Shqiperia pret Pavaresine

Shqiperia pret Pavaresine
Vetëm 100 orë na ndajnë nga 28 nëntori 2012, kur do të mbushet plot një shekull nga shpallja e Pavarësisë. Afrimi i festës së madhe ka filluar të ndjehet ngado. Tirana dhe Vlora, por edhe qytetet e tjera të Shqipërisë janë veshur në kuq e zi, ndërsa lajmërohen një numër i madh aktivitetesh përkujtimore, ceremonish, forumesh e botimesh. Një klimë e ngjashme përjetohet edhe në Kosovë e pjesën shqiptare të Maqedonisë, ku 100 vjetori i Pavarësisë përfiton një kuptim edhe më të gjerë e kuptimplotë...

Karvani i 300 kalorësve të nisur nga Prishtina drejt Vlorës, në shenjë përkujtimi të gjestit të udhëtimit historik të delegatëve kosovarë me Isa Boletinin në krye, tashmë është rrugës për në qytetin bregdetar të Pavarësisë.

Ai është paraprirë nga gjeste të tjera të simbolike jashtë kufirit shtetëror. Deri edhe tifozët kuq e zi e lanë mënjanë për një çast futbollin, për të vizituar shtëpinë ku u mbajt Kongresi i Manastirit. Ndërkohë në internet është shfaqur nisma më e fundit: mbledhje firmash drejtuar gjigandit amerikan Google, me qëllim që logoja e tij të ngjyhet në kuq e zi. Një traditë që Google e përdor prej kohësh për evenimente të ngjashme të shteteve të tjera. Vetëdija kombëtare po jeton orë të lumtura. Një moment i kuptueshëm krenarie kombëtare, që vjen natyrshëm në pragun e 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar.

Festa e Pavarësisë do të sjellë në Shqipëri një numër personalitetesh zyrtare, të artit e kulturës. Krerët më të lartë të Kosovës, kryeministri turk Erdogan, ministri i jashtëm grek Avramopulos dhe ish-kryetari i parlamentit italian Fini, janë disa nga personalitetet që pritet të vijnë. Natyrisht që lista duket mjaft modeste, krahasuar me morinë e ftesave që Berisha ka shpërndarë në të gjitha daljet e tij të fundit jashtë vendit, për një numër të madh personalitetesh të larta zyrtare në Europë e SHBA.

Nga ana tjetër në Vlorë do të zbresin ish-ambasadori Uithers dhe shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare, familjarë të Ramush Haradinajt dhe Rexhep Qosja. Këtij paneli figurash të njohura do t’i bëjë shoqëri e gjithë opozita, e majtë dhe e djathtë, e cila ka njoftuar prezencën e saj në sheshin e Flamurit.

Ka një ferment të ethshëm në botën shqiptare, në lidhje me atë çka përfaqëson kremtimi i përvjetorit të Pavarësisë. Nuk janë vetëm flamujt që kanë pushtuar hapësirat publike, ballkonet e pallateve në Tiranë e jashtë saj apo makinat me simbole kombëtare. Mjafton t’i hedhësh një sy internetit, blogjeve, faqeve informative, rrjeteve sociale gjithfarësh, për të parë sesi shqiptarët, në të katër anët e botës, janë të përfshirë nga një dëshirë mjaft e shprehur, për të lënë një gjurmë virtuale sado të vogël, në skenën e madhe të Pavarësisë. Ardhja e Mesharit të Buzukut dhe armëve të Skënderbeut përbëjnë gjithashtu ngjarje historike për vendin, aq sa therja e pritshme makabër e 2000 kokëve bagëti në sheshin Nënë Tereza, s’mund t’ua ekplisojnë peshën dhe rëndësinë.
 
Ciklet e një datë të shënuar

Një javë më parë botuam të plota programet ceremoniale shtetërore, që janë hartuar me rastin e 20 vjetorit, 25 vjetorit, 50 vjetorit dhe 100 vjetorit të Pavarësisë. Nuk kishim aspak qëllim që të bënim krahasimin mes epokave, as përballjen e protokolleve. Secila prej qeverisjeve të vendit, e ka festuar (dhe e ka përdorur) siç ka ditur dhe sa ka mundur përvjetorin e Pavarësisë. Ashtu si sot, mbretëria e Zogut është fokusuar më shumë në festimet në Tiranë, aq sa vetë Zogu nuk ka vajtur në Vlorë as për 20, as për 25 vjetorin. Regjimi komunist nga ana e tij është fokusuar thuajse i gjithi në festimet e Vlorës, duke shpërngulur edhe qeverinë e parlamentin për pesë ditë në qytetin e Pavarësisë.
Nuk është e vështirë të vërehet se dualizmi Tiranë-Vlorë, sa i përket kremtimit të Pavarësisë, është një film i parë tashmë. Ai nuk lindi sot dhe as pritet të mbarojë të nesërmen e 28 nëntorit.
 
Të ndarë në “dasëm dhe në mort”

Ardhja e 100 vjetorit të Pavarësisë ngriti jo vetëm tonet patriotike, por edhe temperaturën politike. Ka për t’u regjistruar si një nga debatet më të shëmtuara të vitit që po lemë pas, ai rreth protokollit të festës së 28 nëntorit. Qeveria jo vetëm që ngulmoi deri në fund për spostimin e dhunshëm të pikës së rëndesës së të gjitha ceremonive në Tiranë. Ajo ndërmori gjithashtu një proces të deformuar e thellësisht të politizuar, për vlerësimin ose lënien në harresë të një numri figurash historike.

Sjellja e eshtrave të Ahmet Zogut u la në të njëjtën ditë që Tirana festonte çlirimin, për ish-mbretin u thurën një listë ka e gjatë lavdesh, saqë u shtynë në hije me pahir Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtinë, Bajram Curri e deri edhe vetë Ismail Qemali. U tentua heqja e emrit të sheshit Avni Rustemi, si pjesë e të njëjtit skenar për rishkrimin tendencioz e trashanik të historisë së shekullit të shkuar.

Ashtu siç pritej, reagimi i opozitës qe i ashpër dhe kaq mjaftoi për t’i dhënë jetë një debati të ri, që u mbivendos mbi listën e debateve të vjetra që popullojnë axhendat politike. Me shumë gjasë, fakti që festa e 28 nëntorit gjendet në rrugën që të çon drejt zgjedhjeve të përgjithshme të mesvitit 2013, bën që klima politike të jetë e mbingarkuar politikisht. Ajo që shohim sot, vetëm pak orë para se vendi të përkulet para flamurit kombëtar, është një Shqipëri e ndarë, që po e feston Pavarësinë e përçarë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama