Shqipëria s’ka qenë kurrë një lojtar i rëndësishëm në Ballkan, të paktën jo në fushën e energjisë. Por tani që gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP) është një realitet, Shqipëria ka mundësinë për të ndryshuar fatin e saj për t’u bërë një qendër rajonale për shpërndarjen e gazit. Sot, e ardhmja e energjisë në Ballkan është e rrezikuar në shumë mënyra. Infrastruktura është në pjesën më të madhe e vjetër dhe ka nevojë për përmirësim. Termocentralet e vjetra janë akoma në funksion dhe duhet të mbyllen për të përmbushur rregullat mjedisore të BE-së. Energjia bërthamore nuk ekziston dhe mikroklima e ka bërë energjinë e hidrocentraleve jashtëzakonisht të paparashikuar, dhe në rastin e Shqipërisë krejt të paqëndrueshme.
Burimet e reja të energjisë janë të nevojshme për të vitalizuar ekonominë në terma afatgjatë. Gazi natyror është në dispozicion, i besueshëm dhe me çmime konkurruese, por duhet të sigurohen pika të ndryshme aksesi. Nuk është në interesin e askujt që ky hendek energjie në rajon të mbushet vetëm nga Rusia, e cila ka tashmë nën kontroll tregun e gazit natyror në Serbi. Gazprom po ndjek një politikë agresive për zgjerimin në rajon mbështetur nga projekti Rrjedha e Jugut. Ky gazsjellës synon që të mbulojë të gjithë rajonin e Ballkanit, dhe është projektuar të kalojë nga Bullgaria përmes Sllovenisë për në Itali, duke e mbushur tregun ballkanik me gaz rus. Lufta e gazit mes Rusisë dhe Ukrainës është një shembull i mirë se çfarë do të thotë në terma afatgjatë të bësh tregti me një monopol të shtetit rus: përfundimisht duhet të paguash një çmim politik ose çmimet e gazit rinegociohen në mënyrë të njëanshme ose gazi të mbyllet fare.
Kjo është një perspektivë e keqe për konsumatorët dhe industrinë e Ballkanit, e cila në mënyrë që të zhvillohet dhe të konkurrojë globalisht, ka nevojë jo vetëm për energji të qëndrueshme dhe të besueshme, por edhe për energji me çmim në bazë të tregut. Përpjekjet që po bëhen nga qeveritë ballkanike për të ofruar stimuj me taksa për industrinë evropiane, janë asgjë nëse furnizimi me energji është i pasigurt dhe çmimi fiksohet politikisht. Fakt është se gazi rus është tre herë më i shtrenjtë sot se gazi amerikan. Çmimi botëror për gazin natyror ka rënë këto vite, ndërkohë që çmimet e energjisë elektrike që bazohen kryesisht nga importi i gazit rus, nuk kanë ndryshuar shumë. Kjo për shkak se kushton më shumë për të nxjerrë, pompuar dhe për të dërguar gazin rus sesa projektet alternative. Kjo sepse teknologjia ruse e nxjerrjes së gazit është e vjetruar dhe aksesi në këtë gaz nuk është i lehtë.
Rajoni i Ballkanit ka nevojë për një alternativë ndaj Gazprom, dhe zhvillimi i Shqipërisë në një qendër rajonale të shpërndarjes së gazit duhet të mbështetet edhe nga Bashkimi Europian. Kjo është e mirë për konkurrencën afatgjatë të çmimeve në Ballkan. Në mënyrë që Shqipëria të funksionojë si një qendër rajonale, duhet të ketë akses në tregun e gazit likuid dhe gazit kaspik. Kjo do të thotë se Shqipëria duhet të ndërtojë një terminal për gazin e lëngshëm, depozita të mëdha për të ruajtur gazin, një tubacion që do e transportojë gazin në Shqipëri dhe tubacione që e çojnë këtë gaz në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi dhe Kroaci. Po ashtu plani duhet të parashikojë edhe ndërtimin e termocentraleve me gaz në Shqipëri dhe linjave nënujore të interkonjeksionit me Italinë dhe linja tokësore me Kroacinë, Slloveninë dhe Austrinë.
Marrëveshja për gazsjellësin TAP do të sjellë gazin azer përmes rajonit drejt Italisë, parashikon një sasi prej 10 bcm (Njësi matëse për gazin), por ajo mund të përmirësohet deri në 20 bcm pasi gazsjellësi të fillojë punë.
Një tjetër marrëveshje e veçantë mund të nënshkruhet në atë kohë mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit për këtë 10 bcm shtesë. Në mënyrë alternative, kompania shtetërore e gazit në Azerbajxhan, në bashkëpunim me Shqipërinë dhe BE-në, mund të ndërtojnë një gazsjellës alternativ të dedikuar për Shqipërinë i cili mund të lidhet me TANAP (Gazsjellësi që lidh Turqinë me burimet e gazit në detin Kaspik). Kjo është pak a shumë ideja për krijimin e një qendre rajonale të gazit në Shqipëri dhe Europa (BE) duhet të angazhohet në zhvillimet e energjisë në rajon dhe ta ndihmojë Shqipërinë që të bëhet një kundërpeshë në Ballkan për Gazprom-in rus. Kjo është në përputhje me objektivat e përgjithshme të energjisë së Europë dhe do të ndalojë që rajoni të bëhet viktimë e fiksimit të çmimeve të energjisë dhe dominimit politik të Moskës.