Shqiperia pret statusin Bullgaria I keni permbushur kushtet. Holanda skeptike

Shqiperia pret statusin, Bullgaria: I keni permbushur kushtet. Holanda skeptike

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, gjatë një konference me homologun bullgar Kristian Vigenin ka folur për integrimin e Shqipërisë në BE. Ai është shprehur se Shqipëria pret një vendim politik nga Bashkimi Europian sa i përket statusit të vendit kandidat. I pyetur në lidhje me qëndrimin e Holandës, Bushati ka theksuar se ende nuk ka vendim të qeverisë holandeze për këtë çështje.

“Holanda është një nga vendet themeluese të BE-së. Jemi në kontakte të vazhdueshme me autoritetet holandeze. Jemi shumë të njohur me qëndrimin skeptik të Holandës, i cili nuk është vetëm për Shqipërinë, por ndaj zgjerimit dhe rreptësisë së ndershme që sheh në procesin e zgjerimit. Në kontaktet e përditshme nuk ka ende një vendim të qeverisë holandeze në lidhje me propozimin e KE-së, është vetëm prezantimi paraprak i raportit të komisionit. Parlamenti holandez dhe qeveria holandeze do të flasin për këtë çështje. Por, të themi troç që presim një vendimi politik, i cili duhet të jetë unanim për dhënien e statusit të vendit kandidat dhe çdo qëndrim, sa i takon Shqipërisë do të duhet të ishte një qëndrim inkurajues për Shqipërinë, për procesin politik që ka nisur pas zgjedhjeve të 23 qershorit dhe një vendim, i cili do të jepte një nxitje të mëtejshme zhvillimeve pozitive në rajon”, tha Bushati.

Gjithashtu ministri Bushati tha se vlerëson mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e anëtarësimit të NATO dhe së fundmi për integrimin e saj në BE. ”Mirëprita bashkëpunim mes dy institucioneve sa i takon shkëmbimit të eksperiencës për integrimin në Bashkimin Europian dhe ndërtimin e institucioni të ekselencës pranë ministres”, tha Bushati duke shtuar se mes dy ministrive është rënë dakord që të bashkërendohen axhendat rajonale.

Ndërsa ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Kristian Vigenin, tha se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe nuk ka asnjë arsye që të shtyhet dhënia e statusit të vendit kandidat nga vendet anëtare të Këshillit Europian.

“Bullgaria beson se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kërkesat e kërkuara nga KE-ja dhe përveç kësaj shoh me kënaqësi një qeveri dinamike që vepron për plotësimin e axhendës europiane të vendit. Ne besojmë se nuk ka më kurrfarë arsye pse të shtyhet dhënia e statusit dhe Bullgaria të vazhdojë të bindë, që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat nga Këshilli Europian”, tha Vigenin.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama