Shqiperia si e njoha!

Shqiperia, si e njoha!
Zv.ambasadorja amerikane Deborah Jones po përgatitet të lerë postin e saj në Tiranë. Pas tre vjet shërbimi dhe pasi kishte qëndruar në Shqipëri edhe në fillim të kësaj dekade, diplomatja e njohur përgatitet të nisë një mision të ri diplomatik në Irak. Në këtë intervistë ekskluzive për “Java”, zonja Jones tregon kujtimet e saj nga dy shërbimet diplomatike në vendin tonë, duke u shprehur rreth punës së saj me ambasadorët Limpreht, Uithers e Arvizu, si dhe duke dhënë mendimin e saj në lidhje me sfidat që kalon Shqipëria

Dua t’ju pyes fillimisht për detyrën tuaj të re në Bagdad. Si e shihni atë dhe çfarë prisni nga kjo sfidë?

Kam menduar shumë për detyrën tjetër. Kuptohet që do të jetë shumë sfiduese duke pasur parasysh situatën në Bagdad tani. Mendoj që është punë shumë shumë e rëndësishme. Largohem prej këtu të martën dhe një javë më pas filloj trajnimin intensiv. Kam qëndruar gjithmonë në korrent të ngjarjeve. Jam shumë e interesuar për lajmet nga e gjithë bota, jo vetëm nga Shqipëria. Mendoj që kjo më ka përgatitur. Përsa i përket përgjegjësive, do të jem përgjegjëse e seksionit politiko-ushtarak në ambasadën në Bagdad. Do të jetë fushë e re për mua. Kam qenë zv.ambasadore, kam qenë zyrtare për marrëdhëniet me publikun, kam qenë atashe shtypi, por kjo është diçka e ndryshme. Kjo është veçoria e shërbimit të huaj amerikan. Quhemi të përgjithshëm dhe detyra jonë është t’i përgjigjemi detyrave. Duhet të kemi zhdërvjelltësinë për të shkuar diku, të mësojmë shpejt çështjet, dhe të japim përgjigje. Kjo është ajo që kam përpara tani.
 
Pas pak ditësh, do largoheni, pas një mandati të dytë diplomatik. Si mund ta përshkruani qëndrimin tuaj të dytë këtu? Ku ndryshon nga ai në vitet 2000?

Është e kuptueshme që këtë herë, ashtu si edhe herën e parë, është një detyrë shumë interesante të punosh në Shqipëri. Krahasimi midis vitit 2000 dhe 2009, 9 apo 10, 11, 12 vjet më pas, në fakt ka pasur ndryshim të jashtëzakonshëm. Kurdo që flas me njerëzit, me ju, të tjerë, të gjithë më bëjnë komente për ndryshimet në vend. Sigurisht, kjo ka shumë rëndësi. Është bërë përparim. Nuk kam takuar asnjëherë të vetme dikë që të mos komentojë ndryshimin mbresëlënës dhe përparimin që ka bërë Shqipëria. Sigurisht, mbetet shumë për t’u arritur, por mendoj që krahasuar me vitin 2000 apo edhe përpara viteve 1990të kur vendi ishte i izoluar. Sot, Shqipëria është në NATO. Është një lojtare e rëndësishme në çështjet rajonale dh endërkombëtare. Aspiron të hyjë në Bashkimin Europian. Shikoni çfarë ka arritur ky vend në 20 vite. Për mua është shumë interesante të hedh një vështrim mbi Shqipërinë dhe ndryshimet e jashtëzakonshme. Ndryshimi ka ndodhur për shkak të njerëzve dhe e admiroj vërtet ndjenjën e energjisë dhe frymës së sipërmarrjes. Kurdo që në Shqipëri vijnë vizitorë, për këtë dëgjoj, ndjenjën e energjisë, se sa dinamike janë gjërat këtu.

Ju jeni eksperte në punën tuaj si diplomate, e njihni mirë politikën shqiptare. Sa mendoni se ka lëvizur klasa jonë politike drejt normalitetit krahasuar me fillimet? Cilat janë mangësitë kryesore të politikanëve tanë?

Mendoj që politikanët përplasen në çdo kohë dhe në çdo vend. Vërtet. Por ajo që ka shumë rëndësi është ndjenja e kompromisit dhe ndjenja e nevojës për ta çuar vendin përpara. Për mua, debatet e forta do ndodhin dhe duhet të ndodhin. Kemi të bëjmë me çështje me shumë shumë rëndësi për vendin.  Njerëzit kanë mendime, qasje, perspektiva të ndryshme. Por në fund të ditës, duhet që në qendër të jetë Shqipëria, ecja përpara dhe vazhdimi i ecjes përpara të Shqipërisë, përparimi i saj brenda bashkësisë euroatlantike. Kjo është çështja me kompromisin. Nuk ka problem për debatet – forca e tyre, retorika politike hera-herës është pak e ashpër – por kemi të bëjmë me një situatë ku vendi duhet çuar përpara dhe kjo duhet kapërcyer.
 
Si do t’i përshkruanit marrëdhëniet SHBA-Shqipëri sot?

Marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqipërisë janë vërtet të shkëlqyera. Kemi një miqësi të thellë dhe afatgjatë. Është një miqësi e bazuar në respektin e ndërsjellë dhe mirëkuptimin e ndërsjellë. Punojmë bashkë në dialog të hapur, të çiltër mbi çështje dypalëshe, rajonale dhe ndërkombëtare. Jemi aleatë në NATO dhe vërtet punojmë bashkë. Si amerikane, e shoh vërtet këtë dhe e ndjej shumë kur komunikoj me shqiptarët.
 
Në mos gaboj, keni punuar me tre ambasadorë në Shqipëri. Cilat janë përshtypjet tuaja nga bashkëpunimi me ta?

Jeni gazetar i zoti, se shumica thonë se kam punuar me dy. Në fakt kam punuar me tre. Ambasadorët këtu emërohen nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara. Janë përfaqësues të Presidentit dhe kanë një punë të posaçme për të bërë, një përgjegjësi të veçantë. Duhet të përmbushin një sfidë të posaçme. Kjo është puna e tyre dhe, nëse mundem, e kanë bërë vërtet shumë shumë mirë. Ambasadori Jozef Limpreht vdiq dhjetë vjet më parë, 19 maj, javën që vjen. Ishte në një udhëtim në Shqipërinë e veriut. Si diplomatë karriere, mendoj që ambasadorët e njohin rolin e tyre, përgjegjësinë e tyre, dhe përfaqësojnë pikëpamjet e qeverisë së SHBA.
 
Cili është perceptimi juaj për perspektivën e zhvillimeve demokratike këtu? Si e shihni momentin e tanishëm, ku forcat politike përpiqen të bëhen bashkë dhe të gjejnë zgjidhje për problemet që kemi?

Shqipëria po kalon tranzicionin. Po përpiqet të bëjë përparim. Ka pasur përparim në të kaluarën dhe shumë më tepër duhet bërë në të ardhmen. Mendoj që është edhe çështja dhe perspektiva e të ecurit përpara. Për sa i përket politikanëve, nuk duhet të ketë të bëjë me interesin e ngushtë, individual apo partiak. Duhet të jetë mbi këtë. Duhet të jetë për njerëzit dhe atë që ata duan. Ku po shkon vendi? Dhe sa shpejt mund të arrijë atje ku dëshiron të jetë?
 
Tani që po largoheni ne jemi në mes të një debati lidhur me zgjedhjen e Presidentit. Nëse do t’ju kërkoja një identikit të presidentit të ardhshëm, cili do të ishte?

E vetmja gjë që mund të them është që të shërbesh si president i vendit, është një nder i jashtëzakonshëm dhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Përsëris, ka të bëjë me ndihmën që Shqipëria të arrijë aspiratat e saj dhe destinacionin e saj. Personi duhet të jetë në gjendje të udhëheqë dhe ta çojë vendin në atë drejtim. Ka shumë sfida, por do të jetë pikërisht ai individ unik që do të kapërcejë ato sfida, do përballet me to, do t’ia dalë dhe do ta çojë Shqipërinë përpara. Nuk ka të bëjë interesin personal apo të ngushtë, në fakt ka të bëjë me vendin.
 
A jeni disi e shqetësuar që kjo zgjedhje e presidentit mund të provokojë një krizë politike më të gjerë, më të madhe në korrik, apo ju duket se gjërat po shkojnë mirë?

Le të themi që gjërat po ecin. Mbetem shpresëplotë.
 
Keni qenë këtu për një kohë të gjatë. A do ishte e saktë të thuhej se keni krijuar edhe një lidhje njerëzore me vendin? A do t’i ndiqni zhvillimet në Shqipëri nga posti juaj i ri në Bagdad?

Në fakt, gjithmonë do të kem interes dhe kureshtje për zhvillimet në Shqipëri. Mendoj që e njëjta gjë ndodh edhe me shumë njerëz që shërbejnë këtu. Unë do ta bëj këtë nga larg. Jam përpjekur ta studioj dhe njoh gjuhën, kështu që mund të futem në internet. E vlerësoj faktin që gjërat lëvizin aq shpejt në botën e lajmeve ndaj, po, do të kem interes. Kam takuar shumë njerëz të mrekullueshëm këtu. Njoh shumë njerëz dhe pres t’i takoj në SHBA, në Europë apo tjetërkund. Do të mbaj gjithmonë lidhje.
 
Në fillim të karrierës tuaj, keni qenë gazetare televizive. Sipas jush, sa i ngjashëm është profesioni i gazetarit me atë të diplomatit? A kanë ngjashmëri?

Kam një gradë master në gazetarinë e transmetuar. Kam pasur gjithmonë interes për median. Mendoj që ka rëndësi të jashtëzakonshme për demokracinë. Si qytetare, dua gjithmonë të edukohem dhe informohem. Mendoj që gazetarët sidomos në Shqipëri kanë një përgjegjësi të jashtëzakonshme. Mendoj që ka rëndësi jetësore që njerëzit të kenë akses në lajme dhe informacion, në pikëpamje të paanshme, tek e vërteta, tek informacioni i paanshëm. Pak ditë më parë, ambasadori nxori një editorial për Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Mendoj që aty theksohej fort roli kritik që luan shtypi në Shqipëri. Të gjithë i njohim sfidat këtu. Ishin përshkruar shumë saktë. Kemi edhe Raportin për Të Drejtat e Njeriut. Jemi shumë të interesuar për median, po kështu edhe unë personalisht. Për sa i përket lidhjes me diplomacinë, ashtu si të gjithë kolegët e mi në ambasadë, unë kam përgjegjësinë të ofroj analiza thelluese, informacion të paanshëm, të vërtetën. Ndaj mendoj që kjo është ngjashmëria mes dy profesioneve.

Mendoj që është punë shumë e vështirë të jesh gazetar këtu. Shumë prej gazetarëve unë i njoh prej vitit 2000. Kam parë se si ata vetë janë zhvilluar dhe kanë shkëlqyer. Për shembull, unë jam lexuese pasionante e revistës “JAVA”. Më duhet pak kohë sepse është në shqip, por vërtet i vlerësoj thellimet që bëhen aty dhe disa prej editorialeve tuaja. Kanë gjithmonë të bëjnë me çështjet mbizotëruese të ditës dhe mendoj që bën ndryshim. Iu jep formë opinioneve, pikëpamjeve, e perspektivave këtu. Ndihmon njerëzit të kuptojnë se çfarë ndodh dhe të kuptojnë vendin më mirë. Është interesante sepse njerëzit shpesh citojnë diçka që e kanë dëgjuar në televizion apo në lajme dhe atëhere e shikon ndikimin. Transmetimet e drejtpërdrejta dhe të paredaktuara janë mbresëlënëse. Shikoni internetin, rolin e medias sociale. Pra, të gjitha këto janë me rëndësi. Dhe prapë, në thelb qëndrojnë gazetarët që bëjnë punën e tyre dhe kjo sigurisht nuk është e lehtë.

Meqenëse po largoheni, është edhe koha për kujtime. Shpresoj keni disa kujtime shumë pozitive nga vendi, por mendoj do keni edhe disa më pak pozitive. Dua t’ju pyes cila ka qenë më pozitivja dhe më pak pozitivja?

Kam vërtet shumë kujtime pozitive. Më pëlqen shumë të udhëtoj nëpër vend, të flas me njerëzit, të shoh gjërat të ndodhin, të komunikoj me njeriun e zakonshëm. Për mua është shumë intriguese të flas me njerëzit e zakonshëm dhe të diskutojmë për gjërat bazë. Kjo ka qenë diçka e mrekullueshme; po ashtu, kam pasur mundësi të shoh bukurinë e vendit dhe tani është shumë më e lehtë të udhëtosh. Kjo do të më mbetet gjithmonë në mendje. Një gjë tjetër që e vlerësoj shumë ka qenë komunikimi me gratë këtu. Disa prej tyre janë absolutisht mbresëlënëse. Kanë dhënë për vendin, qofshin në biznes, në OJQ, apo shqetësimet për çështje të dhunës në familje, të drejtat e njeriut. Diçka e admirueshme. Janë inteligjente, mendjehapura, të përfshira dhe kjo më ka bërë shumë mirë sepse kam zënë shumë mike. Dhe më duket se kemi arritur sadopak thjesht duke shkëmbyer ide, atë që ndjejmë e mendojmë për disa gjëra, dhe më kanë ndihmuar shumë.

Nga ana tjetër, diçka që do të mbetet e pashlyer për mua është homazhi për Kapitenin Vogli. Më ka kujtuar sakrificën, sakrificën e burrave e grave amerikanë në shërbim, sakrificën e Shqipërisë dhe këtë do ta mbaj gjithmonë me mendje bashkë me mundësinë për t’ia shprehur respektin familjes së tij.

Tek unë, gjithmonë pika kyçe është potenciali dhe premtimi i Shqipërisë. Kjo është vërtet me rëndësi dhe kështu do ta mbaj mend gjithmonë vendin. Më lejoni të shtoj që i kam konsideruar gjithmonë shqiptarët si shumë bujarë, shumë të hapur, shumë dashamirës. Kam pasur privilegjin të punoj me njerëz që janë jo vetëm tejet inteligjentë, por edhe që kanë një ndjenjë të fortë qëllimi, qëndrueshmërie, largpamësie, me shumë energji dhe ndjenjë sipërmarrjeje. Ka qenë një përvojë e shkëlqyer për mua.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama