Shqiperia refuzon Organizaten Islamike jo pjese e aktivitetit ne Teheran

Shqiperia refuzon Organizaten Islamike, jo pjese e aktivitetit ne Teheran

Meta - Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka deklaruar se pavarësisht pjesëmarrjes së Shqipërisë në këtë organizatë, vlerat demokratike me të cilat vendi udhëhiqet janë thellësisht demokratike.

Topalli- Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nuk ka nguruar të marrë pjesë në aktivitetet e kësaj organizate, pavarësisht se një pjesëmarrje e tillë nuk është reklamuar së tepërmi.

 

Shqipëria nuk do të marrë pjesë në Sesionin e 9 të Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI) që do të zhvillohet nesër dhe pasnesër në kryeqytetin e Iranit, Teheran. Nisur nga fakti se Shqipëria është një vend anëtar i kësaj organizate që nga viti 1992, në drejtim të kryetarit të Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka ardhur një festë për pjesëmarrje në këtë konferencë të rëndësishme për “botën myslimane”. Por përgjigjja e Kryetarit të Kuvendit në lidhje me këtë ftesë ka qenë jo, duke e lënë Shqipërinë pa përfaqësim politik në këtë konferencë, e cila ka si synim të koordinojë një sërë veprimesh politike mes atyre që quhen “vende myslimane”. Këshilltari për Politikën e Jashtme i Kryetarit të Kuvendit, Ralf Gjoni, në një prononcim për gazetën “Shqip” thekson se Meta ka marrë një ftesë nga homologu i tij iranian për këtë konferencë, por është detyruar t’i kthejë një përgjigje negative për “arsye të kufizimeve buxhetore gjatë këtij viti dhe për shkak të axhendës tejet të ngjeshur politike”. Por, pas refuzimit të një ftese të tillë, duket se qëndron nevoja e politikës së jashtme shqiptare për të qëndruar larg pjesëmarrjes aktive në një organizatë të tillë në këto momente. Nevoja e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe ajo që vetë krerët më të lartë të politikës në vend e quajnë “rritja e ekstremizmit në Europë” për vendet me shumicë myslimane, duket se ka e ka kompleksuar vendin të renditet krahas anëtarëve aktiv të kësaj konference. Brukseli duket se do të mbetet për muajt e ardhshëm destinacioni i preferuar diplomatik për politikanët shqiptarë. Por duket se kjo linjë nuk është mbajtur nga mazhoranca e shkuar demokrate. Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka marrë pjesë në Sesionin e 7 të Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, në vitin 2012, të zhvilluar në Indonezi, ku ka marrë dhe një çmim nga organizatorët e këtij aktiviteti.

Refuzimi

Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, e ka refuzuar pjesëmarrjen në sesionin e 9 të Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, e cila do të mbahet në fillimin e kësaj jave në Teheran. I pyetur nga gazeta “Shqip” për këtë mospjesëmarrje, Këshilltari për Politikën e Jashtme i Metës, Ralf Gjoni, thotë se kjo pjesëmarrje nuk është mundur të realizohet për shkak të kufizimeve buxhetore dhe axhendës së ngjeshur të Kryetarit të Kuvendit. Madje sipas Gjonit, për të njëjtat arsye, Shqipëria nuk arriti të përfaqësohej as në Asamblenë Parlamentare të Unionit për Mesdheun që u zhvillua në Jordani. “Për arsye të kufizimeve buxhetore gjatë këtij viti dhe për shkak të axhendës tejet të ngjeshur politike, udhëtimet e Kryetarit të Kuvendit janë përqendruar në ato vende apo aktivitete që përfaqësojnë prioritete imediate për axhendën e diplomacisë parlamentare të Shqipërisë. Për këto arsye, Kuvendi këtë vit nuk mund të këtë përfaqësim në Asamblenë Parlamentare të Organizatës për Bashkëpunimin Islamik në Teheran, ashtu siç nuk mund të përfaqësoheshim as në Asamblenë Parlamentare të Unionit për Mesdheun që u zhvillua në Jordani së fundmi”, thekson Ralf Gjoni. Ai shton se në të shkuarën kanë qenë të shumta rastet kur Shqipëria ka pasur qëndrime të kundërta me disa vende anëtare të kësaj organizate, nisur dhe nga angazhimi i Shqipërisë në NATO por dhe BE. “Shqipëria në të kaluarën ka pasur qëndrime të kundërta me disa vende anëtare të Organizatës, lidhur me Rezoluta të ndryshme të OKB, ku obligimet tona ndërkombëtare të të drejtave të njeriut apo qëndrimet tona lidhur me Palestinën apo Izraelin nuk kanë qenë gjithnjë në një frekuencë me ato të OBI-së. Pa dyshim që qëndrimet tona janë determinuar qartazi edhe nga drejtimi euroatlantik që ka marrë tashmë pakthyeshmërisht politika jonë e jashtme”, thekson Gjoni. Por ai shton se mendon se në të ardhmen: “Shqipëria mund të luajë rol tepër konstruktiv në korridoret e Organizatës për Bashkëpunim Islamik, duke ndërtuar një urë komunikimi mes Lindjes dhe Perëndimit, pavarësisht drejtimit strategjik që tashmë kemi marrë si anëtarë të NATO-s dhe si vend anëtar i BE në të ardhmen”, thotë ai.

Politika

Por duket se arsyet e refuzimit të ftesës janë më të thella se ato ekonomike dhe lidhen me një nevojë të Shqipërisë për të mbajtur distancë nga pjesëmarrja aktive në një organizatë të tillë, në një kohë kur kërkon statusin e vendit kandidat. Kjo ka të bëjë dhe me faktin se një pjesë e përfaqësuesve të Parlamentit holandez kërkuan mosdhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, për shkak të pjesëmarrjes së saj në këtë organizatë. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kanë theksuar se rritja e ekstremizmit në disa vende të Europës, kundër shteteve që kanë një shumicë myslimane në përbërjen e tyre, ka qenë një nga arsyet që e ka penalizuar Shqipërinë për marrjen e statusit kandidat. Vetë kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në një intervistë televizive pak kohë parë për shtyrjen e marrjes së statusit ka theksuar se Shqipëria, pavarësisht pjesëmarrjes në këtë konferencë është tërësisht europiane në modelin si funksionon. “Shqipëria është në Europë dhe do të jetë pjesë e Europës së Bashkuar në të ardhmen dhe me kontribute të veçanta dhe të spikatura. Unë personalisht do ta ftoj z. Berisha të vijë me mua në Holandë dhe të punojmë, t’i sqarojmë edhe këta politikanë që unë përmenda dhe ai mund t’i sqarojë edhe më mirë se unë, sepse Shqipëria vërtet është anëtare e Konferencës Islamike, ashtu sikurse është anëtare aktive, dhe e ka për nder këtë, e Frankofonisë apo edhe në shumë organizata të tjera. Por Shqipëria në radhë të parë është një vend europian dhe ajo që Shqipëria mund t’i japë Europës, ajo që i duhet Europës akoma më tej, nuk janë ndarjet fetare, por bashkëjetesa dhe toleranca”, ka theksuar Meta. Por nisur nga kjo klimë që mbizotëron sot në Europë, duket se drejtuesit e lartë të mazhorancës në vend kanë vendosur të jenë të kujdesshëm për sa i përket pjesëmarrjes së tyre në një forum të tillë, në një kohë kur ethet e pritjes për statusin e vendit kandidat janë shtuar.

Topalli

Mazhoranca e djeshme duket se ka qenë më e shtensionuar për sa u përket raporteve të saj me këtë organizatë. Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nuk ka nguruar të marrë pjesë në sesionin e 7 të Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, në vitin 2012, të zhvilluar në Indonezi, ku madje është nderuar dhe me një çmim të veçantë. Shqipëria rezulton duke nisur nga viti 1992 si një nga vendet me të drejta të plota të Organizatës Islamike për Bashkëpunim.

Kontradikta

Më 23 tetor të vitit 1992, Shqipëria ka bërë një kërkesë ku kërkonte pjesëmarrje me të drejta të plota në Organizatës për Bashkëpunimin Islamik. Por Parlamenti Shqiptar nuk e ka ratifikuar ndonjëherë me votë një pjesëmarrje të Shqipërisë në këtë organizatë, duke e lënë situatën nga pikëpamja juridike të paqartë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama