Shqiperia perballet me rruge te veshtire per ne BE

Shqiperia perballet me rruge te veshtire per ne BE

Ndërsa Tirana përpiqet të plotësojë kriteret e anëtarësimit, dinamikat e brendshme në vendet anëtare të Bashkimit Europian i shtojnë barrë shpresave për anëtarësim të lehtë dhe të shpejtë. Shqipëria mori statusin kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian të premten e kaluar pasi rekomandimet nga Komisioni Europian dhe Këshilli i Ministrave të Jashtëm u miratua nga sa samiti i krerëve të shteteve të BE-së në Bruksel.

Gjithsesi, Tiranës iu desh të kapërcente skepticizmin e disa vendeve anëtare të BE-së, kundërshtimet e të cilave ndaj statusit kandidat për Shqipërinë nuk qenë ngushtësisht të lidhura me kriteret e anëtarësimit në BE, zyrtarë në Bruksel i thanë Balkan Insight.

Sipas një anëtari të Parlamentit Europian dhe zyrtarëve nga Komisioni Europian, leksioni i fituar nga bisedimet është që nevoja për të kënaqur interesat afatshkurtra politike dhe ekonomike të vendeve të ndryshme anëtare do të luajë një rol më të madh në procesin e integrimit.

Eduard Kukan, Kryetari i Delegacoionit të Parlamentit Europian për Marrëdhëniet me Vendet e Europës Jug-Lindore, i tha Balkan Insight se “gjashtë vende anëtare të BE-së, Britania e Madhe, Franca, Republika e Çekisë dhe Spanja qenë ngurruese për dhënien e statusin kandidat”.

Mes këtyre shteteve, Çekia kishte kundërshtimet më të ashpra si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes Tiranës dhe gjigandit energjetik të Çekisë CEZ mbi pronësinë e kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike.

“Shqipëria kishte të drejtë mbi këtë çështje, por çekët u treguan të ashpër,” vërejti Kukan.

Në janar 2013, Enti Rregullator i Energjisë në Shqipëri i hoqi licencën CEZ duke e rimarrë kompaninë e shpërndarjes nën kontrollin e shtetit.

Vendimi, i cili në praktikë e shtetëzoi CEZ Shpërndarje qe zhvillimi i fundit në një mosmarrëveshje të gjatë mes Tiranës dhe kompanisë çeke mbi borxhet e papaguara.

Pak orë para se Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së të takohej më 23 qershor, Ministria e Ekonomisë dhe Energjisë së Shqipërisë njoftoi se kishte arritur një marrëveshje me CEZ për t’i paguar kompanisë çeke 95 milionë euro dëmshpërblim.

Pas marrëveshjes, Praga hoqi dorë nga kundërshtimi për statusin kandidat për Shqipërinë dhe votoi pro.

Kjo nuk është hera e parë në të cilën Shqipëria përballet me diplomacinë quid pro quo në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Sipas kabllogramave diplomatike amerikane të publikuara nga WikiLeaks, në vitin 2008 Shqipëria pranoi një marrëveshje të pafavoshme për kufirin detar të jugut të vendit në këmbim të miratimit nga parlamenti i Greqisë të Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Anëtarësimit. Marrëveshja përfshinte edhe ndërtimin e varrezave të debatueshme për ushtarët grekë të vrarë në tokën shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Marrëveshja për detin u rrëzua një vit më vonë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë si e paligjshme.

Shqipëria aplikoi fillimisht për statusin kandidat në Bashkimin Europian në vitin 2009.  Aplikimi u refuzua tri herë nga Komisioni Europian për shkak të klimës politike konfliktuale në Tiranë dhe mungesës së progresit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Komisioni në fund lëshoi një rekomandim pozitiv pa kushte për statusin kandidat nëntorin e kaluar, por Këshilli i Ministrave të BE-së vonoi miratimin deri në qershor, duke kërkuar të shohë ecurinë e mëtejshme të reformave kyçe të premtuara nga qeveria e qendrës së majtë e kryeministrit Edi Rama.

Sipas Kukan, Spanja pati gjithashtu kundërshti për statusin kandidat të Shqipërisë për shkak të mungesës së mbështetjes së Tiranës për kandidimin e Spanjës për një post anëtari jo të përhershëm në Këshillin e Sigurisë të OKB-së.

Votimi për Këshillin e Sigurisë do të mbahet në tetor dhe Spanja po konkurron me Turqinë dhe Zelandën e Re.

Përveç mosmarrëveshjeve dypalëshe, Shqipëria u përball me pengesa si pasojë e rritjes së skepticizmit ndaj anëtarësimit në BE në disa prej vendeve anëtare.

Sipas një zyrtari në Komisionin Europian, i cili foli në kushtet e anonimatit, ndjenjat anti-BE të shfaqura në median tablloide në vende si Britania e Madhe, po pengojnë procesin e zgjerimit.

“Ju duhet të merrni parasysh në të ardhmen jo vetëm progresin e vendit tuaj në plotësimin e kushteve për integrim por edhe konsideratat e brendshme në vendeve anëtare,” tha zyrtari.

Ndërsa Shqipëria iu afrua anëtarësimit në BE, gazetat tablloide britanike kanë publikuar disa artikuj muajin e fundit duke pretenduar se deri në 3 milionë punëtorë shqiptarë do të pushtojnë Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas censusit të popullsisë të vitit 2011, Shqipëria ka një popullatë prej 2.8 milionë banorësh. Përfshirë fëmijë dhe pensionistë.

Kryeministri Edi Rama ka theksuar se rritja e euroskepticizmit dhe partive të ekstremit të djathtë në Europë do të pengojë edhe më shumë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë.

““Është e qartë që kjo rritje ekstremizmi të frikëson, nga mënyra se si ndjenjat e thjeshta të njerëzve janë manipuluar dhe se si argumentet totalisht të gabuara kanë gjetur terren”, tha Rama në një intervistë për televizionin France 24 së fundmi.

“Kjo, duhet të shërbejë si një shtysë e madhe drejt asaj që ne nuk kemi arritur si projekt europian dhe jo si kthim mbrapsht”, shtoi ai.

Kukan, një diplomat me eksperiencë, tha se përveç retorikës, Tirana nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përshtatet me klimën e politikës së brendshme në vendet anëtare të Bashkimit Europian në mënyrë që të përparojë në aspiratën e vet për anëtarësim.

“Komisioni Europian mund të rekomandojë dhe Parlamenti Europian mund të votojë në mbështetje, por në fund janë krerët e shteteve anëtare të cilët vendosin mbi anëtarësimin e Shqipërisë,” tha Kukan. “Shqipëria ka nevojë të ketë marrëdhënie të mira me secilin prej këtyre vendeve.”


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama