Shqiperia si Kina 8 parqe industriale dhe 1 zone e lire ekonomike

Shqiperia si Kina, 8 parqe industriale dhe 1 zone e lire ekonomike

Një bum zonash industriale që pretendonte investime qindra milionë euro dhe hapjen e dhjetëra mijëra vendesh pune. Madje, po ta llogarisësh, del se Shqipërisë, pas disa vitesh, do ti duhej të kërkonte fuqi të huaj punëtore. Sipas informacionit të Agjencisë së nxitjes së Investimeve të Huaja AIDA, qeveria shqiptare ka aprovuar 10 zona ekonomike. Tetë prej tyre kanë statusin e parqeve industriale dhe një ka statusin e zonës së lirë. Më konkretisht ato janë si më poshtë:

Koplik - Zona ekonomike me statusin e Parkut Industrial në Koplik, Shkodër, miratuar më 4 janar 2008, me kërkesën e shoqërisë Zona Industriale dhe Tregtare Koplik sh.p.k. aksionerë në këtë sipërmarrje ishte edhe Degennaro grup përmes DEG S.P.A, pronarët e së cilës ishin nga Bari. Pas katër vjetëve dy vëllezërit De Gennaro u arrestuan në Bari dhe u akuzuan për korrupsion dhe aktivitet mafioz. Zona shtrihet në 61 hektarë. Leje u dha për aktivitete prodhuese industriale, agropërpunimi, tregtare, eksport-importi dhe shërbime, si hoteleri, restorante, shërbime bankare, doganore etj. Investimi i miratuar kapte shumën 18.5 milionë euro dhe do të krijonte 16374 vende pune. Deri tani nuk është kryer asnjë investim.

Shëngjin - Zona ekonomike me statusin e Parkut Industrial në Shëngjin, Lezhë, u aprovua në 4 janar 2008, ka sipërfaqe 3.2 hektarë. Kjo zonë iu dha shoqërisë fituese ATX International Tirana sh.p.k, e cila do të investonte 17 milionë euro dhe do të krijonte 3000 vende pune në industrinë e lehtë dhe ushqimore.

Elbasan - Zona ekonomike me statusin e Parkut Industria l në Elbasan, miratuar më 4 qershor 2008, shtrihej në një sipërfaqe prej 254.7 hektarësh në rajonin e ish-metalurgjisë. Aktiviteti që do të zhvillonte do të ishte i karakterit industrial, shërbimi, tregtar, import-eksport. Rezulton se është anuluar si projekt nga qeveria Berisha

Durrës - Zona ekonomike me statusin e Parkut Industrial në Spitallë, Durrës, miratuar me VKM nr.391, datë 21.02.2008 me propozim të ish-Ministrisë së Ekonomisë. Ka sipërfaqe 850 hektarë, pronësi shtetërore dhe private, pjesë e zonës kadastrale nr. 8517 në Spitallë, Durrës. Aktivitetet që do të ushtrohen janë prodhuese, industriale, agropërpunuese, tregtare, shërbimi.

Vlorë - Zona ekonomike me statusin e Parkut Industrial në Vlorë, miratuar më 4 qershor 2008. Qeveria ka miratuar kontratën koncesionare më 26 nëntor 2008 me kompaninë Idea Vlora për projektimin, financimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e parkut industrial në Vlorë. Në këtë sipërfaqe 125 hektarë, investimi duhet ishte në shumën 21 milionë euro dhe do të krijoheshin 18,586 vende pune.

Shkodër - Zona ekonomike me statusin e Parkut Industrial në Shkodër u propozua nga Ministria e Ekonomisë dhe Bashkia Shkodër. U miratua më 4 qershor 2008. Ajo kap ish-qendrën industriale, me sipërfaqe prej 137 hektarësh.

Lezhë - Zona ekonomike me statusin e Parkut Industrial në Lezhë, u propozua nga Bashkia e Lezhës dhe u miratua më 27 janar 2009. Zona ka 54.3 hektarë, me pronësi shtetërore dhe private.

Tiranë - Zona ekonomike me statusin e Parkut Industrial në Laknas, Tiranë u miratua më 22 korrik 2009. Nuk ka të dhëna për destinacionin.

Vlorë - Zona ekonomike me statusin e Zonës së Lirë në një territor në Vlorë e miratuar me vendimin nr. 628, 11 qershor 2009.

Durrës - Zona ekonomike me statusin e Parkut Industrial në Rrashbull, Durrës e miratuar me vendim qeverie nr.105.

 

Zamir Alushi

 

Ligji 

Miratimi - Ministri për ekonominë i paraqet Këshillit të Ministrave propozimin për krijimin e një zone ekonomike, i cili miraton shpalljen e një zone ekonomike.

Përjashtimi - Mallrat, që hyjnë në zonën e lirë dhe shërbimet, që u kryhen atyre brenda zonës së lirë, përjashtohen nga detyrimet doganore dhe TVSH.

Mallrat - Në zonat e lira hyjnë të gjithë mallrat, pavarësisht nga origjina, prejardhja ose vendmbërritja, përveç atyre që ndalohen. Ato mbikëqyren nga dogana

Industriale - Lehtësitë doganore nuk i përfitojnë subjektet e zonave ekonomike me statusin e parkut industrial, Në bazë të ligjit, këto zona përfitojnë infrastrukturën e gatshme

Licenca - Ministri përgjegjës për ekonominë i heq zhvilluesit licencën kur: pushon së vepruari zona ekonomike; vërtetohet se i licencuari nuk respekton kushtet e licencës


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama