të Hotit dhe Kelmendit, që banojnë në Malësinë e Shkodrës. Qeverisen sipas dokeve dhe privilegjeve të tyre vendore dhe pak janë në varësinë e qeverisë turke. Më të rëndësishmit nga bashkësitë e mësipërme janë mirditorët, dukagjinasit dhe dibranët, të cilët banojnë në male, në jug të lumit Drin dhe mbajnë të njëjtët emra. Ndër fqinjët e tyre, mirditorët janë në numër më të madh, sepse numërojnë rreth 35 000 veta dhe janë bashkësia më burrërore nga gjithë banorët e Gadishullit Ballkanik.

 

Gjithë shqiptarët tani mund të jenë rreth 1.5 milion, megjithëse vetëdeklarojnë se janë në numër më të madh. Ndoshta kështu është po të numërojmë dhe diasporën e tyre në provincat e tjera të Turqisë, të Greqisë e të ishujve jonianë e të Egjeut, si dhe popullsinë e shumtë shqiptare në Itali, Sicili dhe disa mijëra të tjerë në Dalmaci.

 

Autorë polakë të shek XIX, që kanë shkruar për Shqipërinë

 

Për hartimin e veprës janë shfrytëzuar librat:

 

“Iliria e Shenjtë”, vëll. VIII i Atë D. Ferlatit, “Studime shqiptare” i Johan Georg fon Hahn, “Histori dhe përshkrim i Shqipërisë së Epërme”, i konsullit francez, Jack Hecquard, “Shqipëria e Epërme dhe Liga e saj”, i Spiridon Gopçeviçit, kronika “Letra latinisht dhe kroatisht” e priftit të Dioklesë, botuar në vitin 1874 nga Dr. Ivan Çrçiç, “Dokumente për historinë e sllavëve të Jugut dhe të popujve fqinjë”, i V.V. Makushevit, “Përmbledhje e këngëve popullore shqiptare” i Zef Jubanit etj.

 

Autori ka shfrytëzuar në dorëshkrim “Historinë e Seminarit shqiptar të Shkodrës”, nga arkivat e dioqezave, shënimet dhe raportet e At Dominik Pasit, epror i misionit shqiptar, në formën e pjesëve të shtypura si dorëshkrime, ose të ruajtura si dorëshkrime origjinale dhe, së fundi, letrat private që i janë dërguar vetë At Marçin Çerminjskit ose personave të tjerë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama